E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaken rrugët, tri aksidente me 6 të plagosur dhe 1 i vdekur

Përgjaket fundjava, shënohen një numër i madh aksidentesh, në të cilat janë të përfshirë në shumicën e rasteve emigrantët. Ashtu si dhe një ditë më parë, dita e djeshme ka nisur me dy aksidente, bilanci i të cilave për fat të mirë nuk shënonte asnjë viktimë, por vetëm 6 të plagosur, të cilët aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Aksidenti i parë është shënuar mëngjesin e djeshëm në aksin rrugor Krujë-Tiranë, konkretisht në vendin e quajtur Borizanë të Krujës. Sipas burimeve zyrtare policore, në afërsi të fshatit Borizanë në Krujë, kamioni me targa TR 5801I është përplasur me një makinë tip Wolksvagen me targa gjermane dhe për pasojë janë plagosur rëndë 3 personat që udhëtonin në makinën e vogël. Mësohet se tre të plagosurit janë emigrantë që ktheheshin nga Gjermania për të kaluar pushimet pranë familjeve të tyre në vendin tonë. Ndërkohë që aksidenti tjetër ka ndodhur në autostradën e Laçit dhe përsëri të plagosurit janë emigrantë. Referuar të dhënave të policisë rrugore, një makinë tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në një kanal me ujë. Për pasojë, tre emigrantët që udhëtonin kanë rrezikuar jetën duke u mbytur. Ata janë nxjerrë me vështirësi nga makina dhe aktualisht janë në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë për jetën. Ndërkohë që dita vijoi dje me një tjetër aksident të rëndë, por kësaj radhe për fat të keq me një të vdekur. Një 50-vjeçar nga rrethi i Korçës gjeti vdekjen dje, pasi automjeti me të cilin ai udhëtonte përfundoi në një kanal, për shkaqe ende të panjohura. Aksidenti ndodhi rreth orës 14:50 të ditës së djeshme, në afërsi të fshatit Sheqeras të rrethit të Korçës. Sipas burimeve zyrtare policore, Fatmir Pelinxhi, rreth 50 vjeç, nga fshati Podgorie, gjeti vdekjen e menjëhershme kur automjeti që drejtonte u përmbys në një kanal, në vendin e quajtur Kthesa e Rëmbecit. Të njëjtat burime shtuan se nga ana e tyre po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.

Aksidentet

Statistikat e policisë kanë dhënë alarmin për numrin e madh të aksidenteve gjatë këtyre kohëve dhe sidomos gjatë javës që kaloi. Ndonëse policia rrugore ka zbarkuar në rrugë gjatë kësaj kohe, për shkak të shtimit numrit të automjeteve, si pasojë e ardhjes së emigrantëve apo dhe turistëve për pushime në vendin tonë, drejtuesit e automjeteve vazhdojnë të ecin me shpejtësi tej normave të lejuara në rrugë. Madje, në pjesën më të madhe të rasteve, duke braktisur në rrugë viktimat që kanë shkaktuar si pasojë e shpejtësisë së madhe me të cilën ecin. Me qëllim parandalimin e aksidenteve, nga ana e strukturave të Policisë Rrugore janë marrë të gjitha masat, e megjithatë, mëngjeset po hapen me aksidente dhe darkat po mbyllen në të njëjtën mënyrë. Puna e organeve të policisë është konsideruar tejet e vështirë për shkak se mungojnë forcat rrugore të nevojshme për përballimin e këtij fluksi makinash që kanë hyrë në vend. Për filtrimin e të gjitha automjeteve, policia rrugore e kryeqytetit disponon rreth 18 radarë, nga të cilët shtatë deri në tetë prej tyre janë të gatshëm në çdo moment në akset kryesore të rrugëve për të parandaluar lëvizjet me shpejtësi, si dhe për të normalizuar gjendjen e trafikut. Problem tjetër shqetësues që sjell bllokim të trafikut janë dhe semaforët, të cilët jo në pak raste gjenden pa sinjal dhe të fikur. Por ky fluks i madh i targave të huaja, si dhe automjeteve në rritje, është mbajtur nën kontroll nga uniformat blu të Policisë Rrugore, të cilat së shpejti do të pajisen me mjete të reja për përballimin e trafikut rrugor në Tiranë, nga ku dhe 2/3 e makinave në shkallë vendi hyjnë në akset kryesore të kryeqytetit. Por, më e vështirë është për t’u kontrolluar situata në autostrada, pasi vetë drejtuesit e automjeteve, me ndërgjegje të plotë, shtojnë shpejtësinë sapo kalojnë radarët apo uniformat e policisë. Kjo ka sjellë shpesh përplasje apo dhe humbje kontrolli dhe për pasojë, dalje nga rruga dhe dëmtime apo dhe shpesh vdekje personash.

Detaje

3 aksidente janë shënuar mëngjesin e djeshëm në Laç, Krujë e Korçë

7 janë personat e aksidentuar, një prej të cilëve ka mbetur i vdekur

18 radarë disponon policia e kryeqytetit për të parandaluar lëvizjet me shpejtësi, si dhe për të normalizuar gjendjen e trafikut

7 deri në tetë prej tyre janë të gatshëm në çdo moment në akset kryesore të rrugëve

2/3 e makinave në shkallë vendi hyjnë në akset kryesore të kryeqytetit

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›