E Diel, 1 Nëntor 2026

"Piku" i prodhimeve bujqësore, ulen cmimet

TIRANË- Prodhimi vendas bujqësor ka ulur çmimet e produkteve ushqimore, veçanërisht të frutave dhe perimeve. Tregtarët shprehen se tregjet e brendshme furnizohen aktualisht me prodhim vendas, i cili ka cilësi më të mirë se malli i importit dhe kosto më të lirë. Por edhe pse çmimet kanë pësuar rënie, tregtarët ankohen për nivelin e ulët të blerjeve.

"Çmimet në përgjithësi kanë rënë se është mall vendas, por blerjet janë shumë dobët", shprehen tregtarët në Tiranë, të cilët vënë në dukje se largimi për pushime i konsumatorëve kryeqytetas ka ulur nivelin e shitjeve.

Sipas të dhënave nga ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (MBUMK) kete javë çmimet e produkteve të stinës si, domate, kastraveca, speca, bamje etj, janë ulur me rreth 10 deri 12 lekë/kg, kundrejt javës së fundit të muajit korrik.

MBUMK vëren se gjatë kësaj periudhe çmimet kanë shënuar rënie edhe për prodhimet blegtorale dhe të mishit. Statitikat evidentojnë se qytetet Lushnje, Fier dhe Berat ruajnë nivelin më të ulët të çmimeve për prodhimet bujqësore e blegtorale vendase.
(ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›