ANKARA – Erdogan: Rikthimi i Turqisë në programin e F-35 do të forcojë sigurinë e NATO-s

ANKARA, 5 janar /ATSH-AA/ – Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan bëri thirrje për rihyrjen e Turqisë në programin e avionëve luftarakë F-35 të udhëhequr nga SHBA-ja, duke thënë se një hap i tillë do të ndihmojë në forcimin e marrëdhënieve midis Turqisë dhe SHBA-së si dhe do të rrisë sigurinë e NATO-s.
Në përgjigjet me shkrim ndaj pyetjeve nga Bloomberg, duke iu referuar takimit të tij të shtatorit 2025 me presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Erdogan e përshkroi vendimin për të përjashtuar Turqinë nga programi F-35 për shkak të blerjes së pajisjeve ushtarake nga Rusia pothuajse një dekadë më parë si “të padrejtë”, duke shtuar se ai ia ka përcjellë personalisht këtë Trumpit.
Erdogan tha se rikthimi i Trumpit në detyrë krijoi mundësi që marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Washingtonit të lëvizin në “një bazë më të arsyeshme dhe konstruktive”.
Në lidhje me çështjen e F-35, Erdogan tha se “Marrja e avionëve F-35 nga Turqia për të cilët ajo ka paguar tashmë dhe riintegrimi i saj në program, janë të rëndësishme dhe të nevojshme për lidhje më të mira me mbrojtjen e SHBA-së dhe NATO-s”.
Lidhur me një blerje të mundshme të avionëve F-16 Block 70 nga SHBA-ja, Erdogan tha se Ankaraja pret që kushtet të jenë në përputhje me frymën e aleancës së NATO-s, duke përmendur si shembull blerjen e avionëve Eurofighter nga Turqia.
Ndërsa për çështjen penale të ngritur në SHBA kundër huadhënësit shtetëror të Turqisë, Türkiye Halk Bankasi AS, Erdogan tha se Turqia i konsideron akuzat si të gabuara dhe është angazhuar në bisedime për të siguruar që banka të mos përballet me “ndëshkime të padrejta”. “Shpresa jonë është të arrijmë rezultat të drejtë që është plotësisht në përputhje me ligjin”, shtoi ai. /os/