Shkëmbimet tregtare mes vendit tonë dhe vendeve të tjera për këtë vit parashikohen më keq se viti që lamë pas. Në strukturën e tregtisë do të vazhdojnë të dominojnë importet, kurse niveli i eksporteve do të vazhdojë të jetë i ulët. Parashikimet e Qendrës Shqiptare për Tregtinë me Jashtë (ACIT) përcjellin shifra alarmante mbi thellimin e deficitit tregtar. Sipas parashikimeve të ACIT, të publikuara në raportin e tij të fundit, mësohet se në fund të vitit 2008 deficiti tregtar do të arrijë në 3.5 miliardë dollarë. Duke iu referuar statistikave zyrtare në fund të vitit 2007, deficiti tregtar arriti në rreth 2 miliardë dollarë, por parashikimet për fundin e këtij viti tregojnë se humbjet nga tregtia do të thellohen në 1.5 miliardë dollarë. Qendra Shqiptare për Tregtinë me Jashtë duke treguar mbi ecurinë konkrete të shkëmbimeve tregtare, pohon se sipas parashikimeve, pritet që eksportet të arrijnë në vlerën e 1.3 miliardë dollarëve në fund të vitit 2008. Pra, totali i eksporteve për këtë vit parashikohet të mbulojë vetëm 27 për qind të importeve, të cilat pritet të rrisin edhe të ardhurat. Kurse nga ana tjetër, për importet pritet të shpenzohen 15 për qind të të ardhurave apo në vlerën e 4.8 miliardë dollarëve. Sipas ACIT, eksportet pritet të shënojnë rritje në 3-mujorin e katërt, kurse importet do të vazhdojnë të pasqyrojnë të njëjtën ecuri si në vitin 2007. Ekspertët e ekonomisë shprehen se shkaku i nivelit të ulët të eksporteve mbetet mungesa e prodhimit në vend. Po ashtu, një faktor kryesor është edhe mungesa e teknologjive në prodhimin vendas, çka i bën produktet vendase të pakonkurrueshme. Thellimi i humbjeve nga shkëmbimet tregtare do të vazhdojnë të përcjellin efektet e tyre negative edhe këtë vit. Pra, presionet inflacioniste në ekonominë e vendit do të vazhdojnë të ashpërsohen. Struktura e papërshtatshme e prodhimit në vend, si edhe varësia nga produktet e importuara janë faktorë të cilët ulin mekanizmat mbrojtës të ekonomisë së vendit ndaj zhvillimeve të tilla rajonale dhe globale. Kjo situatë u vërtetua edhe gjatë vitit të kaluar, ku në muajt shtator dhe tetor të vitit 2007, rritja vjetore e indeksit të çmimeve të konsumit sipas vlerësimit të Institutit të Statistikave rezultoi përkatësisht 4.4 për qind dhe 4.2 për qind, përtej kufirit maksimal të synuar nga Banka e Shqipërisë, prej 4 për qindësh. Për të shmangur qëndrueshmërinë e presioneve inflacioniste, Banka e Shqipërisë rriti dy herë normën e interesit të marrëveshjeve të riblerjes, duke e ngjitur atë në nivelin 6.25 për qind. Në fund të vitit, rritja vjetore e indeksit të çmimeve të konsumit rezultoi 3.1 për qind, brenda kufijve të synuar të Bankës së Shqipërisë dhe pranë objektivit prej 3 për qindësh. Në të njëjtën kohë, Banka e Shqipërisë paralajmëron se, për shkak të nevojës për të financuar disa investime të rëndësishme për ekonominë e vendit, deficiti buxhetor parashikohet të rritet. Këto dy zhvillime do të rrisin presionet inflacioniste në ekonomi. Por efekti i tyre pritet të jetë i administrueshëm nëse realizohen objektivat për orientimin e një pjese të rëndësishme të shpenzimeve për projektet e mëdha të infrastrukturës, si edhe nëse realizohet një shpërndarje më e mirë në kohë e të ardhurave dhe e shpenzimeve të përgjithshme.
BSH: Deficiti do të rrisë inflacionin
Vendi ynë përveç humbjet nga tregtia, këtë vit do të shënojë edhe nivel të lartë të borxheve. Në të njëjtën kohë, Banka e Shqipërisë paralajmëron se, për shkak të nevojës për të financuar disa investime të rëndësishme për ekonominë e vendit, deficiti buxhetor parashikohet të rritet. Këto dy zhvillime do të rrisin presionet inflacioniste në ekonomi. Pra, për gjatë vitit 2008, çmimet e produkteve ushqimore do të vazhdojnë të shënojnë rritje.
Parashikimet mbi import-eksportet 2008 (mln dollarë)
Eksportet Importet Humbjet
Janar 2008 97,34 275,39 -178,05
Shkurt 2008 100,20 337,06 -236,86
Mars 2008 108,33 394,26 -285,93
Prill 2008 98,71 378,27 -279,56
Maj 2008 115,84 403,89 -288,05
Qershor 2008 125,02 393,60 -268,58
Korrik 2008 123,46 390,67 -267,21
Gusht 2008 77,65 366,24 -288,59
Shtator 2008 122,17 448,59 -326,42
Tetor 2008 113,71 451,71 -338,00
Nëntor 2008 129,44 519,46 -390,03
Dhjetor 2008 100,00 478,29 -378,29
Total 1.311,87 4.837,43 - 3.525,56