E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqiri kërkon dëmshpërblim për burgim të padrejtë

Ish-shefi i Sektorit të Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Lezhës, Tare Beqiri, kërkon dëmshpërblim për burgim të padrejtë. Në Gjykatën e Tiranës dje ishte parashikuar të niste gjyqi në të cilin Beqiri ka paditur Thesarin e Shtetit dhe Ministrinë e Financave, duke kërkuar një shumë prej rreth 1 milion lekësh si dëmshpërblim për periudhën gjatë së cilës ka qëndruar në burg.

Ish-komisari i policisë u arrestua nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në korrik të vitit 2006, së bashku me dy punonjës të tjerë të policisë. Sipas Ministrisë së Brendshme në atë kohë ata akuzoheshin se në mënyrë të përsëritur i kishin kërkuar një qytetari shuma parash, për mosndjekjen e tij nga policia. Por pas bujës që pasoi arrestimin e Beqirit, një heshtje e plotë mbizotëroi në lirimin e tij. Tashmë ish-komisari 45-vjeçar, i cili kishte qenë më parë edhe shef komisariati në Korçë dhe Tiranë, kërkon dëmshpërblimin për ditët që ka qëndruar padrejtësisht në burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›