E Diel, 1 Nëntor 2026

53 vjet burg për vrasjen e Shahin Arapit

Vrasja e një 60-vjeçari do t‘u kushtojë plot 53 vjet pas hekurave të burgut katër personave që u konsideruan përgjegjës për këtë ngjarje. Dje në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet është dhënë vendimi përfundimtar ndaj të pandehurve Jetmir Taka, Albert Karafili, Emirjan Shabani dhe Gurali Rungo. Ata janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar përkatësisht: Taka me 20 vjet burg, Karafili me 20 vjet, Shabani me 10 vjet dhe Rungo me 3 vjet e 6 muaj heqje lirie. Në fakt, Shabani u dënua me 20 vjet burg, por ai përfitoi uljen e ½ së dënimit për shkak të faktit se ka qenë i mitur kur ka ndodhur ngjarja. Ngjarja, për të cilën u dënuan të katër të pandehurit, ka ndodhur në tetor të vitit 2003, në afërsi të Valiasit. Tre të rinjtë, pas një grindjeje të vjetër, janë hakmarrë duke qëlluar 60-vjeçarin Arapi. Ai ka vdekur në vend si pasojë e plagëve të marra, ndërsa tre autorët Taka, Karafili dhe Shabani, janë larguar duke ia besuar kufomën shokut të tyre Rungo, i cili e ka fshehur atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›