"Serbia do ta njohë Kosovën"

-RTK: Hashim Thaçi, çka mund të na thoni lidhur me perspektivën evropiane të Kosovës.
Hashim Thaçi - “Mirëpritja dhe njohja e shteteve të BE-së është impresionuese. Të gjithë e vlerësojnë suksesin e arritur në Kosovë, me shpalljen e pavarësisë, me menaxhimin e situatës dhe progresin e përbashkët të arritur me ndërkombëtarët. De fakto Kosova është pjesë e Evropës, është duke implementuar suksesshëm kriteret demokratike për t’u integruar në strukturat e NATO-s dhe të BE-së. Ishte konkludim i të gjithëve, se pavarësia e Kosovës ka sjellë më tepër paqe stabilitet dhe bashkëpunim rajonal dhe një frymë të re evropiane për Kosovën, për rajonin. Rikonfirmova edhe një herë përkushtimin e qeverisë së Kosovës për ndërtimin e rendit demokratik, vendit multietnik me të drejta të barabarta për minoritarët dhe respektim afirmativ të tyre për t’u integruar në institucionet e Kosovës dhe në shoqërinë kosovare. Gjithashtu, theksova paprekshmërinë e integritetit territorial të Kosovës, si territor i njohur dhe i pranuar ndërkombëtarisht. Kishte mbështetje të plotë për Kosovën dhe në të njëjtën kohë falënderova të gjithë vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet përreth që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. I ftova edhe ato pak vende që kanë mbetur që ta njohin Kosovën, dhe për këtë kishte mirëkuptim”.
-Ritheksuat edhe njëherë zotimet e Kosovës për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit?
“Ishte konkludim i përbashkët, se pavarësia e Kosovës ka sjellë progres, i ka hapur perspektivë rajonit edhe zhvillim ekonomik të vendit dhe një perspektivë euroatlantike”.
-Në konferencë për gazetarët, z. Rupel mbështeti fjalën tuaj dhe tha se z. Thaçi u prezantua vërtet si kryeministër i një shteti multietnik.
“Kam potencuar se Kosova po ndërton raporte të shkëlqyeshme me të gjithë vendet e rajonit: me Maqedoninë, me Shqipërinë, me Malin e Zi dhe ndërkohë presim të ndërtojmë raporte të mira në të ardhmen demokratike edhe me autoritetet në Serbi. Por me këtë rast kam shprehur edhe shqetësimin e nxitjes së drejtpërdrejtë të dhunës nga Beogradi, në pjesën veriore të Mitrovicës dhe domosdoshmërinë e evitimit të kësaj politike të shekullit të kaluar dhe ndikimit të autoritetit evropian, në mënyrë që Beogradi të fillojë definitivisht të reflektojë dhe të njohë realitetin se Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik”.
-Ju gjatë ditës keni pasur takime të shumta me z. Solana dhe ministra të vendeve të BE-së. Si është pritur vizioni i qeverisë së Kosovës për perspektivën evropiane të Kosovës?
“Dua të them se Kosova është duke u respektuar maksimalisht. Në të gjithë takimet që kam pasur, edhe me z. Solana, edhe me z. Oli Rehn, por edhe në takimin me z. Miliband, atë gjerman Steinmeier, atë të Francës, Bernard Kushner dhe diplomatët tjerë, mund të them se është një mbështetje e jashtëzakonshme, e paparë ndonjëherë për ndonjë vend që aq shpejt është pavarësuar, është njohur dhe kjo njohje me këtë mbështetje të madhe të këtyre vendeve të fuqishme, mendoj se do të jetë një njohje e cila do të ketë reflektimet e veta për gjithë rajonin. Me këto njohje të shpejta, Kosova do të jetë shumë shpejt pjesë e të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë, madje anëtare e OKB-së, anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, NATO-s dhe e Bashkimit Evropian”.
-Me këto takime që keni pasur, do të thotë se ju keni mbështetje të parezervë të BE-së dhe programi i qeverisë suaj bazohet pikërisht në objektivat për të ecur përpara, drejt integrimit në strukturat e Bashkimit Evropian?
“Sot për herë të parë kam diskutuar me autoritetet evropiane, z. Havier Solana, z. Rehn dhe ministrat e Jashtëm evropianë për kohën, kur Kosova do të mund të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së. Ky mirëkuptim, kjo hapje e diskutimit për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike është një diskutim në kohën kur vetëm pak ditë pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së saj nga komuniteti evropian dhe bota demokratike, prandaj edhe e ardhmja e Kosovës do të jetë e ardhme e një vendi të zhvilluar, një vendi të integruar shumë shpejt në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në NATO. Kosova do të ecë me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë në këtë rrugë”.