E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëpunëtorët e Lul Berishës pranojnë fajin

Fiorentina Kotorri dhe Indrit Taullai, dy nga bashkëpunëtorët më të afërt të të akuzuarit si kreu i bandës së Durrësit, Lulëzim Berisha, kanë pranuar dje akuzat për të cilat janë duke u gjykuar në Gjykatën e Tiranës dhe kanë kërkuar gjykimin e shkurtuar. Kotorri ndërkohë ka kërkuar nga trupi gjykues ndryshimin e klasifikimit të veprës penale. Ajo ka pohuar se e dinte që Taullai ishte person në kërkim, por nuk kishte dijeni se ai akuzohej për vepra të rënda penale. Për këtë ajo ka kërkuar që t‘i ndryshojë akuza, duke i kaluar një tjetër vepre penale, që dënohet më pak. Aktualisht të dy të pandehurit akuzohen për "Falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave", "Mbajtje pa leje të armëve luftarake" dhe "Përkrahje të autorit të krimit". Ata u arrestuan në korrik të vitit të kaluar, në një apartament në qendër të kryeqytetit. Taullai kërkohej nga policia, pasi akuzave të shumta ndaj tij u ishte shtuar edhe vrasja e Ndriçim Saliut, vëllait të Klodian Saliut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›