Sa na ka kushtuar "Delijorgji"

Abuzimet që janë kryer nga “Meico” në bashkëpunim me Mihal Delijorgjin e kanë fillesën që në kontratën e parë “barter” me kompaninë greke “Elbo”. Njohjet e para me drejtorin e ndërmarrjes shtetërore Ylli Pinari, që nisin me këtë kontratë, janë pohuar nga vetë Mihal Delijorgji në një intervistë që ka dhënë pak ditë më parë për gazetën “Korrieri”. Por, nga ana tjetër, kontrollet e kryera në vite nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, nxjerrin se nga bashkëpunimi i ndërmarrjes “Meico” me kompaninë “Përparimi”, drejtori i të cilit është Mihal Delijorgji, i janë vjedhur 826 milionë lekë buxhetit të shtetit. Faktet po ashtu të çojnë drejt negociatave të kompanisë shtetërore me “Felmont Trading LTD Nicosia Cypros”, e cila merrte skrapin e çelikut në këmbim të furnizimit me 20 automjete në ndërmarrjen “Meico”, ku nënkontraktor i tyre ishte firma e përfaqësuar prej Delijorgjit. Si rrjedhojë e shitjes së skrapit të çelikut të cilësisë së lartë, pa ankand dhe çmim më të ulët se ai që është paraqitur në ankand, është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën e 10 033 200 dollarëve apo rreth 827 milionë lekëve. Përgjegjës për këtë sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit është drejtori i ndërmarrjes “Meico”, Ylli Pinari. Fillimisht bëhet fjalë për 30 mijë tonë skrap çeliku të përfituar nga demontimi i armatimeve, e cila është blerë nga firma “Përparimi” me nënkontratë dhe është shitur pranë firmës “Kurum”. Të gjitha këto shkelje kanë nisur në vitin 2003, ku kompania “Kurum” për sasinë prej 26.160 tonësh skrap ka ofruar çmimin prej 56.46 dollarësh për ton, ofertë kjo e paraqitur pas miratimit të programit të demontimit të Ministrisë së Mbrojtjes. Lëvrimi i skrapit ka filluar në muajin janar 2004 dhe deri në fund të vitit 2005 kontrata është plotësuar në masën 75 për qind, ose 22.500 tonë skrap, e barabartë me vlerën e 15 automjeteve të marra në dorëzim. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rezulton se nga sasia e përgjithshme e skrapit e kontraktuar firma greke “Elbo” janë tërhequr 8.992 tonë me çmimin 60 dollarë/toni, ku kontrata në total kapte vlerën e 539.520 dollarëve. Ndërsa për blerjen e pjesës tjetër të skrapit, prej 13.400 tonësh, firma “Elbo” ka autorizuar me nënkontratë shoqërinë “Përparimi”. Sipas nënkontratës, midis palëve është pranuar çmimi 72 dollarë/toni, ku është shtuar dhe vlera e TVSH-së në masën 20 për qind. Sasia e skrapit e blerë nga firma “Përparimi” për llogari të kompanisë greke, ku sipas dokumenteve që disponon ndërmarrja shtetërore “Meico”, skrapi është shitur në favor të shoqërisë “Kurum”. Po ashtu, sasia e skrapit që është eksportuar jashtë prej 8992 tonësh shitje e kryer nga kompania shtetërore “Meico”, rezulton se në vlerën e faturës nuk është përfshirë TVSH-ja. Nga kjo, buxheti i shteti ka humbur 107.904 dollarë. Po ashtu, sipas raportit të KLSH-së, për ndërmarrjen shtetërore rezulton se ankandet e zhvilluara gjatës viteve 2004-2005 për miratimin e çmimeve të shitjen së armatimeve, municioneve dhe materialeve të tjera ushtarake, çdo anëtar komisioni parashikonte çmime të ndryshme.
Për shkeljet e zbuluara, të cilat i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm në vlerën e 1 milion dollarëve, Kontrolli i Lartë i Shtetit në vitin 2006 ka bërë kallëzim penal për drejtorin e kompanisë shtetërore “Meico” , Ylli Pinarin. Mësohet se nga ana e prokurorisë gjatë atij vit nuk u mor asnjë vendim për ndjekjen penale të drejtorit të kompanisë “Meico”.