E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arabi Saudite, Basha, garanci për njohjen e Kosovës



Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë merr garancinë e Mbretërisë së Arabisë Saudite për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Gjatë vizitës zyrtare në Mbretërinë Saudite, Bashës i është konfirmuar mbështetja e plotë për Kosovën dhe njohjen e saj si shtet. Ministri i Jashtëm Basha është pritur nga Mbreti saudit Abdullah. Kosova ishte në fokus të takimit të ministrit Basha në Organizatën e Konferencës Islamike. Ministri Basha u prit në selinë e OKI-t në Xhedah, në një takim zyrtar nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate, z. Ekmeledin Ihsanoglu. Gjatë takimit ministri Basha theksoi rëndësinë që u jep Shqipëria marrëdhënieve me këtë organizatë. Gjatë takimit u diskutua për intensifikimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me qëllim nxitjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga anëtarët e OKI-t. Po kështu, gjatë takimit u diskutua mbi ministerialin e ardhshëm të OKI-t si dhe për çështje të tjera të bashkëpunimit në gjirin e kësaj organizate. Me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtëm të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Princit Saud Al Faisal Bin Abdulaziz Al-Saud, ministri Basha zhvilloi në datat 14-15 shkurt 2009 një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Ministri Basha zhvilloi takime me zyrtarët më të lartë të Mbretërisë së Arabisë Saudite, si dhe me përfaqësues të rëndësishëm të biznesit saudit. Kurse gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Princin Saud Al Faisal Bin Abdulaziz Al-Saud, u theksua niveli shumë i mirë i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve si dhe u shpreh dëshira që këto marrëdhënie të ngrihen në nivelet më larta. Dy ministrat diskutuan gjerësisht mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat. Një vend të veçantë, gjatë takimit zuri angazhimi i palëve për të zgjeruar dhe forcuar marrëdhëniet ekonomike. Në këtë kuadër dy homologët u angazhuan për nënshkrimin e disa marrëveshjeve në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjes së investimeve si dhe për të krijuar të gjitha lehtësirat e nevojshme për rritjen e kontakteve të ndërsjella dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes biznesit shqiptar dhe atij saudit. Ministri Basha e informoi homologun saudit mbi zhvillimet rajonale duke u ndalur në një analizë të hollësishme të zhvillimeve pozitive në Kosovë dhe në Ballkan, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit të kaluar. Në këtë kuadër, ministri Basha vlerësoi si shumë të rëndësishëm rolin e Arabisë Saudite në raport me vendet arabe si dhe OKI-n. Bashkëbiseduesit shprehën gjithashtu vullnetin për të forcuar bashkëpunimin politik dypalësh si dhe në gjirin e organizatave ndërkombëtare. Në përfundim të takimit, ministri Basha e ftoi homologun e tij saudit për një vizitë në Shqipëri. Gjatë qëndrimit dyditor në Arabinë Saudite, Basha u prit në një takim të veçantë nga Kujdestari i Dy Xhamive të Shenjta, Mbreti Abdullah bin Abdulaziz Al-Saud. Gjatë këtij takimi të përzemërt ministri Basha, pasi shprehu falënderimet për ndihmën saudite për Shqipërinë dhe shqiptarët ndër vite, e siguroi Madhërinë e Tij për vullnetin e Shqipërisë për të forcuar dhe zgjeruar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›