E Premte, 6 Nëntor 2026

30 vjet më parë, Shqipëria nën gërmadhat e piramidave financiare që lulëzuan me mbështetjen e Sali Berishës

Më 6 nëntor të vitit 1996 u shemb e para piramidë financiare “Sudja”, me rreth 13 mijë kreditorë, ndërsa më 4 shkurt 1997 u shua e fundit prej tyre, Gjallica në Vlorë me  81 mijë kreditorë. Ato kishin filluar të gëlonin para vitit 1996, por atë vit u shfaqën me agresivitet të skajshëm, duke përshpejtuar shembjen e  pashmangshme.

Historia tragjike e fund – shekullit të kaluar, e shoqëruar me mbi 3000 viktima në njerëz, mijëra të plagosur, 1,3 miliardë USD humbje financiare dhe mbi 500 mijë armë zjarri të nxjerra  dhunshëm nga depot e ushtrisë, kishte arsyet e veta politike,  ekonomike, psikologjike, të brendshme e të jashtme. Padituria e shqiptarëve të sapodalë nga sistemi komunist në fushën “me mina” të ekonomisë së tregut, u bashkua me përdorimin e saj për qëllime politike të ditës, duke çuar në krizën më të rëndë që nga krijimi i shtetit shqiptar më 1912.

Shkelje në rrugë të panjohur

Kapitalizmi i ri shqiptar nisi të hidhte hapat e para pas vitit 1990 mbi baza empirizmi të theksuar. Shqiptarët duhet “të çanin detin me këmbë” pa patur as ide të qarta dhe as kapitale financiare, pa njohuri për bisnesin dhe pa mbështjetjen e duhur institucionale. Ata nuk dinin thuajse asgjë nga “grackat” e ekonomisë së tregut.

Shumë prej tyre iu drejtuan mbledhjes së kursimeve të pakta të qytetarëve dhe investimin e tyre në bisnese, duke u kthyer kreditorëve mbrapsht interesa të larta fitimi. Me mijëra bisnese të vogla dhe të mesme u mbështetën në financimin informal prej  huamarrjes nga publiku. Mungonin kreditë dhe kontrollet bankare, burimet e tjera të ligjshme të financimit për bisnesin, strukturat shtetrore të kontrollit  etj.

Në mënyrë të frikshme u shfaqën veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit 1996, pas zgjedhjeve të manipuluara parlamentare të atij viti. Por veprimtaritë e dyshimta financiare të grumbullimit të parave të qytetarëve ishin të njohura  që në vitin 1991, me bisnesmenn Hajdin Sejdia dhe gropën e tij të famshme prapa Pallatit të Kulturës. Më 1993 filloi aktivitetin firma piramidale me emrin e pronares së saj, ish -  punëtoren e fabrikës së këpucëve  Sudja (Maksude Kadëna).

Ishin marrëdhënie jo të rregullta financiare midis njerëzve që pretendonin se merreshin me bisnes të ligjshëm, nga njera anë, dhe qytetarëve që kishin diçka mënjanë nga kursimet e jetës së tyre, të siguruara në rrugë të ndryshme brenda apo jashtë vendit, të pamësuar me ekonominë kapitaliste. Dalëngadalë kjo dukuri huamarrjeje u kthye në epidemi për shumë arsye. Të shesësh shtëpinë, dyqanin, tokën, traktorin  apo çdo prone tjetër e t’i futësh paratë në firmën piramidale se“kështu të del më mirë”, kjo u kthye në epidemi për shumë qytetarë. Prej këtyre marrëzive “humbën kursimet rreth 1.8 milionë shqiptarë dhe përmasat e skemave piramidale arritën deri në 50 për qind e GDP-së.” (A. Malaj, “Panorama”, 11 maj 2021)

Përvoja botërore me piramidat financiare

Historia botërore në këtë drejtim është e hidhur. Ato nuk janë “shpikje shqiptare”, por e vendeve me ekonomi dhe përvojë të zhvilluar kapitaliste. Në SHBA egzistonte deri vonë një skemë e tillë, e njohur si “Skema Madoff” nga emri i drejtorit të saj, që kishte grumbulluar rreth 40 miliardë USD prej klientëve të mashtruar nga e gjithë bota dhe që u shkri një ditë si bora në ujë. Çështa ishte se kjo përvojë e hidhur nuk njihej nga “bijtë e shqipes” në mesin e viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar.

Pronarët e firmave piramidale e kishin praktikë të punës së tyre publicitetin e shfrenuar në shtypin e kohës dhe lidhjen me njerëz dhe struktura të pushtetit e të fushave të tjera të rëndësishme shoqërore, si pjesë e “marketinngut” të aktivitetit të tyre për të tërhequr publikun. Fakti që kompania e Madoff në SHBA gjalloi me anë të mashtrimit deri në vitin 2009, tregon se ato janë rrezik potencial edhe sot.

Firmat piramidale “alla shqiptare”

Kompanitë piramidale në vitin 1996 morën leje aktiviteti në gjykatë dhe u shfaqën publikisht në numër shqetësues. Më 19 janar 1996 Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Kristaq Luniku u shkruante institucioneve të larta të shtetit, Presidentit, kryeministrit etj  për dukurinë e paligjshme dhe kërkonte mbylljen e tyre. Ishin 26 të tilla në vend në vitin 1996. Kjo ndodhi veçanërisht para dhe pas zgjedhjeve parlamentare të majit të atij viti, gjë që tregonte se politika zyrtare ishte e lidhur ngushtë me to, për të mbuluar manipulimin e zgjedhjeve. 

Se sa informale ishin ato, kuptohet nga fakti që “Sudja”, me aktivitet që nga vitit 1993 dhe e regjistruar në gjykatë në vitin 1996, me rreth trembëdhjetë mijë kreditorë, nuk kishte fare llogari në bankë dhe paratë e qytetarëve i mbante në “qymezin” e shtëpisë së vet në pallat. Kompania “VEFA hollding”, me pronar ish - kapterin Vehbi Alimuça, me shtrirje aktiviteti në të gjithë vendin, me 59 mijë kreditorë, ishte krijuar në 29 mars të vitit 1994 si firmë bisnesi. Fondacioni “Demokracia Popullore-Xhaferri” u krijua në vitin 1995 dhe filloi të shtrinte veprimtarinë e tij kryesisht në fshatrat e Lushnjes, Fierit dhe Beratit pikërisht në vitin 1996.  Fondacioni “Populli”  u krijua më 30 mars të po atij viti “pjellor” në fushën e piramidave financiare. Historia e lindjes dhe e “lulëzimit” të tyre tregon se periudhat zgjedhore, siç ishte viti 1996 me dy palë zgjedhje, parlamentare dhe lokale, ishin koha “e artë” e piramidave financiare.    

Kanë egzituar dy lloje të firmave piramidale financiare në Shqipëri: ato që kishin në bazën e tyre një lloj aktiviteti bisnesi, sado minimal dhe prandaj ishin më joshëse për klientët, si dhe forma tjetër, ajo e “fondacioneve” që nuk kishin asnjë lloj kapitali konkret, por qarkullonin vetëm paratë e klientëve të tyre. Ndër të parat bënin pjesë “Vefa”, “Gjallica”, “Kamberi”, “Cenaj” etj, ndërsa të dytat ishin Sudja, Xhaferi, Populli etj. Thelbi i aktivitetit të këtyre ishte mbledhja e parave nga investitorët për të shlyer detyrimet e investitorëve të mëparshëm deri në falimentim.   

Aktiviteti i kompanive piramidale ishte i mbuluar nga terri informativ për publikun. Përmasat e vërteta të kësaj drame u mësuan vetëm kur u bë transparenca e tyre nga kompania e huaj “Deloite and touch”e caktuar nge qeveria shqiptare  pas vitit 1997. Ato kishin hedhur në duar një shumë të përgjithshme prej rreth 1,3 miliardë USD kursime të qytetarëve dhe kishin deri në 81 mijë kreditorë vetëm njera prej tyre, “Gjallica”.

Pse u lejuan nga autoritetet?                                                                  

Përvoja në administrimin, kontrollin, verifikimin, ndalimin etj, të këtyre fenomeneve nuk egzistonte. Vendi sapo kishte hyrë  në rrugën e ekonomise së tregut. Legjislacioni për parandalimin e tyre ishte jo i plotë ose nuk egzistonte fare. Shteti e kishte informacionin për gjendjen (siç pretendonte), dhe mund të miratonte legjislacion të ri sipas nevojave, por ai zgjodhi të bënte për një kohë të gjatë “sehirxhiun e paanshëm”  në këtë aventurë financiare. Kjo lidhej me ngjarjet e rëndësishme politike të vitit 1996, zgjedhjet.   

Në Shqipëri nuk egzistonte sistemi bankar privat, i cili ka rregulla strikte në administrimin e parasë dhe nuk lejon të kryhen veprime “me urdhër nga lart”, siç ndodh me bankat shtetrore. Shteti shqiptar mendonte se me këto probleme të mprehta do të merrej sapo të mbaronin zgjedhjet dhe të sigurohej mandati i ri i pushtetit, por situata i doli jashtë kontrollit. Në prag të katastrofës, për të shpëtuar veten nga përgjëgjësia, ai u përpoq të paraqitej “duarjashtë” nga historia e piramidave, duke i paraqitur ato si  “çështje personale” të individëve dhe prandaj ai, shteti, nuk kishte përgjegjësi për to. Por kjo nuk funksionoi. Qytetarët bënë përgjegjës shtetin dhe prandaj u ngritën në protesta masive.

Puna me zgjedhjet nuk i kishte shkuar mirë Partisë Demokratike në pushtet. Ajo kishte humbur ballafaqimin për qeverisjen vendore me 1992. Dy vjet më pas, më 1994, kishin patur një tjetër humbje turpëruese në referendumin kombëtar për kushtetutën. Në lojë ishte pra edhe mandati i ri i Presidentit të Republikës Berisha.

Në zgjedhjet e reja të zhvilluara në të gjitha vendet ish-komuniste kishin ardhur në pushtet forcat e majta. Kjo pritej të ndodhte edhe në vendin tonë, si një prirje e pashmangshme historike. Frika e kishte bërë Partinë Demokratike të merrte masa të panatyrshme për të shpëtuar me çdo kusht nga humbja.  Krijimi i iluzionit fals të  “mirëqenies”, “bollëkut”, “pasurimit të shpejtë e pa punë”, me sloganin elektoral zyrtar të fushatës së tyre: “Me ne fitojnë të gjithë”, ishte një rrugë efektive për të mashtruar votuesit.    

“Alarmi në shishe” i qeverisë  Meksi

Qeveria e ish-kryeministrit Aleksandër Meksi kishte dijeni për aktivitetin e firmave piramidale dhe rrezikun e tyre për vendin, të paktën qysh në janar të vitit 1996, e informuar zyrtarisht nga ish – guvernatori Luniku.  Por vetëm tetë muaj më vonë ai kishte kërkuar të shikohej mundësia ligjore e mbylljes së një pjese të tyre dhe kishte informuar edhe Presidentin e Republikës Berisha rreth kësaj situate. (Letra “sekret” e ish – kryeministrit drejtuar Presidentit të Republikës, 20 gusht 1996)

Në letër kryeministri i trajtonte në mënyrë selektive firmat piramidale dhe jo në bllok, por vetëm disa prej tyre. Ai kërkonte mbylljen e atyre “që sapo kanë filluar një aktivitet të tillë si “Silva”, fondacioni bamirës “Populli” etj”, ndërkohë që tanimë ishin plot 26 kompani që zhvillonin aktivitet informal nën hundën e shtetit. Kryeministri ose nuk e kuptonte rrezikun e pasojave të kësaj marrëzie, ose nuk kishte autoritetin e duhur  për të vendosur për to. Janë të tjerë ata që marrin vendime, duke lënë të kuptohet Presidentin e Republikës. Ata poshtë tij thjesht e njihnin problemin dhe këmbenin letra “sekrete” për të qetësuar veten se “ne e bëmë detyrën”.  

Lejimi në heshtje i piramidave financiare per pune…votash

Përveç informacioneve nga burime zyrtare të specializuara, Presidenti i Republikës  Sali Berisha kalonte dy herë në ditë para ndërtesës së gazetës “Zëri i popullit”, në bulevardin “Zogu i Parë”, në katin e parë të së cilës gjendeshin sportelet e Fondacionit “Populli” dhe ku rrinin në radhë natë e ditë për të futur paratë me mijëra qytetarë. Radha e  tyre pengonte shpesh edhe eskortën e Presidentit në rrugë.

Autoritetet nuk mund të bënin ndërhyrje për mbylljen, sepse masat e kreditorëve do të bënin përgjegjëse ato  për humbjen e parave dhe kjo do të reflektohej pastaj në votimet e 20 tetorit për qeverisjen lokale. Në popull ekzistonte bindja se firmat piramidale funksiononin me dijeninë dhe miratimin e plotë të shtetit. A nuk ka thënë vetë Presidenti Berisha në konferencë shtypi: “Paratë e shqiptarëve janë më të pastrat në botë”? Për këtë arsye nuk u ndërhy as kur erdhën rekomandime nga Banka Botërore dhe FMN për mbyllje. Të fitojmë zgjedhjet lokale më parë, pastaj kemi kohë të merremi me to. Politika pra, në plan të parë.  

Në një intervistë për televizionin “Klan” tre vjet më vonë (5 dhjetor 1999) ish- zevendës/kryeministri Tritan Shehu  deklaronte se bashkë me kryeministrin Meksi, i kishin kërkuar Berishës të vihej nën kontroll Sudja, sepse ajo nuk kishte as llogari në bankë. Edhe me Suden pra, duhet të merrej Presidenti i Republikës! Presidenti ishte përgjigjur se “çdo gjë është nën kontrollin e SHIK-ut dhe të institucioneve të specializuara”. Se sa “nën kontroll” e kishte SHIK-u situatën, u duk kur piradat financiare falimentuan.     

Çoroditja e opozitës socialiste

Partia Socialiste dhe aleatët e saj në opozitë u shfaqën të paqarta në denoncimin në kohë dhe me forcë të aktivitetit piramidal. Ato nuk i dinin përmasat e vërteta të dukurisë, sepse nuk kishin informacion zyrtar për shifrat e parave dhe të personave të përfshirë në to, as për rreziqet reale të tyre. E  diskutonin  në mbledhjet e tyre por nuk e ngritën zërin e kritikës në mënyrë publike për arsye elektorale edhe ato. Shumë qytetarë, që i kishin depozituar paratë në firmat piramidale, edhe pse të majtë, do të votonin në zgjedhjet që po afroheshin kundër një partie që vinte në dyshim piramidat, sepse do të humbisnin paratë.

Pas zgjedhjeve të manipuluara parlamentare të 26 majit opozita socialiste u gjet e çoroditur rëndë nga përçarjet e brendshme të shkaktuara nga i ashtuquajturi “mocion” kundër udhëheqjes. Në plan të parë të saj doli çështja: “Bëri veza pulën, apo bëri pula vezën.” Partia u përfshi në një qorrollisje disamujore debatesh pa fund kundër njeri – tjetrit që e cuan atë në katastrofë.  Një udhëheqje e re që doli nga kongresi i jashtëzakonshëm i vjeshtës, nuk mundi të orientohej si duhet deri në zgjedhjet e reja lokale të 20 tetorit. Fitorja plebishitare e opozitës në një referendum kombëtar për kushtetutën dy vjet më parë, tani i përkiste historisë. Opozita humbi rëndë edhe këto zgjedhje vendore me rezultat vetëm 26 përqind në shkallë vendi. Kjo i dha dorë partisë në pushtet për të  konfirmuar “legjitimitetin”  e munguar në zgjedhjet parlamentare të 26 majit të atij viti.

Kur filloi rënia e firmave piramidale, (Sudja) qytetarët dolën në mënyrë të vetvetishme në rrugë për të kërkuar paratë e humbura, ndërsa opozita ngurronte të vihej në krye të tyre, me justifikimin: “As ne nuk ua kthejmë dot paratë, prandaj nuk mund të mbështesim protestat”. Ajo nuk po kuptonte se tani protestat po merrnin gjithnjë e më tepër natyre politike e jo vetëm financiare. Pramidat financiare ishin pasoja, shkaku ishte politika e gabuar që i lejoi ato. Me pezmin për humbjen e parave bashkoheshin edhe çështja e zgjedhjeve të manipuluara parlamentare, dhuna ndaj opozitës, burgosja politike e kryetarit të saj Nano, gjendja e rëndë ekonomike   etj. të cilat po çonin në një situatë shpërthyese.  Ishin turmat e revoltuara të qytetarëve që nxorrën udhëheqjen socialiste nga zyrat, në sheshet e protestave në dimrin e vitit 1996.

Abuzimi me paratë e kompanive financiare

Kur kompanitë piramidale falimentuan dhe faktet mbi to dolën në dritën e diellit, opinioni mësoi se shumë nga paratë e depozituara në to kishin përfunduar për sponsorizimin e fushateve elektorale të kandidatëve të Partisë Demokratike  si dhe për veprimtari të tjera propagandistike. Kompania “Gjallica” psh, kishte sponsorizuar me një milionë USD të kreditorëve spektaklin “Mis Bota” të zhvilluar në Tiranë, ku vetë bashkëpronari i kompanisë, Fitim Gërxhalliu, u shfaq në skenë me frak e papijon si dordolec.  

Dolën fakte për financime me shuma të mëdha të fushatave elektorale dhe “ahengjeve” të tjera të Partisë Demokratike dhe eksponentëve të saj. Miliona lekë të qytetarëve ishin paguar për reklama në gazeta për të krijuar imazhin “e fuqisë” së piramidave financiare etj. Në çastet e fundit para shembjes, shumë individë shqiptarë e të huaj që kishin mundësi, futën duart në arkat e kompanive, duke përvetësuar sasi të mëdha parash të kreditorëve fatkëqinj shqiptarë

E filluar më 6  nëntor 1996 me falimentimin e Sudes dhe e përfunduar më 4 shkurt 1997, me falimentimin e 26 kompanive rentiere me në krye Gjallicën,  kriza e pramidave financiare çoi në mars të vitit 1997 në shëmbjen e plotë të shtetit 85-vjeçar shqiptar.

 (Nga libri: “Shënimet e gazetarit”)

---------------------------------  

Lista e plotë e kompanive piramidale

·         Gjallica

·          VEFA

·         Populli

·         Demokracia Popullore-Xhaferri

·         Kamberi

·         Cenaj

·         Silva

·         Malvasia

·         Kambo

·         Grunjasi

·         Dypero

·         Bashkimi

·         Beno

·         Pogoni

·         B&G

·         Kobuzi

·         Arkond

·         Adelin

·         A.Delon

·         Agi

·         M.Leka Company

·         Global Limited Co.

·         Çashku

·         Sudja/TemA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›