Saakashvili bën betimin për herë të dytë
Mikhail Saakashvili, pro-perëndimori karizmatik, ka filluar zyrtarisht mandatin e tij të dytë si President i ish-Republikës Sovjetike të Gjeorgjisë. Pasi u betua, ai takoi ministrin e Jashtëm të Rusisë në një tentativë të deklaruar tashmë, atë të përmirësimit të marrëdhënieve reciproke. Mijëra protestues të opozitës, ndërkaq, zhvilluan një manifestim, me të cilin kundërshtuan edhe një herë rezultatin e zgjedhjeve të 6 janarit, edhe pse vëzhguesit ndërkombëtarë dolën me përfundimin se zgjedhjet kishin qenë demokratike dhe të lira. Mbështetja për Saakashvilin pothuajse u përgjysmua para zhvillimit të zgjedhjeve. Reformat e tij radikale të ekonomisë së tregut, gjatë mandatit të parë të tij në detyrë, shkaktuan pakënaqësi të thella. Mijëra persona dolën nëpër rrugë në janar, pasi Saakashvili deklaroi se kishte marrë 53 për qind të votave në garën presidenciale, duke lënë pas rivalin e tij më të afërt, Levan Gachechiladze. Saakashvili thirri zgjedhjet e parakohshme për të sheshuar një krizë, pasi kishte shpërndarë me forcë disa protesta antiqeveritare në nëntorin e vitit të shkuar. Pas ceremonisë solemne të marrjes së detyrës, kundërshtarët e Saakashvilit sërish iu kthyen protestave kundër rizgjedhjes së tij. Sipas agjencisë së lajmeve "Reuters", më shumë se 80 mijë persona morën pjesë në protestë, edhe pse zyrtarisht kjo shifër nuk mund të konfirmohet. Korrespondentët e agjencive të huaja të lajmeve në Gjeorgji, thanë se Saakashvili nuk është më një figurë e pazëvendësueshme, ashtu siç ishte gjatë revolucionit të trëndafiltë, që e ngjiti atë në pushtet katër vjet më parë. Pas ceremonisë së marrjes së detyrës, të dielën, ai tha para turmës: "Ne kemi zhvilluar zgjedhjet më demokratike në historinë e Gjeorgjisë dhe me këto zgjedhje ne e kemi thënë fjalën tonë. Votuam pro unitetit të Gjeorgjisë dhe zhvillimit demokratik të saj". Saakashvili ka pranuar se përpjekja e tij për të shpëtuar ekonominë e rrënuar të Gjeorgjisë çoi në një periudhë ndryshimesh të vështira. Saakashvili, gjithsesi, ka premtuar se do të luftojë papunësinë, do të rrisë pensionet dhe do të implementojë programe të reja sociale dhe të mirëqenies. Ndërkohë, prioritet i tij është afrimi i Gjeorgjisë me NATO-n dhe anëtarësimi në këtë organizatë. Por, shanset e Gjeorgjisë për anëtarësim u dëmtuan kur ai përdori forcën për të shpërndarë protestat e opozitës, dy muaj më parë. Rusia, ndërkaq, kundërshton fuqishëm anëtarësimin e Gjeorgjisë në aleancën perëndimore ushtarake. Kjo mund të çojë edhe në thellimin e mosmarrëveshjeve mes Kremlinit dhe qeverisë së Saakashvilit, edhe pse të dyja palët kanë thënë se do të donin t‘i përmirësonin marrëdhëniet. Gjatë fjalimit të tij të inaugurimit, Saakashvili tha se dëshira e Gjeorgjisë për t‘u anëtarësuar në NATO dhe organizmat e tjera perëndimore, nuk ecën në drejtim të kundërt me interesat e fqinjëve të saj. "Unë i shtrij sërish dorën e bashkëpunimit fqinjit tonë verior. Ne duhet të jemi miq, ne duhet të jemi të afërt dhe të përballemi së bashku me sfidat që kemi përpara", tha ai. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Ivanov, i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Saakashvili, u takua me këtë të fundit dhe sqaroi se vendimi i Moskës për të dërguar një përfaqësues të këtij niveli të lartë në ceremoni, ishte i rëndësishëm. "Pjesëmarrja jonë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit gjeorgjian, konfirmon dëshirën e sinqertë të Rusisë për të normalizuar marrëdhëniet me vendin fqinj", e citon atë agjencia e lajmeve "Interfax". Por, ndërkohë, sfida më emergjente e Saakashvilit është në vendin e tij. Opozita gjeorgjiane insiston se presidenca e tij nuk është legjitime. Zgjedhjet parlamentare, ndërkohë, janë përcaktuar të zhvillohen në pranverë, çka do të thotë se skena është gati për atë që mund të konsiderohet një fillim i turbullt i mandatit të dytë në detyrë, të Presidentit Saakashvili.