"Serbia" ndryshon emrin

Sot ose nesër pritet ndryshimi i emërtimit të listës unike, Iniciativa qytetare “Serbia”. Burime brenda KQZ-së kanë thënë për RTK-në se që në fillim është bërë me dije se një emërtim i tillë nuk mund të kalojë dhe të certifikohet. KQZ poashtu ka kërkuar që të bëhen disa plotësime të listës për kandidatë.
Edhe Beogradi zyrtarë duket se tashmë e ka të qartë se një emërtim i tillë Iniciativa qytetare “Serbia” është i papranueshëm.
Kryeministri serb, Ivica Daçiq duke folur për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë, ka deklaruar se rreth emërtimit të listës serbe duhet të bisedohet me OSBE-në. Ai ka theksuar se lista duhet të jetë qarte si listë serbe, meqë siç ka theksuar ai, kjo listë vjen nga Serbia.
“Kjo ishte ideja. Të shohim tani çfarë janë argumentet. Ministri Vulin, i cili është marrë me këtë çështje në aspektin operacional, me siguri do të bisedojë rreth kësaj”, theksoi Daçiq.
I menjëhershëm ishte reagimi i OSBE-së sa i përket deklaratës së kryeministrit serb.
Zëdhënësi Nikolla Gaon përmes telefonit i tha RTK-së se OSBE-ja nuk është e përfshirë në certifikimin e subjekteve politike.
“Certifikimi i subjekteve, iniciativave e kandidatëve është në mandatin e KQZ-së dhe i përket ekskluzivisht këtij institucioni të merret me këtë çështje”, theksoi Gaon.
Gaon ritheksoi se roli i OSBE-se është lehtësues dhe se ky institucion mundet t'u asistojë partive politike serbe ne dërgimin e aplikacioneve dhe se deri me tani, 2 subjekte e kane shfrytëzuar këtë ndihmesë.
Ndërkaq, Milovan Dreçun, kryetar i Këshillit për Kosovën në Parlamentin serb, gjatë një paraqitje në RTS ka thënë se pret që problemi i emrit të iniciativës serbe për zgjedhjet lokale në Kosovë të zgjidhet përmes një kompromisi.
“Në vend të termit ‘Srbia’ me siguri se do të jetë “lista serbe” apo diçka e ngjashme”, ka thënë Dreçun.
Ai e ka pranuar se emërtimi i iniciativës serbe është problemi më i madh, megjithëse ai pret që kjo të zgjidhet sepse siç ka thënë ai do të ishte shumë më keq që Komisioni Qendror Zgjedhor të mos e certifikojë këtë listë të kandidatëve serbë.
Dreçun më tutje shtoi se Prishtina ka dërguar sinjale të qarta se KQZ nuk do të certifikojë iniciativën serbe dhe se kërkon që termi Serbi të mos përmendet në listën serbe./Indeksonline/