E Diel, 1 Nëntor 2026

"Zbulimi " i Felinit, vjen ne Tirane Lina Wertmüller

TIRANë- Regjisorja dhe skenaristja 84-vjeçare Lina Wertmüller, pritet të mbërrijë pasditen e sotme në Tiranë, në një aktivitet kulturor, i cili zhvillohet në kuadër të sezonit të eventeve "Italia dhe Shqiperia 2010 - Dy Popuj, Një Det, Një Miqësi", të promovuar nga Ambasada italiane në Tiranë.
Wertmüller është e mirënjohur si asistent-regjisorja e Frederiko Felinit në filmin e vitit 1962, "8½" (Otto e Mezzo), por edhe si regjisorja e parë femër, e cila fitoi çmimin e "Akademisë Award" në vitin 1976, për filmin "Seven Beauties" (Shtatë bukuritë).
Emri i saj përmendet gjithashtu nga Libri i Rekordeve "Guinness" dy herë radhazi për emrin e saj të lindjes, por edhe për titujt e filmave më të gjatë në historinë e kinematografisë botërore.
Në librin "Guinness" theksohet se emri i saj origjinal është Arcangela Felice Assunta Wertmüller von Elgg Español von Braueich (shkurtimisht, Lina Wertmüller), ndërsa filmi me titullin më të gjatë i përkon vitit 1979, me plot 179 karaktere "Un fatto di sangue nel comune di Siculiana fra due uomini per causa di una vedova. Si sospettano moventi politici. Amore-Morte-Shimmy. Lugano belle. Tarantelle. Tarallucci e vino".
Titulli i këtij filmi italian, njihet shkurtimisht nga IBMD (arkiva e kinematografisë botërore), por edhe nga Libri i Rekordeve “Guinness” si "Blood Feud” (Gjakmarrja) apo "Revenge" (Hakmarrja).

-Biografi-

Wertmüller ka lindur në Romë më 14 gusht 1926, nga një familje me prejardhje aristokratike zviceriane. Lina ishte fëmija rebel, një arsye më shumë që familja e saj t'a regjistronte në një shkollë katolike.
Ndërsa i ati dëshironte që ajo të vijonte studimet për juriste, Lina regjistrohet në Shkollën e Teatrit. Pas diplomimit, puna e saj e parë ishte një tur rreth Evropës, në shfaqjet me kukulla. Në dhjetë vitet e ardhshme, Lina Wertmüller do të vijonte të punonte si aktore, regjisore dhe skenariste teatrosh.
Gjatë kësaj periudhe ajo njihet me Xhankarlo Xhaninin, i cili do të bëhet edhe një ndër aktorët e saj kryesorë në filmat e saj.
Në vitin 1962 ajo njihet me Frederiko Felinin, i cili i ofron asaj vendin e asistent regjisores në filmin "Otto e Mezzo" (8 e gjysmë). Një vit më vonë, Wertmüller realizon filmin e saj të parë "The Lizards" (I Basilischi), një film që merr subjektin nga italianët e jugut (pararojë e subjekteve që e motivuan më tej në karrierën e saj regjisoriale).
Vijojnë më tej disa filma të tjerë, të cilët kritika nuk i vlerësoi, deri në vitin 1975 kur Lina realizon “Pasqualino Sette Bellezze” (Seven Beauties), duke fituar 4 çmime të “Akademisë së Filmave Award”, në kategorinë e filmave të huaj.
Wertmüller bëhet njëherazi si femra e parë, e cila u vlerësua nga “Akademia Award” për nominimin e saj në seksionin “Regjisori më i mirë” (në historinë e kinematografisë botërore renditen vetëm tre femra regjisore që kanë marrë çmim: Xhejn Kampion, Sofia Koppola dhe Kethlin Biglou).
Skenaristja dhe regjisorja Lina Wertmüller, ndonëse në moshën 84-vjeçare, vijon ende karrierën e saj (gjatë aktivitetit artistik ajo ka realizuar 23 filma), por asnjë nga filmat e saj të mëvonshëm, nuk patën impaktin si seria e filmave të realizuar me aktorin Xhankarlo Xhanini, në mesin e viteve ’70.
Wertmüller është e veja e art dizajnerit Enriko Xhob, i cili realizoi disa nga fotografitë e saj më të bukura. Xhob vdiq më 4 mars të vitit 2008.

(d.b/ATA/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›