Zbardhen shifrat për krimin zgjedhor, Dumani: Task- Forca për zgjedhjet nuk dështoi, por ka vend për përmirësim

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, iu përgjigj sot kritikave të opozitës lidhur me efikasitetin e task forcës së ngritur nga SPAK për zgjedhjet e 11 Majit 2025. Gjatë raportimit vjetor në Komisionin e Ligjeve, Dumani theksoi se iniciativa “nuk ka dështuar, por ka vend për përmirësim”.
Duke iu përgjigjur deputetit Oerd Bylykbashi për fenomenin e shitblerjes së votës, Dumani pranoi se rezultatet nuk plotësojnë pritshmëritë e institucionit, por theksoi se janë bërë të gjitha veprimet e nevojshme me burimet aktuale.
Shifrat e krimit zgjedhor (zgjedhjet 2025)
Dumani zbardhi shifrat e punës së task forcës:
Materiale të Administruara: 194 materiale gjithsej.
Kallëzime nga Subjektet Politike: 56 materiale kallëzuese.
Kallëzime nga Qytetarët: Rreth 80 materiale.
Procedime të Regjistruara: 44 procedime penale.
Procedime Nën Hetim: 38 procedime.
Raste të Regjistruara nga SPAK: 10 raste.
Kreu i SPAK konfirmoi se në lidhje me krimin zgjedhor, ka pasur rezultate konkrete, megjithë kapacitetet e kufizuara.
“Kemi një kryetar bashkie të pandehur për korrupsion aktiv dhe një tjetër për korrupsion gjatë zgjedhjeve 2025. Kemi arrestuar edhe disa persona për zgjedhjet 2025, të cilët janë nën hetim ose gjykim.”, tha kreu i SPAK.
Dumani theksoi se dërgimi i hetuesve dhe prokurorëve bëhej në kohë reale, madje edhe në mes të natës, pas sinjalizimeve. Ai iu kundërpërgjigj kritikave duke theksuar sfidën e koordinimit: “Sa organizojmë punën, shikojmë në media me titra që në filan vend po blihen vota. Kapacitetet këto janë. SPAK ka vetëm 20 prokurorë,” duke shtuar se puna e SPAK nuk është të bëjë punën e Policisë së Shtetit.
/rtsh.al/