Mësuesit kalojnë "në sitë"

Mësues të të gjithë profileve të arsimit parauniversitar morën pjesë në provimin e kualifikimit, i zhvilluar dy ditë më parë në 13 drejtoritë arsimore rajonale të vendit. Saktësisht, 2287 mësues, ose 7 për qind e numrit të përgjithshëm të tyre u testuan për marrjen e shkallëve të kualifikimit, që çon në një pagë më të lartë. Risi për këtë vit ishte Portofoli i Zhvillimit Profesional të Mësuesit, ku të gjithë mësuesit për tre muaj me radhë e përgatitën atë. Kjo është një praktikë shumë e njohur perëndimore, e cila në vendin tonë aplikohet për herë të parë. I gjithë ky proces u dha siguri mësuesve për të marrë pjesë në testimin e fundit, ku pjesëmarrja këtë vit ishte më e lartë krahasuar me një vit më parë. Një element tjetër ka qenë vëzhgimi dhe vlerësimi i orëve mësimore të mësuesve që kualifikohen këtë vit, si nga inspektorët e shkollës, ashtu dhe nga inspektorët lokalë dhe ata të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Sipas udhëzimit për organizimin e kualifikimit për punonjësit arsimorë që plotësojnë vjetërsinë në sistemin arsimor parauniversitar për vitin mësimor 2007-2008, mësuesit të cilët dhanë provimin e kualifikimit ishin të disa kategorive. Sipas këtij udhëzimi, u testuan mësuesit me diplomë mësuesie, me emërim definitiv ose në pritmëri, pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët profesionale në shkollat e mesme profesionale ose të përgjithshme dhe kanë kontratë individuale pune; pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët profesionale në shollat profesionale me status kombëtar dhe ata pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët e edukimit muzikor ose të edukimit figurativ dhe kanë kontratë individuale pune. Në bazë të këtij kategorizimi mësuesi përfiton shtesë në pagë. Për kategorinë e tretë kjo shtesë është 5 për qind, për kategorinë e dytë është 10 për qind dhe për kategorinë e parë është 20 për qind. Mësuesi i cili nuk “kalon” këtë provim, nuk kualifikohet për nivelin përkatës që ka kërkuar, por ka mundësi të aplikojë sërish vitin e ardhshëm. Në provimin e kualifikimit mësuesit u vlerësuan sipas disa kritereve bazë, të cilat ndihmuan për nxjerrjen në pah të aftësive të tyre në mësimdhënie.
Kriteret e vlerësimit të mësuesve në provimin e kualifikimit ishin:
1- zotërimi i programeve lëndore
2- zotërimi i anës shkencore të lëndës shkollore
3- zotërimi i anës metodike të lëndës
Provimeve të kualifikimit iu nënshtruan vetëm punonjësit, të cilët deri më datë 31 dhjetor 2007 plotësonin vjetërsinë e mëposhtme të punës në arsim:
1- nga 5 deri në 9 vjet, për shkallën e tretë të kualifikimit
2- nga 10 deri në 19 vjet, për shkallën e dytë të kualifikimit
3- 20 dhe më shumë vjet, për shkallën e parë të kualifikimit