Hashim Thaci, partneri i duhur i Serbise
Cili mund të jetë interlokutori ynë në Kosovë?, - më pyeti Zoran Xhinxhiç, Kryeministri i ndjerë i Serbisë në maj të vitit 2002. "Hashim Thaçi" - iu përgjigja pa asnjë mëdyshje, duke vërejtur një habi të lehtë në sytë e tij. Habia ia la vendin shumë shpejt përqendrimit të tij në pritje të argumenteve.
Në atë kohë, Hashim Thaçi ishte kryetar i PDK-së, partia e dytë në koalicionin qeverisës, por që i kishte dhënë asaj Kryeministrin zotin Bajram Rexhepi. Në kuptimin institucional, Thaçi mund të mos ishte njeriu më përfaqësues për të nisur një proces komunikimi me Serbinë, proces që nisi shumë kohë më pas, me ndërmjetësimin ndërkombëtar. Por, pa asnjë dyshim, ai ishte më i përshtatshmi.
Hashim Thaçi ishte i shpenguar për të filluar një dialog me Serbinë, i cili kërkonte kurajo të madhe politike e vizion të qartë. Ai ishte i çliruar nga çdo lloj ndrojtje për një dialog të tillë që krijonte klimë shprese për të hedhur pas të kaluarën konfliktuale.
Së pari, askush nuk mund ta akuzonte e t‘i kërkonte llogari Thaçit se po komunikonte me Beogradin. Askush nuk mund të vinte në dyshim qëllimet e mira dhe konstruktive të ish-drejtuesit politik të UÇK-së për të ndryshuar historinë, por tani, përmes dialogut dhe bashkëpunimit.
Ndërkohë, megjithëse Thaçi kishte qenë një luftëtar dhe drejtues i UÇK-së, ndaj tij nuk u ngrit ndonjë akuzë nga Gjykata e Hagës, për krime apo atrocitete. Ai kishte qenë thjesht një luftëtar për lirinë e popullit të tij dhe jo kundër popullit serb. Lufta për të nuk ishte një vokacion, por një zgjedhje e detyruar nga makina shtypëse e Serbisë së drejtuar nga Millosheviçi. Thaçi kishte provuar se zgjidhte marrëveshjen para konfliktit. Ishte ai që kishte firmosur Rambujenë, duke bindur edhe më radikalët, me qëllim që të shmangte luftën.
Unë, personalisht, isha i bindur për këtë, sepse edhe si Kryeministër i Shqipërisë dhe më pas ministër i Jashtëm, në ato vite, në politikën e hapjes dhe bashkëpunimit me Serbinë gjithnjë kisha pasur edhe mbështetjen e Hashim Thaçit.
Për fat të keq, takimi që ne shpresonim midis Xhinxhiçit dhe Thaçit nuk u realizua dot, pasi në mars të vitit 2003, Kryeministri Xhinxhiç u vra dhe bashkë me të edhe një gatishmëri e guximshme për kohën për të ngritur ura të forta komunikimi dhe bashkëpunimi midis shqiptarëve e serbëve.
Sot, në vitin 2008, gjashtë vjet pas asaj bisede, jam akoma më i bindur për atë çka i thashë Kryeministrit serb në atë ditë të majit 2002: Hashim Thaçi është partneri i duhur i Serbisë në Kosovë.
Thaçi është tashmë Kryeministër i Kosovës dhe kryetar i partisë më të madhe në vend. Rrethanat e sotme janë edhe më favorizuese që ai të luajë rolin e lidershipit dhe udhëheqësit vizionar e kurajoz, për të sjellë një erë të re në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve, duke dhënë kështu një kontribut të rëndësishëm jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për gjithë rajonin.
Tashmë Thaçi nuk është më vetëm luftëtari i lirisë, por një politikan i pjekur e i moderuar. Dhe në Kosovën e sotme ka një duet luajal Thaçi-Sejdiu, që ka moderacionin dhe vullnetin për të çuar me guxim përpara zhvillimin e Kosovës dhe për të konsoliduar rolin e saj në rajon e më gjerë.
Dikush mund të pyesë, pse Thaçi është zgjedhja më e mirë për Serbinë? Natyrshëm kjo pyetje nuk mund të marrë përgjigje para se t‘i përgjigjemi një pyetjeje tjetër: Po serbët, çfarë kërkojnë në Kosovë? Përgjigjen më të mirë ia ka dhënë Presidenti Ahtisari dhe plani i tij, që do të jetë në themel të pavarësisë së Kosovës e që parasheh së pari respektimin e të drejtave dhe siguri për minoritetin serb. Integrim i tyre në jetën sociale, ekonomike e politike të Kosovës, respekt për kulturën, për objektet e kultit e trashëgiminë.
Përgjigjen e kësaj pyetjeje dhe përqasjen e tij për Kosovën multietnike, Hashim Thaçi e ka shprehur në një artikull të gazetës "Internacional Herald Tribune", në nëntor 2005, kur sapo kishte filluar procesi për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës. "Ndoshta, shkruan Thaçi, motivimi më i mirë për të gjithë ne do të ishte që Bashkimi Evropian të pranonte Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi, si tri vende të pavarura, të cilat kanë zbatuar të njëjtat standarde të zhvillimit demokratik, mbrojtjes së minoriteteve dhe garancive ekonomike, nën ombrellën e NATO-s. Në këtë mënyrë, i gjithë rajoni mund të çarmatoset, të ketë kufij të hapur, lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave e shërbimeve, të ketë sundim të fortë të ligjit dhe një ekonomi të qëndrueshme… Atëherë dhe vetëm atëherë urrejtjet dhe konfliktet e së kaluarës mund të kyçen me të vërtete në memorien kolektive dhe të mos ringjallen në eksperiencën e çdo brezi pasues".
Në detyrën e saponisur të Kryeministrit, Thaçi po e realizon këtë përqasje të tij në mënyrë konkrete. Integrimi i komunitetit serb dhe pakicave të tjera në qeverinë e tij, është një hap i parë. Ai është i ndërgjegjshëm se liria e Kosovës nuk mund të jetë e sigurt dhe e qëndrueshme pa lirinë e minoritetit serb. Kosova është vërtetë para momentit historik të pavarësisë së saj dhe kjo nuk ka kthim. Sfida për Kosovën dhe për Kryeministrin e saj është të menaxhojë gjithë problematikën e pas-pavarësisë, në mënyrë të veçantë marrëdhëniet me Serbinë dhe me serbët e Kosovës. Suksesi i tij në këto sfida do të varet shumë edhe nga mbështetja ndërkombëtare, e cila, nga ana e saj, do të varet pikërisht nga mënyra se si Thaçi e qeveria e tij do të respektojë të drejtat e serbëve.
6 vjet më parë, më 14 shkurt 2003, katër javë para se të vritej, në një intervistë me "Zërin e Amerikës", Xhinxhiç shprehu gatishmërinë për një takim me Hashim Thaçin, si një politikan, i cili mund të zbatonte gjërat për të cilat mund të arrihej mirëkuptim dhe kompromis. Ky takim ka mbetur akoma për t‘u bërë nga njerëz me atë kurajo dhe vizion që kishte Xhinxhiç.