E Hënë, 2 Nëntor 2026

Agjenda e Gjelbër e Ballkanit, qeveritë angazhohen të marrin masa për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore

Temperaturat mesatare në Ballkanin Perëndimor janë rritur me më shumë se 2°C, pothuajse dyfishi i mesatares globale, duke e bërë rajonin një nga më të prekshëm nga ndryshimet klimatike. Thatësira, përmbytjet dhe zjarret po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, ndërsa qeveritë po kërkojnë mënyra të përbashkëta për t’u përshtatur.

Në takimin e dytë ministror për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, gjashtë vendet e rajonit miratuan një deklaratë të përbashkët, me zotimin për të ndërmarrë masa të koordinuara mes tyre.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Amer Kapetanović, theksoi se kjo deklaratë “nuk është thjesht një dokument politik tjetër, por një angazhim për të vepruar.”

“Deri në vitin 2028, Ballkani Perëndimor duhet të zvogëloj përdorimin e plastikës njëpërdorimshme më ndotëse me 80%.Deri në vitin 2030, paketimet plastike duhet të përmbajnë të paktën 30% material të ricikluar dhe 40% e mbetjeve komunale duhet të riciklohen. Rajoni duhet gjithashtu të mbrojë 30% të tokës dhe zonave detare, me të paktën 10% nën mbrojtje të rreptë”, tha Kapetanović.

Për zbatimin e këtyre masave, vlerësohet se Ballkanit Perëndimor do t’i nevojiten rreth 37 miliardë dollarë investime gjatë dekadës së ardhshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›