"Shqiptarët në Shqipëri nuk janë shumë patriotë"

Këngëtari i famshëm, i cili emigroi në Itali e më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet ’90,Frederik Ndoci shprehu pakënaqësinë e tij me shqiptarët e Shqipërisë në prag të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.
Ai theksoi se shqiptarët nuk i kanë zbukuruar ende me flamuj kombëtarë ballkonet e shtëpive kur jemi vetëm pak ditë nga data 28 Nëntor. “Shqiptarët në Shqipëri nuk janë shumë patriotë. Shoh që nuk i kanë zbukuruar ballkonet, ndërsa në Amerikë është bërë kuq e zi në lagjet e shqiptarëve. Lidhja ime me Kosovën është e fortë sepse ata janë shumë atdhetarë. E shohin flamurin ndryshe nga shumë shqiptarë që nuk kanë dalë kurrë jashtë shtetit”, deklaroi Frederik Ndoci per TCH, duke shtuar se gjatë qëndrimit në Itali, kur zbuloi kombësinë e tij në një emision televiziv, nisën ta shihnin me një sy tjetër. “Në Itali dhe SHBA mund të kesh lekët, por ndihesh i vetmuar. Në Shqipëri ndihesh më ngrohtë. Më mungon shumë Shkodra. Gjithë krijimtarinë time thuajse ia kam kushtuar qytetit të lindjes”, deklaron këngëtari, i cili pranon se ka siguruar jetën me krijimtarinë e tij jashtë shtetit. /Indeksonline/