E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Vetëvendosja" dyshon në organet e drejtësisë

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka hedhur poshtë kallëzimin penal të Qendrës së lëvizjes "Vetëvendosje" të ushtruar ndaj kryesuesit të KK-së së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, lidhur me pretendimet për shpërdorimin e detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare gjatë nxjerrjes së vendimit të Planit Rregullues "Qendra e re - 2".

Në njoftimin e organit të ndjekjes, të lëshuar në fillim të këtij muaji bëhet e ditur se padia e "Vetëvendosjes" është refuzuar pasi që për të njëjtën çështje është vendosur më parë dhe e njëjta është konsideruar si "res judicata". Aty është sqaruar se në gusht të vitit 2011, qytetari P. H. e ka ushtruar të njëjtin kallëzim penal, i cili po ashtu është hedhur poshtë, pas mbledhjes së informatave të nevojshme përmes Njësisë së Policisë së Kosovës për krime ekonomike dhe korrupsion.

Ky arsyetim është kundërshtuar nga drejtuesit e Qendrës së lëvizjes "Vetëvendosje" në Prizren, të cilët madje kanë vënë dilema mbi paanshmërinë e organeve të drejtësisë.

"Qendra e VV-së në Prizren konsideron se ky vendim është i ndikuar politikisht dhe se nuk përkon me frymën e pavarësisë që duhet ta kenë organet e drejtësisë respektivisht pushteti gjyqësor. Në këtë rast mund të vërehet haptas se ata që janë të thirrur të zbatojnë ligjin e zgjedhin rrugën më të lehtë dhe vihen në shërbim të përfaqësuesve të pushtetit politik, që në nivelin komunal janë të korruptuar", ka thënë Rexhaj.

Sipas tij, pos ndikimit politik, që vërehet haptas vendimi i Prokurorisë Themelore nuk ka as bazë të duhur juridike. Ai ka theksuar se parimi "res judicata" mund të aplikohet në çështjet për të cilat është zhvilluar një procedurë gjyqësore dhe jo për ato që janë në fazën para procedurale. Rexhaj ka bërë të ditur se krahasimi me padinë e qytetarit P.H. ndaj Kryeziut nuk është i qëndrueshëm, meqë ai ka pretenduar shpërdorimin e detyrës zyrtare, ndërkohë që VV pos pretendimeve për shpërdorimin e detyrës zyrtare ka akuzuar Kryeziun edhe për falsifikim të dokumenteve zyrtare.

"Në këtë rast vërehet se për çështjen është vendosur pjesërisht", ka deklaruar Rexhaj, i cili ka theksuar se këtë çështje do të ngrenë në instancat më të larta të Prokurorisë së Shtetit.

VV-ja në shtator të vitit të kaluar pati ushtruar kallëzimin penal kundër kryesuesit, Nijazi Kryeziu, me dyshimin e bazuar se ai në mënyrë të jashtëligjshme ka tjetërsuar vendimin e votuar nga këshilltarët e KK-së së Prizrenit në maj të vitit 2011, e cila ka paraparë që PRrU-ja të përfshijë anën e djathtë të rrugës Prizren-Zhur, derisa vendimi i publikuar nga Kryeziu e cek se PRrU-ja përfshin lokacionin "në anën e majtë të rrugës Prizren-Zhur".

VV-ja ka konsideruar se ndërrimi i lokacionit nga ana e djathtë në anën e majtë ka qenë i qëllimshëm, me dashje dhe për qëllime të përfitimeve materiale dhe të realizimit të marrëveshjeve joformale ndërpartiake në Komunën e Prizrenit dhe se në këtë mënyrë Kryeziu ka kryer veprat penale të 'shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe autorizimit' sipas nenit 339 të KPPK-së dhe 'falsifikim i dokumenteve zyrtare" sipas nenit 348 të KPPK-së.

Kryeziu nuk është përgjigjur në media ndaj këtyre akuzave. Por zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, i pati hedhur poshtë pretendimet e "Vetëvendosjes" me arsyetimin se kjo çështje tashmë është sqaruar me Prokurorinë dhe se gjithçka është valide dhe ligjore.

VV-ja në fillim të këtij muaji i pati dërguar edhe një shkresë MAPL-së përmes së cilës ka kërkuar që niveli qendror të ndikojë në KK-në e Prizrenit për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Supreme në lidhje me Planin Rregullativ Urbanistik "Qendra e Re-2". Anëtarët e kësaj lëvizjeje politike kanë vlerësuar se legjislativi lokal ka injoruar vendimin e Supremes dhe se nuk e ka zbatuar atë, ani pse aktgjykimi është shpallur gati një vit e gjysmë më parë, raporton koha.


Megjithatë, sipas tyre, KK-ja e Prizrenit nuk ka marrë asnjë iniciativë në këtë drejtim, derisa as kryesuesi i KK-së nuk ka ofruar ndonjë përgjigje për palën paditëse./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›