Alegri dhe lot në stinën e Etheve
Gjithkush nga ne, i çdo tipi e karakteri, i ftohtë a i ngrohtë në perceptimin e dukurive që na shfaqen, i ndjeshëm apo i pandjeshëm karshi tyre, pa dallim në një, dy a në më shumë raste, nuk i kemi shpëtuar dot emocionit të shfaqur. Kjo edhe kur kemi pasur dijeni të plotë apo edhe kur ai ka qenë i papritur. Emocioni është pjesë e së përditshmes sonë, në të zgjuar apo dhe në gjumë, kur ëndrrat na vërtiten si aureolë e bukur ose jo të tilla brenda nesh. E natyrshëm, s‘ka se si të mos jesh pjesë e emocioneve që pushtojnë të tjerët të ndodhur karshi teje, në të përditshmen tënde, në skenë apo edhe në ekran të kinemasë, ose në më popullorin tanimë, ekranin televiziv. Kështu ndodh së fundmi edhe me spektaklin e mrekullueshëm, "Ethet". Një realizim dinjitoz i ekipit plot ambicie profesionale, në përbërje të së cilit qëndrojnë figura të tilla që për vite u kanë dhuruar spektatorëve, teleshikuesve dhe dëgjuesve të radios, spektakle ethesh të mirëfillta me plot emocion. Këtu nuk është fjala vetëm tek ethet e të rinjve pjesëmarrës në këtë spektakël. Ato marrin me vete dhe përhapen te të gjithë realizuesit, ose më saktë të përcjellësve të këtyre etheve në masën e gjerë të teleshikuesve. Vërtet është një punë e gjatë, e lodhshme, rraskapitëse mund të themi, për të seleksionuar mijëra zëra të timbreve nga më të ndryshmet. Ato vijnë nga dëshira e mirë e të rinjve që shikojnë te vetja një avenir edhe në këtë gjini tejet të bukur që të sjell të kënduarit. Kujtojmë këtu fazat e para të përzgjedhjeve. Sa të bukura. Sa dëshira shpërthyese për të treguar magjinë e shpirtit të tyre ashtu çiltërsisht. Apo sa të tjerë, edhe pse të ndërgjegjshëm, që zëri i tyre nuk plotësonte ato kërkesa për të qenë konkurrentë dinjitozë, kërkonin të ishin pjesë e këtyre etheve edhe për vetë faktin tejet domethënës që të ishin pse jo pranë Adi Krastës, këtij emri të madh e mjaft domethënës të radios dhe televizionit e të dëgjonin nga afër në kontakt të ballë përballshëm Mjeshtrin e Madh, maestro Zhani Cikon, kompozitorin e mirënjohur të mjaft këngëve të bukura, Shpëtim Saraçin, kompozitorin tjetër të talentuar, Alfred Kaçinarin, e sigurisht Zerina Kuken, këtë ikonë televizive me mjaft sharm e delikatesë.
Vlerësimi i jurisë mbart brenda vetes anën e saktësisë së vërejtjeve me përgjegjësinë dhe profesionalizmin e duhur si për atë që stonon, ashtu sikundër edhe për atë që është bukur dhe pse jo mrekullisht na përcillte zë melodioz, befasues, të denjë për të vazhduar e jetuar akoma e akoma me ethet e takimeve të tjera. A e keni vënë re se dhe vetë ata mbartin emocion të madh në përgjigjet e tyre? A e keni vënë re se mpleksja e emocioneve të përbashkëta etheist-juri na mbërthen edhe ne emocionalisht me ethe më të forta nëpër shtëpitë tona? A e keni vënë re… Po,po sigurisht të gjitha i keni vënë re brenda atij kuadrati televiziv se çfarë ndodhte aty në atë hapësirë ethesh të mbushura me plot temperament e ëndrra për të nesërmen. A e keni vënë re Adi Krastën, këtë talent tashmë brilant të spektakleve tona, se me sa finesë dhe me pjekuri profesionale, e jo vetëm kaq, por edhe me ç‘qëndrim e nur skenik pret e përcjell të ardhurit e ngarkuar me plot ethe e për t`ua lehtësuar sado pak e bukur emocionin? Si një njeri i spektakleve, tashmë Krasta di mjeshtërisht që idenë e tij ta sjellë bukur para teleshikuesve. Me të folurën e lakueshme, apo të drejtë, shpesh herë dinamike dhe tepër të saktë në ndërtimin e saj, të mbërthen dhe pse jo ngroh e nxit dëshira te të tjerët për të dalë sa më mirë. Bashkëpunimi i tij tepër i ngushtë dhe me mjaft domethënie me regjisorin e mirënjohur të dhjetëra e dhjetëra spektakleve të arrira mjeshtërisht në disa kanale televizive shqiptare, Artistin e Merituar, Pali Kuken, përbëjnë një duet të shkëlqyer e shembull në gjininë e spektaklit tonë. Kush ka parë me vëmendje të gjitha transmetimet e "Etheve", me siguri do ta ketë vënë re se Adi i jep regjisë hapësira skenike për të punuar bukur rreth tij, sikundër regjia e Pali Kukes i jep Adit dhe së tërës, spektaklit pra, bukuri e të papritura në zbërthimin emocional të saj. Nuk mund të rrimë indiferentë dhe të mos sjellim para syve tanë imazhet tejet të bukura dhe të punuara me një mjeshtëri montazhi të përkryer. Të gjithë ne në ekranet tona pamë të kalonin pranë dhe afër dukuri të tilla emocionesh, që vetëm një regji e mbushur jo vetëm me profesionalizëm, por edhe me një kulturë zbërthimi të saj të jepnin hap pas hapi të papritura të këndshme që secilin prej nesh e rrëmbyen, duke bërë që të jemi pjesë e pashkëputur e së tërës. Ndriçimi ishte ana tjetër, tepër i gjetur për t`i dhënë madhështinë këtij spektakli. Dritëhijet në muret anësore të sallës dhe rreth ballkonit apo ndriçimi i skenës nga lart, anash dhe për tokë, janë një prurje e re e këndvështrimit gjithëpërfshirës të skenës së Teatrit të Operës dhe Baletit. Alegri, këngë e kënaqësi të pafund, kulturë e zhdërvjelltësi, por edhe lot ndarjeje na dhurojnë ethet në çdo shfaqje të tyre.