E Shtunë, 31 Tetor 2026

shkurt kulture

Si besojnë gratë!
Forumi Shqiptar për Aleancën e Qytetërimeve dhe Fondacioni Euromesdhetar Anna Lind, organizuan dje ne ambientet e Hotel Tirana Tryezen e Rrumbullakët me titull “Gruaja dhe Feja”. Diskutimet u përqendruan në analizimin dhe interpretimin shkencor të rolit të femrës në tre doktrinat kryesore monoteiste fetare, asaj myslimane, katolike dhe ortodokse. Përfaqësuesit e tre komuniteteve fetare bënë një ekspoze të parimeve dhe praktikave të secilit besim në lidhje me evolucionin e figurës femërore, roli i saj jo vetëm brenda komuniteteve fetare, por edhe në jetën social-politike në të cilën ajo bën pjesë. Kjo Tryezë është pjesë e një debati të hapur publik për çështjet gjinore me qëllim promovimin e vlerave të femrës si vajzë, grua dhe nënë. Diskutimet e ekspertëve vijuan me pozicionin e femrës besimtare në përballje me sfidat e reja të zhvillimeve globale.
Të pranishëm në këtë Tryezë diskutimi ishin përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare, shoqata të grave besimtare, personalitete të fushës akademike, ekspertë të shoqërisë civile, studente, gazetarë, etj. Në përfundim të aktivitetit të pranishmit vizituan një ekspozitë me punime dore artistike të realizuara nga gratë e komuniteteve fetare, të organizuar në kuadër të projektit «Gruaja dhe Feja».

Budina kërkon lirinë
“Drejt lirisë”, është premiera që ka angazhuar regjisorin Robert Budina për ta vënë në skenën e teatrit e Metropolit, si produksion nga “Era Theater Productions”, me tekst dhe interpretim të Erand Sojlit. Premiera e këtij tregimi komik, që do të realizohet në datat 6, dhe 7shkurt, në orën 20.00, është në gjininë si ajo e “Stand-Up Comedy”, ose e njohur edhe me termin “One man show” ka nisur në funddhjetorin e vitit 2009 dhe më pas shfaqja ka vazhduar rrugëtimin e saj në shumë qytete të Shqipërisë, Fier, Korçë, Elbasan dhe përtej kufijve shqiptarë në Festivalin e Dramës Shqipe në Gjilan. Në këtë manifestim artistik teatror, kjo shfaqje e pakonkurrencë u nderua me Çmimin Special “Mirënjohja” nga Kryetarit i Kuvendit të Komunës së Gjilanit, z. Qemajl Mustafa, me motivacionin: “Performancë e shkëlqyer artistike, për guximin e temës që trajton, për suksesin e komunikimit me publikun dhe për një nivel të lartë interpretimi nga aktori, Erand Sojli”. Një publik i gozhduar për rreth 90 minuta, i cili sheh si në një pasqyrë gjithçka që ndodh me jetën e tij të përditshme, vështirësitë e marrjes së një vize, përballja me botën jashtë kufijve, “tundimet” e para të jetesës jashtë dhe shumë fenomene të tjera, të cilat nuk janë të panjohura për shqiptarët e lodhur nga “liria” e një vize.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›