Rama dhe Karakaçi inspektim në kantierin e Bypass-it të Tiranës: Çliron kryeqytetin nga trafiku

Në kantierin e Bypass-it të Tiranës, një prej projekteve të rëndësishme të infrastrukturës rrugore, punimet po vijojnë me ritme të mira. Me një gjatësi prej 21 kilometrash, ky aks synon të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë mes autostradës Tiranë–Durrës dhe autostradës Tiranë–Elbasan, duke shmangur kalimin përmes kryeqytetit dhe duke mundësuar ndërlidhjen me akset e Korridorit Blu.
Në kantier Kryeministri Edi Rama u shoqërua nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, dhe Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli.
“Është një segment shumë i rëndësishëm se bën ndërlidhjen ndërmjet autostradës Durrës – Tiranë me autostradën Tiranë – Elbasan. Lidhemi nga nyja e Kasharit dhe dalim në TEG duke anashkaluar hyrjen në Tiranë. Këtu jemi në 10 kilometrat e parë të cilat janë të financuar dhe kontraktuar nga ARRSH. Punimet kanë ecur mirë, jemi në nivelin e rreth 50% të punimeve të kryera në dy lotet që janë kontraktuar. Pjesa tjetër vijuese sepse gjithë aksi është 21 kilometër, pjesa vijuese 11 kilometra është me financim të BERZH për të cilën ne kemi marrë dhe një grant 40%, rreth 53 milionë euro nga korniza e Ballkanit Perëndimor për investime.
Ne presim që brenda tre mujorit të parë 2027 të miratojmë marrëveshjen e financimit me BERZH për të filluar edhe në segmentin e mbetur 11 kilometërshi, vijimin e punimeve.
Lotët që ka kontraktuar ARRSH, jemi mbi 50 % të nivelit të punimeve dhe ky është i rëndësishëm se ndërlidh dhe dy koncesionet e Korridorit Blu, Thumanë -Kashar me Kashar-Lekaj
Brenda fundit të vitit fillojmë ndërtimin. Brenda muajit nëntor unë parashikoj shpronësimet e para të koncesionit Kashar-Rogozhinë dhe brenda fundit të vitit fillojnë dhe punimet për këtë aks të rëndësishëm që ndërlidh pastaj të gjithë korridorin blu. Dhe në këtë kuptim dhe segmenti që sapo pamë by-passi Tiranës shërben si valvul shumë e mirë se përveçse dalim nga nevoja për të hyrë në Tiranë për çdo segment në jug, nga ana tjetër bën ndërlidhjen e Korridorit Blu”, – u shpreh ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë.
Projekti pritet të ndikojë në lehtësimin e trafikut, shkurtimin e kohës së udhëtimit dhe përmirësimin e qarkullimit të automjeteve, duke krijuar një alternativë të rëndësishme për lëvizjen drejt jugut dhe juglindjes së vendit.
“Ajo që të gjithë duhet ta mbajnë parasysh në këtë zonë, është rritja e ndjeshme e vlerës së pronës së tyre, ndërkohë që pa diskutim çdo shpronësim do të bëhet ashtu si duhet, me transparencë sipas ligjit dhe ndërkohë do të jetë një aks që do ta çlirojë kryeqytetin nga një ngarkesë e tepërt e cila është një ngarkesë e detyruar si pasojë e mungesës së këtij aksi ku të gjithë futen në Tiranë. Kështu një pjesë e fluksit do të vazhdojë lirshëm drejt jugut ose juglindjes, në varësi nga drejtimet dhe pjesa tjetër do të ketë më shumë lirshmëri për të hyrë dhe për të dalë në kryeqytet”, – theksoi Kryeministri.
Me përfundimin e tij, Bypass-i i Tiranës do të shënojë një tjetër hap të rëndësishëm në transformimin e infrastrukturës rrugore të vendit, duke i dhënë kryeqytetit më shumë frymëmarrje, udhëtimit më shumë shpejtësi dhe Korridorit Blu një lidhje të drejtpërdrejtë drejt jugut të Shqipërisë.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

