Spartak-iada Edviniane
Bleva 15 mijë lekë antologjinë e opinioneve të gazetarit televiziv, Blendi Fevziu. është e udhësh të shkruhet se ia vlente të shpenzoheshi kaq të holla për t’u miqësuar dhe armiqësuar me një galeri personazhesh të ndryshme, eklektike, poliedrike, maniakale, penale, sensacionale dhe me peshë në analet e ngjarjeve shqiptare. Natyrisht në këtë mozaik, ne, si lexues të “Jeta ime...intervistë me Blendi Fevziun”, takojmë edhe liderin e tanishëm të Partisë Socialiste Edi Rama, i cili ka dhënë këtë intervistë në dhjetor të vitit 2004, atëherë vetëm kryetar bashkie pasi Kryetar i Partisë Socialiste do të vinte pas zgjedhjeve parlamentare te 2005-s. Në këtë intervistë, Ai shfaqet një personazh estrovers në të gjitha kuptimet. Mirëpo sa për detaje, gjëja e parë që hasim në këtë intervistë televizive janë pyetjet konçize të gazetarit dhe përgjigje e gjata, të lodhshme, prolikse dhe digresive të politikanit Rama. Midis të tjerave për t’u lidhur edhe titullin “Spartakiada edvinane”, që sigurisht u kushtohet marrëdhënieve “odi et amo” të Edi Ramës dhe Spartak Ngjelës. Pyetjes së Fevziut: Fakti që jeni angazhuar në politikë, a ju ka bërë të humbisni disa nga miqtë e fillimviteve ’90, si Fatos Lubonja apo Spartak Ngjela; a ju ka dhembur kjo?, Edi Rama, i përgjigjet - kësaj radhe, sinqerisht - pa doreza hipokrizie, pra, me atë çfarë mendon realisht për Takun: “Spartak Ngjela është një figurë tjetër, ai është libertar dhe libertin, nëse do t’i bënim një karakterizim, është një person, i cili ka një elokuencë të admirueshme, por që, sa më shumë kalon koha dhe sa më shumë e njeh, aq më shumë kupton se ka një kulturë shumë të kufizuar, ka një kulturë të përmbledhur..”. Siç mund të kuptoni në këtë intervistë, Edi Rama po përkufizon Ngjelën si një demagog që flet pa menduar sepse nuk ka lexuar.
Gjithsesi për një fokusim total të asaj çfarë mendonte Edi Rama për miqësinë me Spartak Ngjelën e gjejmë në përgjigjen që i kthen pyetjes së Fevziut (faqja 161. Jeta Ime...): “...Por që ju (Ngjela) ka impresionuar, Zoti Rama...në këtë moment kryesocialisti zhbalancohet në përkufizimin e karakterit intelektual të Spartak Ngjelës. Veç të lexoni në faqen 161 kur Edi Rama përgjigjet “natyrisht, në fillim. Ka një kulturë të mbledhur, me intuitë, lart e poshtë, me libra të lënë përgjysmë dhe këtë nuk e them absolutisht për ta rënduar apo për të thënë diçka negative, por thjesht për ta karakterizuar”. Posi, për të karakterizuar si një derdimen që lexon 5 faqe dhe pastaj i duket vetja sikur ka lexuar shumë, ky është deduksioni që nxjerr një lexues analitik. Mirëpo veç të lexosh më poshtë kur Edi Rama cilëson me etiketime Ngjelën: “Spartaku është plotësisht eklektik, i papritur, i këndshëm, suprizues, qesharak, sharlatan...i cili aranzhon shumë mirë, pasi është një person, i cili nuk është as i moralshëm, as imoral, por është amoral”.
Më e bukura është se Edi Rama në dhjetor të vitin 2004 e konsideronte Spartak Ngjelën një njeri amoral, që është imoral dhe çka është me e keqja nuk ka moral. Këtë intervistë e jep një vit pasi ishte përballur me të si kundërshtar për bashkinë e Tiranës. Bile këto zgjedhje lokale u pasuan nga protesta të shumta të stafit të tij dhe të Partisë Demokratike, për parregullsi. Siç shkruante mullahu i kalemit, Mero Baze me editorialin e datës 17 korrik 2003, “Përse, Spartak Ngjela?”: “Një fushatë elektorale nga më të ndezurat në historinë e pluralizmit në Shqipëri, për shkak se vendos përballë njëri-tjetrit, një nga maniakët më të mëdhenj të blerjes së shtypit që ka njohur Shqipëria, siç është Edi Rama, dhe një nga “vjedhësit” më të mëdhenj të ekraneve që ka njohur po ashtu historia e Shqipërisë, siç është Spartak Ngjela”. Të qëndrojmë shtrembër dhe të flasim drejt, në këtë rast, si në asnjë rast tjetër, Mero Baze ka pasur të drejtë: Rama blen media dhe Ngjela “vjedh” ekrane televizive.
Sot, fronti opozitar socialist që do të hyjnizohet rrugëve më 30 prill, ashtu siç u derdh pa u mbushur më 20 nëntor, i sheh këto dy persona në të njëjtën llogore. Ky ribashkim 20 vjet më vonë, në një llogore politike aktive mungon vetëm Ardian Klosi, për të ribërë realitet ëndrrën e partisë Kristian-Islamike (KIS).
Sidoqoftë Rama, paçka se nuk është koherent, ka një përshtypje tjetër për renegatin e ideve të tij Spartak Ngjela, pasi të gjithë e shohin në çdo ekskursion proteste apo siç ndodhi në mini-mitingun e Korçës ku u hodhën parulla për revolucion në protestën e 30 prilli.