Linja të reja për ujin e pijshëm në Berat
Rreth 600 mijë euro kredi nga banka gjermane "KFW" do të investohen për linja të reja të furnizimit me ujë të pijshëm dhe vendosjen e matësve në qytetin e Beratit. Prej disa muajsh ka nisur zbatimin një projekt për Ndërmarrjen e Ujësjellësit Berat me investim të qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane, nëpërmjet një kredie të akorduar prej bankës gjermane "KFW". Ky projekt konsiston në uljen e humbjeve nëpërmjet shtrimit të linjave të reja dhe vendosjes së matësve. Zbatimi i projektit ka nisur muaj më parë me vendosjen e rreth 940 matësve, kryesisht në lagjen periferike "Uznovë" dhe ditët e fundit me shtrirjen e linjës së re nga stacioni i pompave në depon nr.4. Sipas drejtuesve të ujësjellësit dhe atyre të Bashkisë Berat, ky segment ishte amortizuar krejtësisht dhe humbjet në linjë ishin shumë të mëdha. Segmenti është rreth 2 km i gjatë dhe është parashikuar të ndërtohet me parametra bashkëkohorë, duke përdorur tubacion prej materiali gize dhe me diametër 400 mm. Sipas drejtuesve të firmës që zbaton projektin, investimi parashikohet të përfundojë në muajin qershor të këtij viti. Pritet që ky investim të ulë në mënyrë të ndjeshme humbjet dhe të përmirësojë furnizimin në sasi dhe cilësi me ujë të pijshëm të qytetarëve. Beratit furnizohet me ujë prej burimeve të Bogovës dhe Uznovës.