E Shtunë, 31 Tetor 2026

Është Ujku, është Ujku

TELEFONI NUK PO më pushtonte si asnjëherë tjetër. Përveç se të mrekulluar me intervistën, shumica e njerëzve ishin të brengosur. “Atij nuk i besohet, a je kthyer në Kosovë?”, pyesnin. Vuk Drashkoviq, për shumicën e popullatës së Kosovës shihej si një çetnik dhe antishqiptar i përbetuar, “edhe më i poshtër se Milosheviqi”. Intervista që kisha zhvilluar në Beograd i kishte ngjarë më tepër një ballafaqimi të ashpër kundërargumentesh shqiptaro-serbe lidhur me Kosovën, se sa një bisede televizive. I njëjtë kishte qenë edhe rrezatimi i shikuesve, të cilët e kishin parë atë me ndjenjën e tifozllëkut në një ndeshje pingpongu Kosovë-Serbi. Dhe, në këtë fushëlojë me shumë rreziqe, më thanë se kisha dalë ngadhënjimtar, duke e bërë atë një ndër intervistat më të rëndësishme të karrierës. Mirëpo, kjo intervistë nuk ishte e rëndësishme për shkak se një gazetar që fliste shqip në mes të Beogradit po ia hidhte poshtë argumentet një nacionalisti serb, por edhe për shkak të asaj që ky i fundit kishte thënë aty. Vuku (në shqipe: Ujk), për herë të parë, po elaboronte idenë e tij për atë që e quante “pavarësi e brendshme” e Kosovës, ku, siç më thoshte, Kosova do të ishte krejtësisht e pavarur, me kushtin që vetëm “kufijtë e jashtëm të Serbisë” nuk do të mund të ndryshoheshin. Kjo ide e tij, e thënë në kohën kur ishte ministër i Jashtëm i Serbisë, më 2006, ishte disa hapa më përpara nga e gjithë oferta e elitës politike të Beogradit për Kosovën.

KëTO DITë, Në NJë intervistë tjetër, Vuku sërish del para të tjerëve, me idenë e heqjes së Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë dhe pranimin e realitetit. Dikush në Serbi edhe u nxitua ta quajë tradhtar. Mirëpo, është krejt e kundërta: Vuku edhe një herë ia doli të tregojë se është një nacionalist i përbetuar serb.
Nacionalizmi i tij u pa edhe në kohën e ngritjes së Milosheviqit, në fundvitet ’80 e fillimvitet ’90, kishte dalë si alternativë ndryshe. Edhe atëherë shkonte disa hapa përpara. Teksa Milosheviq synonte serbizimin e Kosovës hap pas hapi, Vuku fliste për dëbimin e shqiptarëve në Shqipëri.
Disa vite më vonë, dhe pas shumë muaj demonstrimesh për vjedhjen e zgjedhjeve lokale, sërish do të dorëzohej përballë Milosheviqit dhe muaj më vonë do të pranonte të hynte në qeveri me të, me qëllimin kryesor nacionalist serb – ruajtjen e Kosovës.
U largua nga koalicioni kur e pa se Milosheviqi kishte vendosur të hyjë në luftë me NATO-n, sërish për shkak të nacionalizmit të tij.

SIDOQOFTë, SOT, VUKU duket se e ka vërejtur nevojën për ridefinimin e nacionalizimit serb. Ai e ka kuptuar se duke ngulur këmbë për ruajtjen e Kosovës, që Serbia e ka humbur që më 1999, dhe duke u prishur me shtetet më të fuqishme botërore, lidhur me diçka që tashmë ka shkuar në pakthim, nënkuptohet pikërisht një paketë e shumëfishtë humbjesh për serbët. Vuku, tashmë, e ka të qartë se në interesin nacional të vetë serbëve është pajtimi me humbjen e Kosovës dhe përqendrimi në avancimin e Serbisë drejt integrimeve euro-atlantike dhe zhvillimit ekonomik. Sa më parë, aq më mirë. Dhe, si duket, këtë nuk po e bën krye në vete.
Pas shokut total që qeveria në Beograd e mori pas përgjigjes së papritur për ta nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, këto ditë, megjithatë, vërehen lëvizje.
Koshientë për shuplakën e marrë fytyrës - megjithëse duke shtrënguar dhëmbët në shenjë mosdorëzimi – Serbia bëri hapin e parë duke e hequr fjalën “status” në rezolutën e propozuar për miratim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për vazhdimin e negociatave me Prishtinën. Duke vërejtur kundërshtitë e shteteve perëndimore lidhur me këtë hap, mund të vihet bast se Serbia është e gatshme ta zbusë krejtësisht tekstin e kësaj projekt-rezolute, me qëllimin minimalist – arsyetimin formal para popullit serb se u mbështet një rezolutë serbe në OKB dhe shitjen e saj si një fitore. Me këtë nuk do të llogaritet fare në kthimin e ndikimit të Beogradit në Kosovë në ndonjë farë forme, përveç krijimit të iluzionit se çështja e Kosovës nuk është një proces i kryer.
Këtë e paralajmëroi në fillim të kësaj jave Ujku tjetër, ministri i Jashtëm serb, Jeremiq, i cili e pranoi se kalimi i tekstit të tashëm të rezolutës ngjan në një “mision të pamundur”.
Kjo deklaratë erdhi në sinkroni edhe me intervistën e përmendur të Vukut të vjetër, i cili e tha hapur se idenë e heqjes së Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë e ka biseduar edhe me të parin e shtetit, Boris Tadiq. Duke e ditur se Partia e Ripërtërirjes Serbe e Vukut është në koalicion me Partinë Demokratike të Tadiqit dhe duke mos parë ndonjë distancim nga qëndrimet e caktuara të partnerëve të koalicionit, e tëra ngjan në një matje pulsi.
Plus, në anën tjetër, çedomir Jovanoviq i Partisë Liberale Serbe në opozitë, tashmë ka ndërmarrë hapa konkretë. Ai u ka prezantuar partive parlamentare serbe tekstin e një rezolute të re, që do të duhej të harmonizohej edhe me SHBA-në dhe BE-në, të titulluar “Për Serbinë dhe Kosovën – partneritet dhe përgjegjësi për siguri, stabilitet dhe zhvillim”, me të cilën parasheh njohjen e pavarësisë “e cila do të ishte e pranueshme edhe për serbët e Kosovës”. Ndërkohë, ky propozim i Jovanoviqit liberal, nuk ka hasur në reagime armiqësore as nga partitë e tjera serbe, siç ka ndodhur deri më tash. Ai, madje, tërthorazi është përkrahur edhe nga Aleksandar Vuçiq i Partisë Përparimtare Serbe në opozitë (e dalë nga Partia Radikale Serbe e Sheshelit), i cili ka thënë se duhet ndryshuar politika serbe ndaj Kosovës, por përveç Perëndimit në “gjetjen e zgjidhjes” do të duhej të përfshiheshin edhe shtetet si Rusia e Kina.

SIDO Që Të JETë, me pozitën e tij shoqërore dhe të qenit në koalicionin në pushtet në Serbi, qëndrimet e Vukut paraqesin peshën më të madhe në paralajmërimin e ridefinimit të politikës serbe ndaj Kosovës. Ujku qimen e ndërron, por vesin nuk e harron. Dhe e njëjta po ndodh me Ujkun Drashkoviq. A është Vuku i viteve ’90 ndryshe nga Vuku i 2010-s? Gjithsesi - jo. Ai hapin sigurisht se nuk e ka hedhur për të mirë të shqiptarëve të Kosovës, por për të vazhduar mbrojtjen e interesit nacional të Serbisë. E bukura e kësaj pune është se – sado vonë – dikush në pushtet në Beograd po e kupton se jo gjithmonë ajo që është në të mirë të qytetarëve të Kosovës, nuk është edhe në të mirë të qytetarëve të Serbisë. Dhe Vuku, me këtë hap, më parë se tradhtar serb, meriton të quhet nacionalisti më i madh serb.
E për pozicionimin e liderëve të Prishtinës në këtë konstelacion – mbase, një herë tjetër.

adriatik@kohavision.net 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›