E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, ose të marrësh atë që vetë e ke kërkuar

Përshëndetje! Lidhur me grevën e urisë së deputetëve desha të them që pyetja thelbësore që ngrenë sot të majtët dhe mbështetësit e partive të majta është: A e meriton LSI vendin si parti e opozitës në komisione zgjedhore?

Shumë njerëz që janë jashtë konjukturave partiake mund të thonë menjëherë: Po. Unë them Jo. Them kështu, jo duke patur parasysh përqindjet e partive të vogla, por duke patur parasysh sjelljen e Metës dhe LSI-së në këto muajt e fundit.

I kanë shkaktuar dëme të pallogaritshme të majtës dhe lidershipit të saj. Janë sjellë me kryeneçësi dhe arrogancë të pashoqe. Shpërdoruan pushtetin që PS ua dha me zemërgjerësi, pas zgjedhjeve të fundit vendore. Nuk lanë ditë të perëndisë pa sulmuar Edi Ramën dhe PS-në. U bënë bashkë me Berishën nëpër këshilla bashkiakë, për të nxjerrë në minorancë PS-në.

A ju duket kjo si një sjellje prej partie të majtë? Nëse ata do ishin parti që e duan të majtën dhe të majtët, ata do bënin atë që kërkon zemra e gjithë të majtëve sot në Shqipëri: Bashkëpunim me PS-në për të fituar zgjedhjet e 2009 dhe për të larguar nga pushteti një klan pazarxhinjsh e karagjozësh provincialë, që sillen me pushtetin makutërisht, e që nuk dinë të mbrojnë veten e tyre as kur kanë të drejtë.

Por në vend ët këtij bashkëpunimi jetik për të majtën Meta dhe partia që ai drejton, me egoizëm të pashoq, gjatë gjithë këtyre muajve të fundit, bënë të kundërtën e asaj që të majtët prisnin.

Sepse atyre u intereson vetëm egoja e vet politike dhe jo e majta.

E nëse nuk janë sjellë si parti e majtë, atëherë çfarë duan? Pse e duan vendin e partisë së dytë të majtë, kur nuk janë sjellë si të tillë?

Morën atë që merituan. Dhe nuk mund ta zhbëjnë as me inat adoleshentësh, as me greva urie, atë që bënë gjatë gjithë këtyre muajve. Dhe kisha edhe një thirrje për atë gazetën e Metës, “Panoramën”, apo për televizionet e atyre që drejtohen nga ata budallenjtë që e kanë ngrënë për djathë, sapunin që po shpërndahet me shumicë këto kohë në Tiranë: “Bëhuni me mua, se do t’ju bëj deputetë në 2009”. (unë kam një listë me 230 persona që thonë të gjithë që janë në 15 të parët e listës së LSI-së për deputetë). Nejse, lutja është kjo: Boll me ato patetizmat që keni kaq ditë që ngopni miletin se po vdesin ata burrat në Kuvend për liri dhe demokraci.

Nuk ka për të vdekur njeri, or jo. Aq më pak ata që kanë miliona euro në banka dhe një jetë që mund ta shijojnë me ato para.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›