E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur tmerret psikike ishin emocion!

Poezia si rrugë emocionale e një populli, si art i qytetarisë, si arsye e rebelimit të poetit... Poezia më e mirë është e shkruar në shekullin XX, pasi poetët kaluan tmerre psikike të jashtëzakonshme - ndërsa qytetërimi ynë ende nuk është zgjuar qysh nga koha e atëhershme... Një poet që i thotë këto, kërkon patjetër të rigjejë rrugët e humbjes së ndjesive për ta nxitur akoma arsyen pse duhet shkruar poezi.
Por nuk është ky vetëm një shteg, përdorur si burim frymëzimi, një anë më e tmerrshme e trondit krijuesin sot; sfida mes teknologjisë dhe emocionit. Mjafton kjo që një prej poetëve shqiptarë, që erdhi si bohem në Tiranë, duke lënë qytetin e tij të lindjes, Gjirokastrën - të tronditet, për t’ju kthyer një ëndrre. Poeti Gentian Çoçoli kur e shpreh këtë ka pak patetizëm brenda, ndonëse e nxit një revoltë më e brendshme pse po bëhet avokat publik i poezisë. Në treg nuk ka libra me poezi, poezia nuk lexohet, poetët janë njerëzit më të neglizhuar dhe nuk po gjejnë vende as në universitet, ku dhe institucionet shtetërore nuk marrin pozicione.
Dorëzimi; ky është fati i kulturave të vogla, ku poezia nuk ka një treg real, po fundja dhe tregjet e mëdha e kanë poezinë në krizë. Krahasimi që Çoçoli bën është më bufatorik, kur thotë se në tekstet mungesat janë fatale, ndërsa botuesit kanë fshatra turistikë. Gentian Çoçoli është vetë poet, por me një “rimorkio” nga pas, me revistën “Aleph”, kryesisht botim vetëm për poezinë dhe me të njëjtin emër, ka dhe markën e veprimtarisë botuese. Duke shfrytëzuar këtë moment letargjie poezisë, gati humbjeje në betejën e teknologjisë të emocioneve, duke kundërshtuar indiferencën institucionale për mungesë totale përkrahje dhe duke kërkuar shpresën se poezia mund të ringjallet nga lexime frymëzuese - për herë të parë hedh në treg serinë e botimeve më të mëdhenjtë e poezisë amerikane. Etër dhe baballarët e poezisë së shekullit XX, ata që eksperimentuan dhe përjetuan tmerret psikike të luftërave botërore u ndanë për disa dekada nga koha kur lëvizjet letrare shpërthenin - qysh nga ajo kohë, me të drejtë Çoçoli pohon se qytetërimi nuk është zgjuar. Ndaj gjithë panorama e mësipërme emocionale e këtij poeti shqiptar i dedikohet impenjimit të tij, për ta shpëtuar tregun nga “mungesa fatale” e poezisë.
Botimi i serisë “Poetë të mëdhenj amerikanë” është mbështetur financiarisht nga zyra e marrëdhënieve me publikun e Ambasadës Amerikane në Tiranë, përfshirë në programin për kulturën, “Books translation” – ku përmbajtja e çdo libri përfshin: “Me shënimin se opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura në këtë botim janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërish ato të Departamentit të Shtetit. Autorët janë John Ashbery, T. S. Eliot, Robert Hass, Ezra Pound dhe Wallace Stevens që vijnë në libra më vetë, si poezi e përzgjedhur.
Si botues, Çoçoli thotë se përzgjedhja, mes 30 emrave në listën e parashikuar prej tij, është bërë sipas jo vetëm sipas shijeve personale, por dhe si nivel letrar të poetëve, të cilët janë atashuar për këtë program duke pasur parasysh tekstin, biografinë dhe cilësinë estetike. Për çdo autor libri shoqërohet me hyrje biografike, shënime kritike dhe në mbyllje me ese nga autorë të njohur, poetë e kritikë të sotëm në Amerikë. Ky është një projekt në lëvizje, që do të vazhdojë sipas botuesit të “Aleph”, që deri tani si ent, ka hedhur në treg rreth 15 poetë të sotëm shqiptarë, po aq dhe poetë të huaj. “Me këtë projekt është një lloj vetëvrasje në treg, por fakti që po i botojmë, që është një projekt jofitimprurës, e kemi marrë riskun”, - thotë poeti Çoçoli, duke shtuar se ky ka qenë dhe sensibiliteti i Ambasadës Amerikën në Tiranë, pasi kultura e poezisë ka nevojë për përkrahje.
Përshtatur dhe për lexues të rinj, ku Çoçoli e shpreh në siguri, se pas leximit të kësaj serie mund të bëhen poetë, me kopertinë bojëqielli, me fontespic ngjyrë rozë shënohet poeti John Ashbery me poezitë e përzgjedhura “Puhija e bregut tej”, përkthyer nga origjinali Iris Klosi, Gentian Çoçoli dhe Parid Teferiçi.
John Ashbery njihet si një nga poetët më të mëdhenj amerikanë të shekullit XX. Ai ka fituar pothuaj çdo çmim kryesor për poezinë. Poezia e Ashbery-t sfidon lexuesit e saj duke lënë mënjanë të gjitha mburrjet mbi përpjekjet, tematikën dhe strukturën stilistikore të vargut, për t’i lënë vend një letërsie që ushtron ndikim tek kufijtë e gjuhës dhe luhatjes së ndërgjegjes.
Tek “New Criterion”, William Logan theksoi: Pak poetë e kanë manipuluar me kaq zgjuarsi, ose e thënë më thjesht, e kanë torturuar dëshirën tonë të brumosur për kuptimin. Ashbery na kujton se shumica e poetëve që na e japin kuptimin nuk e kanë idenë se për çfarë po flasim. Ndërsa eseisti i “New York Times Book Review”, Stephen Koch, e cilësonte zërin e Ashbery-t si “një pëshpërime gjumëndjellëse, e në të njëjtën kohë e pakuptueshme dhe inteligjente, me një ritëm pulsues të çuditshëm që valëzon si një dallgë ndërmjet kulmeve të qartësisë së mprehtë dhe thatësirave të ujshme të misterit dhe ankthit”. Libri me poezi më tërheqëse, më origjinal, që ka dalë në 1970. Një tjetër kritik Roger Shattuck konfirmon fenomenin që ndodh tek poezitë e Ashbery, duke komentuar në “Neë York Review of Books” se: “...syri fenomenal i Ashbery-t nuk përqendrohet dhe aq shumë tek jeta dhe veprimet e thjeshta, se sa tek veprimi i krijimit të poezisë... Kështu që çdo poezi bëhet një art poetik i vetë kushteve të veta...”
Kur nisi të shkruante në 1950, përballë poezisë së Ashbery, ku shfaqej ndikimi i fuqishëm i artit modern, fenomeni çoi në deklarata letrare nga shumë kritikë duke u shprehur ndër të tjera se në këtë kohë poezia amerikane ishte e kufizuar dhe formale ndërkohë që arti abstrakt- ekspresionist amerikan po zëvendësohet fuqishëm përgjegjësitë heroike të avant-gardës evropiane.
Mjaft produktiv, Ashbery ka botuar mbi tetëmbëdhjetë libra me poezi, duke e kujtuar krijimet më të fundit të 2007-ës, ku kritikët kanë vënë re një përzierje të elegjisë meqë poeti mendon për plakjen dhe vdekjen. John Ashbery shpeshherë në poezitë e veta i adresohet veleritjes që përjetojnë lexuesit ndërsa lexojnë. Sikundër Walt Witman, dhe T. S. Eliot, Ashbery është lartësisht i ndërgjegjshëm se si po ndihet lexuesit. Ashbery është vetë një koleksionues gjenial arti, i cilësuar, si disqe, libra, dhe objekte të zbuluara, emra aktores të dorës së dytë, tituj filmash, emra lulesh e me radhë. Ai trashëgon ëndrrën e vjetër të Wallace Stevens për “një set tërësisht të ri objektesh”, shkruan në pasthënie Dan Chiasson.
Wallace Stevens vjen me poezi të përzgjedhura “Njeriu i borës” përkthyer nga origjinali Parid Teferiçi, shoqëruar me pasthënie të Helen Vendler “Akull, zjarr dhe vetmi”, shkrim i botuar para disa kohësh në New York Review of Books me rastin e botimit të veprës së plotë të Wallace Stevens, nga “Biblioteka e Amerikës”, një seri e famshme botimesh të autorëve më të mëdhenj amerikanë të gjithë kohërave.
Ka një histori botimesh jo të pëlqyeshme Stevens duke e “detyruar” Helen Vendler, që të rendisë kronologjinë e saktë çfarë ka ndodhur me librat e këtij autori deri sa ai vdiq. Në të kaluarën, thotë Vendler kushdo që përpiqej të lexonte Stevens-in e plotë duhej t’i kthehej gjithë veprave dhe të zbulonte në revista të ndryshme copëza dhe pjesët e tjera të prozës dhe letrave të pambledhura, të cilat vazhdonin të botoheshin. Kështu Stevens i të ardhmes u sigura në njëmijë faqe botim, dhe Frank Kermode, njihet si kritiku i parë që shkroi me kompetencë për poetin në Angli.
Në hyrje të librit në shqip, jepet një lëndë e plotë mbi këtë poet, çfarë ndodh me botën e tij reale, imagjinatën dhe poezinë - tre elementë që cilësohen bazikë kur takohesh me poezinë e Wallace Stevens-it. Bota reale ekziston në mrekullinë dhe llahtarin e vet; por ekziston në të vërtetë për t’u përjetuar në përfytyrim. Por nga ana tjetër përfytyrimi sipas Stevens nuk mund të shpikë dy realitete: Dardhët nuk shihen/siç do donte vëzhguesi. Mendimi estetik që na njeh me këtë poet, është i sistemuar në mënyrë të plotë edhe në hyrje biografike. Për këtë poet thuhet se kërkonte “jo idetë për gjërat, por vetë gjërat”. Poezia është martesa apo fruti i imagjinatës dhe botës, që kupton aktivitetin më të lartë njerëzor. Stevens jetoi në një epokë kur religjioni tradicional nuk është më ai bartësi imediat i besimit, ku thuhet në hyrje të librit se poetit mund t’i jetë shtuar në misionin e vet dhe krijimi i një lloj religjioni për kohën. Stevens-i autori i këtyre poezive të shkruara nga një besim fondamental në shenjtërinë e artit, kur në të njëjtën kohë ishte zëvendëspresident i një kompanie sigurimesh. Stevens nisi të shkruante poezi në revistat “e vogla” letrare diku nga viti 1914. Frekuentonte grupimet letrare, ku ndonëse i bë mik me poetë që do bëheshin emra të modernizmit amerikan, na bëhet e ditur se preokupimi i vërtetë artistik i Stevens-t ishte ndërveprimi i brendshëm mes vëzhguesit dhe të vëzhguarit, ku tregonte pak interes për ngjarjet letrare. Për këtë poet lexuesit i jepet si mundësi që të shijojë dy Stevens-a, të hershmin, lirik, vetjak dhe tjetrin, të vonin, abstrakt, shtjelljes, ndërsa kritikët që shpesh ndahen kur diskutojnë cilësonte e poezive të tij, bien në një mendje se libri “Poezitë e plotë”, 1954, është ndër më të rëndësishmit të poezisë amerikane të shekullit të XX. T.S.Eliot, “Toka e shkretë - katër kuartete”, përkthyer nga origjinali Gentian Çoçoli, shoqërohet nga një pasthënie kritike e poetit polak Czeslaw Milosz, botim me të drejta të rezervuar nga Valerie Eliot, dhe Faber&Faber Ltd. Botimi në 1922 në Londër i një poeme të gjatë, fragmentare dhe të ndërlikuar të quajtur “Toka e shkretë” në revistën “e vogël” letrare “Criterion” dhe në të njëjtën kohë edhe në periodikun kulturor amerikan “The Dial” mbahet mend se u shndërrua në një ngjarje letrare. Ishte një këndvështrim i poemës kundrejt qytetërimit perëndimor, duke mbërthyer pikërisht gjendjen sociale dhe kulturore pas Luftës së Parë Botërore. Përveç kësaj, vlerësohet struktura e poemës “Toka e shkretë” sa çmohet për risi teknike aq dhe idetë se çfarë është poezia dhe si ajo vepron. Ndikimi ishte aq i madh, sa një brez i tërë e imitoi atë, të tjerë u përpoqën t’i shpëtonin, por mbijetuan duke shpikur alternativa letrare. Ky prezantim për T. S. Eliot e bën këtë botim në shqip si premisë për të kuptuar edhe nga rrjedhin arsyet e ndjesive shpërthyese, dhe pse shpesh mungon modeli i impakteve ideore. Eliot-i përfshiu në poemë disa sugjerime që i dha gruaja e tij inteligjente dhe më shije, si dhe disa prerje e shkurtime që i bëri Pound-i. Madje disa kritikë mbërritën deri aty sa ta shohin poemën si vepër me autorësi të përbashkët. Për “Tokë e shkretë”, Eliot shkruan: “këto fragmente ia përballa rrënimit tim”, duke hedhur aludimin nëse këto copëra mund të përdorën për të ndërtuar një të tashme koherente. Në pasthënie poeti i madh polak i shekullit të XX, Czeslaw Milosz e sheh Eliot, si “model i bohemit” i dhënë mbas punërash të pakuptueshme për njerëzit e thjeshtë. Milosz merret me zbërthimin e konceptit të poezisë së Eliot, e shfaqur e njëjtë dhe në poetë më të vjetër, - ku problemi qendror ishte arti si akt gjenerues i vlerës apo e njëjta gjë, gjenerues i Perëndisë, pra zëvendësues i fesë. Kjo thotë Milosz ka përcaktuar marrëdhënien e Eliotit me gjithë veprën e tij.
Eliot vështrohet si poet që ka krijuar një peizazh të tijin; zymtësi, absurditet, kotësi, gjirize me erë të keqe, shishe të thyera, tubacione të bllokuara, rrugë londineze me kalimtarë që ngjajnë më tepër si hije të vdekurish se të gjallë. Pas kësaj Milosz thotë se zbuloi në poezitë e Eliotit një frymë që nuk e kish hasur më parë që e përcakton si frymë e vetmisë së njeriut përballë gjërave. Eliot, si pionier i modernizmit të poezisë, i jepet më 1948 çmimi “Nobel” dhe Medalja e Artë e Mbretëreshës së Britanisë së Madhe.
Robert Hass, me poezitë e zgjedhura “E ardhme ngjyrë jargavani”, përkthyer nga origjinal Rudi Erebara, me të drejta të rezervuara “The Eco Press&Robert Hass”. “Një mendje në shtatë vende”, është eseja e Charles Simic, që shkruan poeti tjetër i njohur në botën anglishtfolëse posaçërisht për Robert Hass, që shoqëron përkthimin në shqip. Robert Hass i njohur, dhe me sukses si përkthyes dhe kritik, vihet në krye si poet, për të cilin Forrest Gander deklaron në esenë e tij tek “Fjalori i biografisë letrare” se “shkak është poetika e brendshme muzikore, përshkruese dhe medituese, e cila e bëri të njohur Hass-in si poet”. Në hyrjen biografike, në shqip për këtë poet, mësojmë se kritika e vlerëson poezinë e Hass-it për kthjelltësinë e shprehjes, vetëdijen dhe përfytyrimin, shpesh të marrë nga jeta e përditshme. Ndërsa vetë Hass në një intervistë në “Chicago Review” thotë se “poezia është një mënyrë të jetuari... një veprimtari njerëzore si të pjekësh bukë apo të luash basketboll”.
Çështjet që kritika ka nënkuptuar nga poezitë e Hass janë sfiduese për botën njerëzore, arsyen e tij: nëse mund të ndodhë që akti i emërtimit të botës, të na ndajë ne nga vetë bota? Si është e mundur të durojmë pikëllimin, të pranojmë vdekjen edhe sa mund të mbaje ende shpirti? Librat e Hass e japin përgjigjen, ashtu dhe pranon sugjerimet e shumë kritikëve se ky poet, “është gjë e zgjuar dhe mjeshtërore” duke i dhënë një vend solid në fundin e viteve ’70-të. Librat e botuar të këtij poeti janë diskutuar mjaft në media nëse Hass ka dhënë gjithë ç’është, një nga këto është “Dielli nën dru”. Që nga ’95 deri në ’97, Hass iu shmang poezisë personale duke iu kushtuar poetit kombëtar, ku thuhet se kjo erdhi shërbim si poet laureat i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe këshilltar për poezinë në Bibliotekën e Kongresit.
Poezisë ceremoniale, brenda vetë poetit iu kundërvu duke u shndërruar në një avokat publik i poetëve dhe veprës së tyre.
Ezra Pound njihet me lexuesin shqiptar me poezitë e zgjedhura “Poezi&Kanto të zgjedhura”, përkthyer nga origjinali Edion Petriti, me të drejta të rezervuara nga “The Estate of Ezra Pound”. Kritikët gjithnjë kanë pasur tendencën që ta ndajnë jetën poezinë nga jeta e tij, duke ia ardhur kështu në mbrojtje për ta shijuar poezinë e tij.
Por Pound e hidhte poshtë këtë që idetë e tij nuk ndaheshin nga vepra dhe jeta. Konvencionet e këtij poeti ishin krejtësisht të qarta, duke iu kushtuar tërësisht artit për art, pa e çarë kokën për koncesionet shoqërore; gjë që e skandalizonte së tepërmi të respektuarën shtresë të mesme, për të cilin qëllimi i artit ishte i një karakteri moral. Në 1908 Pound iu krijua bindja se në atdheun e tij nuk kishte më vend, dhe niset për Evropë. Në Londër bëhet qendra e botës letrare, e atyre lëvizjeve që kishin qëllim modernizmin e poezisë. Pound projektohet nga studiuesit si një poet që punonte më shumë nga një esencë e thellë intuite dhe leximesh të tepërta sesa nga rregullat. Për Pound-in nota kaluese e çdo qytetërimi ish gjithmonë maja në të cilën e shpinte artin. Bashkë me Eliotin vlerësohet si shtyllat e modernizmit në poezinë moderne. Një nga tipizimet më përshtatëse se kush është Pound shkruhet në pasthënie se: “ajo që donte të bënte Pound-i në gjithë veprën lirike- gjë të cilën e arriti në mënyrë revolucionare- ishte diçka shumë herë më komplekse se “spërdredhja e qafës së gjuhës sonë aulike”, për ta thënë siç e tha Montale; domethënë të shkatërroheshin sipas shembullit të Wordsorth-it dhe Byron-it, ama me forcë dhe përkushtim akoma më të madh, pengesat mes gjuhës së poezisë dhe asaj të prozës...”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›