E Diel, 1 Nëntor 2026

”Garda e Car Llazarit”hyn me forcë në Kosovë

PRISHTINE- Një grup prej 30 serbësh ka dhunuar pikën kufitare të Kosovës në Jarinje, duke u futur me dhunë në territorin e Kosovës. Lajmi bëhet public nga faqja on line e RTK. Grupi me serbë kanë hyrë dje rreth orës 15:00 në kufirin e Kosovës në Jarinje të Leposaviqit me dhunë, duke mos u ndalur në paralajmërimin e policisë.

Serbet kanë kërcënuar policët e Kosovës në pikën kufitare, duke vazhduar rrugën këmbë në drejtim të Leposaviqit dhe Mitrovicës. Sipas RTK, këtë grup e përbëjnë persona nga e ashtuquajtura ”Garda e Car Llazarit” dhe të grupit fashist ”Obraz”, e që dyshohet se janë të armatosur.

Policia kufitare e Kosovës ka kërkuar ndihmë nga njësitë speciale të Kosovës dhe ato të EULEX- it. Sipas RTK-së EULEX i ka dhënë dritën jeshile që individët e grupit të serbëve që kanë dhunuar kufirin e Kosovës të arrestohen. Ndërsa, nga Prishtina për në Jarinje rreth orës 16:00 janë nisur edhe njësitë speciale të EULEX-it. Po këto burime kanë njoftuar se më herët gjatë ditës së enjte, në Kosovë përmes pikëkalimit kufitar në Jarinje është futur edhe një grup tjetër serbësh, të cilët kanë treguar dokumentacionin.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›