E Diel, 1 Nëntor 2026

AZHBR dhe ASIG, marrëveshje për Sistemin Kombëtar të Identifikimit të Parcelave të Tokës

TIRANË, 23 shkurt /ATSH/ Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) dhe Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet tyre, për ndërtimin dhe zhvillimin e Sistemit të Identifikimit të Parcelave të Tokës (LPIS).

Marrëveshja e nënshkruar nga Drejtoresha e Përgjithme e AZHBR-së, Ardita Kuçi dhe Drejtoresh e Përgjithshme e ASIG, Vilma Tomço, ka për qëllim krijimin e një sistemi digjital dhe modern për administrimin e parcelave të tokës në bujqësi, duke mundësuar një menaxhim më të saktë dhe transparent të skemave mbështetëse për fermerët.

Sipas marrëveshjes, do të bëhet shkëmbimi i të dhënave gjeohapësinore midis institucioneve, përdorimi i fotove dhe Geoportalit Kombëtar, si dhe mbështetje e fazës pilot të LPIS në Berat, me qëllim shtrirjen e sistemit në të gjithë territorin e vendit.

Ky projekt do të mundësojë identifikimin e saktë të parcelave, monitorimin e përdorimit të tokës dhe lehtësimin e procesit të menaxhimit të subvencioneve dhe skemave mbështetëse për fermerët.

Përfaqësuesit e AZHBR dhe ASIG theksuan se ky është një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit dhe modernizimit të administratës bujqësore në Shqipëri, duke rritur efikasitetin dhe transparencën në sektorin e bujqësisë.

Ky sistem pritet të përmirësojë ndjeshëm mbështetjen ndaj fermerëve dhe të krijojë një bazë të fortë për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor në vend.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›