E Martë, 3 Nëntor 2026

Akuzohet se vrau vajzën në Tiranë, arrestohet në Liban 49-vjeçari palestinez

TIRANË, 23 prill /ATSH/ Policia në Liban ka arrestuar me qëllim ekstradimi 49-vjeçarin palestinez F.A, i cili akuzohet se vrau me mjet prerës vajzën e tij, rreth 2 muaj më parë, në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”, në Tiranë.

Policia njoftoi se “në vijim të hetimeve të thelluara të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, dhe si rezultat i komunikimit të vazhdueshëm me strukturat homologe në Liban, nëpërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Beirutit, u kap në Liban, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi palestinez, F. A., 49 vjeç”.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Sipas Policisë “nga hetimet e deritanishme, dyshohet se shtetasi F. A., në shkurt 2025, në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”, Tiranë, ka vrarë me mjet prerës, vajzën e tij, shtetasen R. A.”.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet strukturave të Interpolit, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›