Blutë, gati për shpenzime në janar
Skuadra e Çelsit duket se do të hyjë fuqishëm në merkaton e janarit, për të përmirësuar kontingjentin aktual dhe për të gjetur zëvendësuesit e lojtarëve të dëmtuar. Emri i parë në listën e ekipit londinez është ai i sulmuesit të Boltonit, Nikolas Anelka, të cilin trajneri Grant e ndjek me shumë vëmendje. Megjithatë, presidenti Abramoviç ka bërë të ditur se nuk do të ketë kufizime shpenzimesh gjatë janarit, pasi zëvendësimi i futbollistëve të dëmtuar është më i rëndësishëm se sa 50 milionë sterlinat që mund të harxhohen në fillimin e vitit. Problemi është për të gjetur zëvendësues të denjë për mbrojtësit e dëmtuar Terri dhe Karvajo, si dhe për sulmuesin Shevçenko, që vazhdon të mos bindë. Në mbrojtje mund të vijë braziliani i Seviljes, Daniel Alvesh, ndonëse nuk mund të luajë në Ligën e Kampioneve. Më e lehtë do të ishte marrëveshja për Biljaletdinov dhe Ivanoviç, për të cilët Lokomotiv i Moskës ka vënë çmimin 20 milionë sterlina. Për të zëvendësuar Lampard në mesfushë po mendohet për kroatin Modriç.