EUObserver: Në Shqipëri ka vdekur demokracia
Në një shkrim të gjatë analitik të Dimitar Dechev, kreu i Këshillit Europian për Çështjet e Jashtme me qendër në Sofje, botuar në portalin e rëndësishëm të Brukselit, EUObserver, me titull Vdekja e ngadaltë e Shqipërisë demokratike, flitet për një krizë të rëndë në vend.
Autori e përqendron vëmendjen më së shumti tek vjedhja e zgjedhjeve. Ai thotë se shumë pak besojnë se zgjedhjet e vitit 2009 ishin të ndershme. Sipas tij, gjërat u bënë edhe më keq në zgjedhjet e vitit 2011, kur KQZ vendosi ti dhurojë fitoren kandidatit qeveritar në Tiranë. Autori paralajmëron trazira të mundshme pasi thotë se tensioni vijon të jetë i lartë.
Sipas tij, shkak për këtë gjendje është përplasja mes Berishës e Ramës. Por ai thotë se Berisha ka pjesën e luanit për këtë gjendje, pasi asnjë politikan tjetër postkomunist nuk ka pasur kaq ndikim në Shqipëri. Dechev thotë se Berisha ndërhyn kudo, në gjithçka, që nga zgjedhjet, tek çështjet hetimore të prokurorisë e deri tek ato gjëra që shkruajnë gazetat. Ai thotë se një lider i tillë është i papranueshëm në Europë. Autori shkruan se sipas Indeksit të Shteteve të Dështuara, Shqipëria për këtë vit qëndron edhe pas Bahrenit, që siç dihet, u përfshi nga trazira të dhunshme në atë që u quajt Pranvera Arabe.
Analisti bullgar thotë se tani synimi i ish-komunistit Berisha është të kontrollojë presidentin e me këtë rast edhe prokurorinë e shërbimet sekrete.
Por pse e lejojnë shqiptarët këtë de-demokratizim të vendit? Kështu pyet autori dhe përgjigjen e ka gati: Sensi i identitetit kombëtar vlen për pak njerëz të klasës së mesme, për të tjerët vlen më shumë familja e klani. Po ashtu ai thekson se shembujt që i vijnë vendit nga Italia e Greqia janë shumë pesimistë.
E meqë njerëzit nuk reagojnë, autori thotë se këtë duhet ta bëjë BE. Por ajo është shumë e zënë me problemet e saj. Po ashtu, në shkrim thuhet se disa fqinjë të fuqishëm janë të gatshëm të mbrojnë Berishën. E madje edhe SHBA është gati të mos sakrifikojë për shkak se nuk i pëlqen të paguajë çmimin e trazirave të Shqipërisë në Kosovë e më tej. Një tjetër faktor është edhe mosintegrimi i Ramës, kreut të opozitës, me liderët europianë.
Në fund të shkrimit thuhet se NATO nuk duhet të lejojë vdekjen e demokracisë në Shqipëri, por duhet të diskutojë fort për këtë çështje. Sipas tij, në diskutim duhet të hidhet anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Edhe BE duhet të ndalojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe të flasë qartë se çfarë duhet për të rinisur procesin.