"Urraaaaa, ja na filloi edhe kthesa në drejtësi!"
Pa kaluar as edhe një muaj nga shkarkimi i Dh.Sollakut nga detyra e Prokurorit të Përgjithshëm, duket se filloi i shumëpërfoluri, dhe njëherësh i shumëprituri, "Reformimi i sistemit të drejtësisë". Sinjali i parë, nëse nuk ka ndonjë tjetër më përpara, duket se është dhënia e pafajësisë ish-drejtorit të Aviacionit Civil. Nuk dëshiroj të ve në dyshim drejtësinë e vendimit të organit të gjykimit, por më ngacmon vetëm argumenti i publikuar për këtë rast: "Përgjimi nuk mund të shërbejë si provë", Po qe se është kështu, atëherë përse organizohet dhe kryhet ky veprim?! Përse harxhohen burime njerëzore si dhe konsumohen aparatura për muaj të tërë?! Mandej, përse ngrihen akuza mbështetur në këto të dhëna, të cilat nuk mund të shërbejnë si provë, etj., etj. Me vendimin e mësipërm, ajo që nuk lë shije të mirë për çdo lexues apo dëgjues është fakti që, i Saposhpalluri jo fajtor, në formë kërcënimi shprehet se, tashmë s'i mbetet gjë tjetër veçse të kërkojë e të zbulojë se kush e përgjoi. Por, kështu si po rrjedhin ngjarjet, ka të ngjarë që ata që i dhanë pafajësinë, ndoshta mund ta informojnë edhe se nga kush u përgjua. Me këtë hap, nëse do të ndërmerret, edhe i "Sapolari" nga akuzat, nuk ka pse të konsumojë energji mendore dhe fizike për të zbuluar apo evidentuar se kush e përgjoi.