E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, bashkia hap zyrë për mbrojtjen e fëmijëve në nevojë

Të gjitha problemet e fëmijëve tashmë do të adresohen në një zyrë të re. Gjithnjë e më tepër pushteti vendor ka nisur të marrë përgjegjësitë e veta për njohjen e situatës dhe ndërhyrjen në lehtësimin dhe parandalimin e fenomeneve që rëndojnë mbi shoqërinë. Kështu, abuzimet me të miturit dhe të drejtat e tyre kanë kthyer në domosdoshmëri çeljen nga ana e Bashkisë Durrës të një zyre për mbrojtjen e tyre pranë pushtetit vendor.

I rëndësishëm është fakti që ky zgjerim i terrenit të mos mbesë thjesht në projekte që bëjnë zhurmë në opinion ditët e para dhe nuk sjellin asgjë të re në përmbushjen e misionit të tyre. Zyra e sapoçelur e Mbrojtjes së Fëmijëve pritet të jetë aktive në evidentimin e fëmijëve në nevojë, në luftën kundër trafikimit, shfrytëzimit dhe abuzimit të fëmijëve, duke promovuar të drejtat e tyre, identifikuar nevojat e tyre dhe familjeve të tyre, ofrimin e shërbimeve në rrjet dhe në komunitet në përputhje me legjislacionin në fuqi, strategjitë përkatëse, si dhe standardet e shërbimeve sociale.

Një grup donatorësh të huaj, përfshirë USAID, UNICEF dhe ambasadën norvegjeze, kanë mundësuar çeljen e kësaj zyre. Specialisti që drejton këtë zyrë do të ketë si detyrë identifikimin e fëmijëve të rrugës, fëmijëve viktima të dhunës fizike e seksuale, fëmijëve që punojnë, fëmijëve viktima të trafikimit apo të ekspozuar ndaj këtij fenomeni, fëmijëve me një prind, evidentimi i nevojave të fëmijëve vulnerabël përmes vlerësimit të gjendjes reale social-ekonomike të familjeve.

Ndërkohë, kjo zyrë ka si detyrë edhe hartimin e planeve individuale për çdo fëmijë në nevojë, duke përcaktuar qartë se si do të mbrohen të drejtat e tij dhe se si do të riintegrohet në jetën normale, të nxisë bashkëpunimin e ngushtë me familjet e fëmijëve vulnerabël për të minimizuar shkallën e abuzimit të fëmijëve, të raportojë në strukturat e ndryshme lokale publike rastet e dhunës, abuzimit dhe trafikimit të fëmijëve, të koordinojë punën e strukturave lokale publike dhe OJF-ve që operojnë në komunitet për të ndihmuar apo referuar fëmijët në nevojë në shërbimet sociale komunitare.

Për të gjithë këtë aktivitet, partnerët e zyrës do të jenë organet e policisë, gjykatës, drejtorisë arsimore, qendrat sociale, pushteti vendor dhe vetë komuniteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›