"Paguajmë dritat 90 %, së paku të na përgjigjen në telefon"
Në qytetin e Rubikut është një kolektiv shumë i mirë në Shërbimin Elektrik, megjithatë qytetarët kanë disa vërejtje në adresën e tyre për rastet e defekteve që ndodhin në linjat elektrike dhe konkretisht: Në sektorin e këtij shërbimi, megjithëse ekziston një numër telefoni për ankesat, është shumë e vështirë në disa raste të komunikosh me të, brenda orarit zyrtar 700 - 1500 , ndërsa pas këtij orari, është thuajse e pamundur. Atëherë si të veprojmë për rastet e defekteve që ndodhin në linjat elektrike tek qytetarët? Po ta bësh këtë pyetje në Shërbimin Elektrik, përgjigja është se arsyeja për këto mungesa është numri i paktë i punonjësve, kësisoj është e pamundur për të shërbyer 24 orë në qytet dhe fshat. Kur ne ankohemi për mungesë të energjisë elektrike, nga këto punonjës marrim përgjigjen: "Duhet të ankoheni tek sektori elektrik në Rrëshën dhe po deshët ju japim numrin e telefonit të drejtorit dhe neve na ndihmoni si punëtorë që jemi...(!)
Në momentin e ankesës së qytetarëve për defektet e ndodhura në linjat elektrike, elektricistet paraqesin ankesat e tyre, duke na thënë se nuk kanë automjet, tel, izolatorë dhe materiale të tjera që duhen për të rregulluar defektin. Për këtë ata ndoshta kanë shumë të drejtë, por është detyrë pikërisht e Ndërmarrjes Elektrike Rrëshen që të plotësojë sektorin elektrik në Rubik me bazën materiale të nevojshme.
Shqetësimi me i madh i qytetarëve është për defektet që ndodhin në fshat dhe N/ Stacioni në Rubik stakon linjën për gjysmën e qytetit, duke qëndruar disa ore pa drita, deri sa të gjendet defekti. Kjo nuk duhet të ndodhe, pasi për çdo lagje dhe fshat ka kabina elektrike, apo ndarje zone të posaçme. Për këtë çështje, ne disa herë kemi sugjeruar që stakimi të bëhet atje ku ndodh defekti dhe të lihet një elektricist roje te vendi i stakimit dhe të mos stakohet FIDERI. Por ato i bien "rrugës së shkurtër", duke na e ndërprerë energjinë të gjithëve.
Në mungesë të përgjigjes së telefonit të shërbimit elektrik, ne marrim në telefon N/S Rubik ku përgjigjen e marrim shumë shpejt. Pyetjes nëse ka kufizim të energjisë (pasi me ketë jemi mësuar për gjithë vitin 2007) i përgjigjen se është detyra e sektorit elektrik për t'u sqaruar dhe jo e N/S. Kujtojmë se qyteti i Rubikut (por edhe fshati) pagesën e energjisë elektrike e bën çdo muaj në masën 90 %, ndaj nevojitet që me çdo kusht të përmirësohet shërbimi. Telefoni në dispozicion për ankesat e qytetarëve të përgjigjet në çdo kohë. Për sa më sipër, lutemi të trajtoni ketë problem në rubrikën tuaj kaq interesante Shekulli-Kontakt. Bashkëngjitur ju dërgojmë dhe dy fotografi. Njëra është personale dhe tjetra është e qendrës së qytetit Rubik. Me nderime dhe respekt për ju dhe detyrën tuaj fisnike!
DICITURAT E FOTOVE:
Në fotot shoqëruese: Banori i Rubikut, Pjetër Bubaj dhe pamje nga qendra e Rubikut. Fotot janë dërguar në redaksi nga lexuesi Bubaj.