E Diel, 1 Nëntor 2026

Mes "Nëntorit" dhe "Onufrit"

Nuk jam kritik në profesion, as nuk e pretendoj një gjë të tillë. Për mua, t‘i futesh asaj rruge, kërkohet jo vetëm të kesh prirje për të, por duhet edhe t‘i përkushtohesh gjatë dhe me gjithë pasionin e nevojshëm që ta njohësh e të familjarizohesh me sekretet profesionale të saj, të njohësh gjuhën e veçantë të kritikës, të dhënat nëpërmjet saj për ecurinë dhe arritjet më të fundit të shprehura nëpërmjet artit pamor në botën e sotme, të njohësh personalitetet dhe individët pjesëmarrës aktivë brenda dhe jashtë vendit, korrentet dhe zhvillimet aktuale etj., etj., e nga ana tjetër duhet të përballesh edhe me mërinë e të tjerëve. Por, ajo që më shtyu thjesht si krijues të jap mendimin tim ishin mes të tjerash propozimi që më bëri njëri prej artistëve dhe organizatorëve të prezantimit të dhjetë radhazi të veprave në gjininë e pikturës të bashkësisë së piktorëve artistë të moshave dhe brezave të ndryshëm "Nëntori 10", si dhe indinjata e shprehur me të drejtë në ceremoninë e hapjes nga njëri prej artistëve tanë të njohur ndër vite, pjesëmarrës në këtë takim. Një indinjatë e shprehur në një formë të hapur e krejt normale për shoqërinë e sotme, ku secili si individ, por edhe i grupuar në formën e një shoqate artistësh, dëshiron të prezantohet para publikut artdashës, pse jo edhe në sallat e galerisë kombëtare, ku në mënyrë të pandërprerë janë prezantuar dhe prezantohen edhe individë apo grupime të tjera artistësh. Për ta bërë një gjë të tillë, kësaj shoqate apo këtij grupimi artistësh, të cilët e kanë bërë këtë zgjedhje që të shprehen nëpërmjet këtij mediumi tradicional nëpërmjet penelit, nuk duhet, mendoj unë, t‘i krijoheshin pengesa të tilla artificiale, madje asnjë pengesë e çfarëdo lloji qoftë, si ajo e bërë pak vite më parë nga ish-drejtuesit e galerisë (siç u deklarua nga folësi) që ata të mos ekspozoheshin atje. E mbi të gjitha kur shumë prej tyre janë krijues me përvojë, me arritje në krijimtari, madje themelues të shkollave tona të para të artit në ato vite kur privacionet në lirinë e të shprehurit ishin të mëdha dhe aspak të ngjashme me atmosferën dhe kushtet e lulëzimit të artit modern në fillim të shekullit të kaluar në Montparnas të Parisit. Si rrjedhojë, indikacionet e sjella me vete nga shkollat e lindjes dhe periudha relativisht e gjatë e një edukimi të kufizuar e të mbyllur në vendin tonë, edhe pse tashmë po ecet drejt një shtrati të ri e teorikisht pa asnjë pengesë, për mendimin tim, vazhdon të ndjehet akoma edhe në ekspozitën e lart përmendur, por edhe në të tjera paralele me të, të hapura kohët e fundit. Por, gjithnjë sipas mendimit tim, kjo dukuri që vazhdon të jetë prezente, nuk mund të mënjanohet thjesht nëpërmjet formës apo mënyrës së mospranimit apo të përjashtimit. Në radhë të parë situata e krijuar nga përjashtimi sjell një situatë konflikti e si pasojë atë të zgjatjes së periudhës që nevojitet dhe është e domosdoshme për vetëndërgjegjësimin për ndryshim. E pastaj terreni për alternativa të reja që praktikisht krijon apo është nxitës në kushtet e lirisë së shprehjes, duhet të mos mbetet i zbrazur në sajë të përjashtimit por, i vënies në funksion të vetëpërjashtimit që vjen si rezultat i përballjes e i konkurrencës së vazhdueshme gjithnjë e në shkallë më të lartë nga pikëpamja intelektuale dhe i aftësisë për t‘u shprehur me kërkesat dhe ritmin e kohës. E drejta për të shprehur kundërshtim e mospajtim kundrejt një gjendjeje të caktuar, duhet të ekzistojë brenda demokracisë në vetvete. Sipas një studiuesi të artit modern dhe atij bashkëkohor, kur arti sot bëhet objekt diskutimi mes grupesh bashkëbiseduesish, biseda priret të veçojë në njërin krah ata që diskutojnë stuhishëm e me gjëmim dhe në anën tjetër ata që qëndrojnë të tërhequr dhe që mbajnë një qëndrim më të butë.

Në fakt, të dyja format e përgjigjeve tipike shpesh bazohen te i njëjti dyshim = tek ai se kushdo prej tyre vështirë se e di se çfarë po thotë.

A nuk jemi që të gjithë (sigurisht dikush më shumë e dikush më pak) nën trysninë e ndikimit të mbartjeve të panevojshme nga e shkuara dhe të mangësive të një formimi e ndërgjegjësimi të plotë? Edhe pse tashmë liria e shprehjes është fituar, në terrenin në të cilin veprojnë, eventualisht mungon një traditë e vyer e arteve pamore, veçanërisht ajo e viteve të fundit, mungojnë muze me vepra të vyera të autorëve të njohur botërorë të periudhave të ndryshme, si dhe ata bashkëkohorë, mungon literatura e përkthyer dhe e botuar në shqip për sa u përket koncepteve, mendimeve dhe vlerësimeve të autorëve të mëdhenj për artin, ajo e kritikës bashkëkohore e të tjera. Mungon gjithashtu ndihma sociale e akorduar nga shteti për artistët, mungojnë shumë gjëra të tjera të domosdoshme, sidomos për brezat në formim. Në shkollat e mesme artistike, ku edhe mësohen bazat fillestare në lëndën e vizatimit, por edhe në të tjerat, përdoret akoma metoda e të rrokurit të karakterit nëpërmjet proporcioneve (metodë e vjetër ruse që nuk ngjan as me atë të Polikletit, tashmë edhe ajo e tejkaluar).

Por, mbase më e rëndësishmja në ambientet tona, mungon atmosfera krijuese e një pranimi të natyrshëm për bashkëbisedim të mendimeve dhe alternativave të ndryshme për nxitje, për një sinqeritet më të madh për ballafaqim të hapur me zhvillimet e kritikës së sotme dhe arritjet e përtej kufijve në këtë fushë dhe jo vetëm ato brenda nesh, që do të na detyronin herë pas here të reflektonim, të gjykonim e të arsyetonim sipas një përgatitjeje më të plotë e të shpreheshim me një gjuhë më profesionale. Janë mjaft të pakta prurjet e ekspozitave me vepra origjinale të autorëve të njohur botërorë (me sa di unë ato janë gjithsej pesë ose gjashtë të tilla ndër vite), duke mos përjashtuar këtu edhe pjesëmarrësit e huaj në Bienalen e Tiranës dhe në atë të "Onufrit" me një nivel që për sa u përket pjesëmarrësve të huaj, sa vjen dhe bëhet edhe më i dobët.

Me keqardhje duhet të themi; në këto kushte të një vakumi të kritikës dhe analizave të thella të gjendjes apo arritjeve të artit pamor në vendin tonë, e sidomos ato të viteve të tranzicionit, marrim fluturimthi ndonjë vlerësim apo opinion të ndonjë studiuesi, kuratoreje apo kritiku të huaj për arritjen dhe gjendjen ku ndodhemi për sa u përket arteve pamore. Dhe për më shumë, këto opinione vilen prej tyre si një detyrim apo kortezi që ata shprehin ndaj kërkesave të shoqëruesve të tyre e jo si shtytje e ngacmim i ardhur nga shikimi, gjykimi e hulumtimi nga ana e tyre i veprave të autorëve tanë (këtu mund të veçohen rastet e arritjeve të disa autorëve tanë të rinj, pjesëmarrës dhe fitues çmimesh ndërkombëtare në mediumin e video-artit, medium i shfaqur vitet e fundit edhe në botë).

Njëra prej tyre, kuratorja e pavijonit shqiptar në Bienalen e 52-të të Venecias, amerikania Clearwater, kishte mendimin se artistët shqiptarë të sotëm, për të qenë avangardë, mjaftohen me largimin nga realiteti i dukshëm. Gjë që tregon, sipas mendimit tim, se kjo mangësi, apo dukuri, vjen si nevojë e si rrjedhojë e një perceptimi dhe shtytje e zhvillimit real, e një shkalle më të madhe të përgatitjes intelektuale, shoqërore dhe profesionale të perceptimit artistik të problemeve kohore, por edhe mangësi të gjetjes së mjeteve dhe gjuhës së komunikimit e jo vetëm mes nesh por, edhe atij internacional, në luftën trup me trup që artisti bën me vetveten për t‘u çliruar nga impresionet dhe vizionet e tij për të shkëputur frutin e së vërtetës së kohës së tij. Për t`u marrë në konsideratë është edhe një opinion apo sugjerim për artistët e rinj shqiptarë i marrë nga kritikja dhe kuratorja italiane, Marie Camptelli, "për të parë përpara e të vazhdosh, siç thotë ajo, të besosh në ndryshimin e pashmangshëm dhe të tentosh të bësh aktualen, duke u dhënë hapësirë të rinjve që tregojnë kurajë dhe kanë informacion për të treguar në mënyrat më bindëse atë çka ngjet brenda tyre". Dhe në vazhdim ajo thotë se shpreson që kur të vijë në Tiranë të gjejë ekspresivitet të fortë e të sinqertë, gatishmëri për dialog, përballje dhe ndërmarrjen e operacioneve kulturore të përbashkëta. Që të dyja pohimet (mund të ketë edhe të tjera të ngjashme) na bëjnë të shohim gjendjen ashtu siç është, me dëshirën për të reflektuar. Shqipëria, duke qenë një shtet me demokraci të brishtë që e ka nisur rrugën drejt saj pak vite më parë, edhe pse liria e mendimit tashmë ekziston, sado si e ngulfatur, siç thotë Arbër Xhaferi, pjekuria për të vepruar si zë më vete e dalë nga mitra e vet dhe jo e klonuar dhe e konsoliduar brenda natyrës së vet ndjehet akoma e paformësuar. E kështu lihet vend për imitacione, për një shikim së jashtmi të fenomeneve.

Krahas guximit për të eksperimentuar dhe përpjekjeve nga mjaft anëtarë të rinj, të cilat duhen vlerësuar si pozitive, kjo gjë ndjehet edhe në ekspozimet tek "Onufri 2007". Pozitiv është fakti që atje ka një ngulmim për t‘u shkëputur nga narrativja, nga një shfaqje apo prezantim i problemit që krijon një linjë pa tension, pa ngarkesë intelektuale e në përballje me të duhet të rritet kërkesa për një përgatitje më të lartë, e cila kërkon të komunikojë me gjuhën internacionale bashkëkohore, atë profesionale e ndjesore, që e shoqëron atë në dhënien e një fytyre të vetën që kërkon të tërheqë vëmendjen e një spektatori jo vetëm provincial, por edhe më tutje.

Pikërisht në këto aspekte, sipas mendimit tim, aty ndjehet pasiguri, pikërisht për t‘u shkëputur nga narrativja e nëpërmjet forcës së shprehjes e të mesazhit të arrihet te forma e shprehjes që komunikon.

Sigurisht secili nga interpretimet që mund t‘i bëhet një vepre arti apo një ekspozite të tërë veprash të tilla, aq më shumë nga një krijues e jo kritik i mirëfilltë, nuk mund të jetë kurrsesi plotësisht i vërtetë. Megjithatë, duke dashur thjesht të jepja mendimin tim, mendoj se sot në një situatë kur ka më shumë informacion dhe më shumë lloje, forma, tendenca e mendime për t‘u shprehur, kërkohet më shumë ambicie nga të gjithë ne krijuesit për të njohur vetveten, për të mos mbetur te përshkrimi pa jetë, pa vitalitet, i pa qëlluar realisht dhe virtualisht, e nga ana tjetër kërkohet më shumë shqetësim për të imponuar te vetvetja një ambicie për të mos qenë reminishencë shpesh herë e fillim shekullit, por edhe e shprehjeve artistike me të cilat tashmë jemi familjarizuar.

Sigurisht, nuk duhet të befasohemi nga ekspresioni i së resë që lind e rilind, por të shqetësohemi nga e pavërteta që përpiqet të evidentohet si e vërtetë në stuhinë që lëviz me shpejtësi e që shpesh herë nuk jemi në gjendje ta vlerësojmë në kohën e duhur.

Dhe në vazhdim të këtij arsyetimi, mendoj se vlerësimet duhet të vihen mbi një bazë më normale. Sot vlerësimet që bëhen për një sërë çështjesh (shpesh nga njerëz jo të përgatitur si duhet), janë tepër të brishta, shpesh ato duken të përkohshme, jo të qëndrueshme. E si të tilla ato mund të bëhen një kërcënim për të vërtetën. Tentohet nga abuzuesit për të zhveshur çdo dallim mes meritës, e cila është rrjedhojë e talentit, e inteligjencës e që përftohet me shumë përpjekje dhe "meritës" të nxjerrë në ankand për t‘u konsumuar si një e drejtë thjesht personale për t‘u shprehur e zhveshur nga çdo përpjekje për komunikim.

Ndikimi magnetik i ngjarjeve dhe shqetësimeve që jetojmë, sigurisht bëhet shqetësim i artistit, por rruga e globalizmit kalon nëpërmjet gjuhës së komunikimit jo vetëm me vetveten, mes nesh me njëri-tjetrin, por edhe me botën e qytetëruar. Dhe ngjarjet nuk rrjedhin e nuk shkojnë gjithmonë ashtu siç do t‘i dëshironim ne, por ashtu siç i shtyn dhe i drejton rrjedha e kohës. Por, ambicia për një art bashkëkohor e lidhur ngushtë me kërkesat që shtron koha, duhet të shkojnë më larg. Kërkohet, sipas një artisti të njohur (edhe pse jo në fushën e artit viziv) edhe një disiplinë në shtresëzimin e informacioneve dhe kulturave tashmë të formuluara e jolikuide, si dhe të atyre që qarkullojnë rishtas, por edhe disiplinë në punën kërkimore profesionale që gjërat të bëhen kështu më të lehta. Dhe ajo që artisti sot në botën e globalizuar sjell si origjinale, nuk është më folklorizmi i ngjarjes, por vetja e tij. Sa më shumë bëhet shoqëria e njëtrajtshme, thotë Andre Moruois, aq më shumë shpirtrat janë në pritje të dëgjojnë apo të shohin një vepër personale dhe patetike. Dhe misioni i artistit sot për të sensibilizuar spektatorin nëpërmjet saj dhe për të komunikuar me të, nuk ka ndryshuar. Ai sot është më urgjent se kurrë. Por, nga ana tjetër, edhe pse veprat e artit sot, thotë ai, shpesh janë efemere (diçka jetëshkurtër që qëndron për një farë kohe), ato nuk ka përse të mos merren në konsideratë. Dhe vazhdon arsyetimin e tij, mos vallë një vepër që mban në tension tridhjetë mijë njerëz në një mbrëmje, nuk është po aq e rëndësishme sa edhe një vepër që mban një milion në tre shekuj? Dhe kush e thotë që ato mund të jenë definitive, të fundit, të pakapërcyeshme në kondita të tjera!

Por, për të rrokur problemet e kohës, për të qenë në sinkroni me shqetësimet e spektatorit artdashës, në kushtet e zhvillimit të vrullshëm të ditëve që jetojmë, të teknologjisë, shkencës, të globalizmit të botës ku komunikimi është më i mundshëm se kurrë, kërkohet më shumë vullnet për të vepruar në nivelin e efekteve sociale të artit, me artin me të cilin zëmë dashuri. E si rrjedhojë e saj edhe iniciativa për ta kthyer spektatorin në lexues apo qëndrimmbajtës për shqetësimet apo problemet që trajtohen në veprën e artit, e çdo lloji qoftë ajo. Sigurisht kërkohet më shumë përpjekje drejt përsosjes si nga ana e artistit për t‘u shprehur, por edhe e spektatorit për ta rrokur atë përpjekje së bashku për një shoqëri që i jep mundësi një numri më të madh njerëzish të shkojnë më lehtë dhe në mënyrë më të sigurt drejt përsosjes. Mua personalisht, brenda këtij konteksti, edhe pse e admiroj guximin e të rinjve, më bën përshtypje pjesëmarrja e mjaft prej tyre, porsa të diplomuar edhe pse akoma pa e zbuluar vetveten, e marrin guximin të shprehen e të zënë vend pranë artistëve tashmë me eksperience në ekspozita. Shqetësimi prioritar për ta duhet të jetë ai për të qenë më të sinqertë me veten e për të folur me zërin e tyre, për të qenë vetvetja. Mjafton të sjellim në mendje këtu thënien e Marlon Brandos në një takim me artistë të rinj, se "unë jam vetvetja, dhe nëse do të më duhej t‘i bija murit me kokë për të qenë i vërtetë me veten, do ta bëja". E pra vijmë natyrshëm te problemi i të vërtetës që duhet të na shqetësojë kaq shumë në të gjitha sferat e shoqërisë, por veçanërisht në atë të artit. Por, krahas fatbardhësisë që zhvillimi ofron sot, ka edhe një mal me keqkuptime, me pa të vërteta, me dukje dhe jo gjendje reale, me arritje të pamundimshme, jo të qëndrueshme nga pikëpamja e vlerës.

Të qëllimshme ose jo, ato janë abuzive, "vepra arti", të cilave nuk dëshiron t‘u kthehesh për së dyti e t‘i shohësh përsëri. Një pjesë e autorëve të tyre duket se kanë mbetur në ritmin e tiktakut të një kohe që tashmë kaloi. Një pjesë tjetër, e një grupimi artistësh më të rinj (sigurisht duke mos i përfshirë të gjithë me të njëjtin vlerësim), duke dashur të bazohen në një koncept të pastër konceptual, nuk krijojnë një objekt arti, përtej një deklarate të shkruar përbri saj. Mund të themi se pak artistë kanë krijuar me të vërtetë vepra të artit konceptual që janë vlerësuar nga kritika e mirëfilltë si të tilla.

Ajo që truri i bën perceptimet vizuale të prekshme, të rrokshme, varet nga vetë bekgraundi, përkushtim dhe eksperienca e akumulimit e një personi të caktuar dhe nga ndryshimi në një farë mënyre i perceptimit të objekteve, ngjarjeve dhe i këtyre eksperiencave dhe sigurisht edhe nga fakti se çfarë ushtron ai mbi këto perceptime të marra. Sigurisht krijimi dhe individualiteti i cili e nxit atë zhvillohet në varësi të sensibilitetit të hollë të perceptimeve të një personi të caktuar dhe përpjekjeve të sinqerta të tij për t‘i shprehur konceptet ose ndijimet që gjenerojnë këto koncepte.

Koncepti për të vërtetën, i shfaqur dukshëm mbase fill pas përvojës së tanishme nga e cila rezulton se arti sot është i shtrënguar t‘i ngjasë një këpuce që nuk po i përshtatet këmbës apo që nuk e ka gjetur formën e duhur që t‘i përshtatet asaj, pohon një studiues e kritik i njohur, flet madje për një nevojë të përsëritur për ndryshim produktiv. Dhe në vazhdim të pohimit të tij, thuhet se veprat e artit që tashmë nuk inspirojnë besim, bindje, konsiderohen të vdekura, pa jetë. Dhe kjo, thotë ai, nuk gjen aplikim vetëm te motivet tradicionale, por gjithashtu te mënyrat e portretizimit në historinë e artit në vazhdim, të cilat tashmë shtrojnë për diskutim çështjen rreth të vërtetës.

E vërteta sigurisht është relative në sensin e një perceptimi konstant të procesit të njohjes e që duhet në mënyrë të logjikshme e në vijim të rishqyrtojë me imtësi se çfarë duhet marrë si e vërtetë. Sot, thotë ai, ne nuk përulemi më para asaj që nuk është e vërtetë. E në të vërtetë, tani duhet jo vetëm të mos përulemi përpara lidhjes së drejtpërdrejtë apo të çastit me jetën, por gjithashtu të mos përulemi as përpara perfeksionit të teknologjisë. Por në përballje me realitetin ekzistues për të realizuar një vepër të mirë të artit, cili do ishte roli, thotë ai, që do të luanin masat e njerëzve që derdhen gjatë rrugëve?

Arti, thotë kritiku, është akoma i gjallë. Deri në momentet që po diskutojmë ai gjallon akoma dhe ka dhënë prova të aftësisë për t‘i shmangur, për t‘i anashkaluar të tilla zgjedhje, dhe po të citonim Walter Benjamin-in, do të thoshim se ai (arti) ka qëndruar mirë përpara të papriturave, përpara befasive, përpara habive. Ato nuk na çudisin më.

E vërteta është çështje e perspektivës dhe ajo duhet të vendoset e të gjejë vend në mënyra e rrugë të ndryshme në paraqitjen e kulturave të ndryshme. Në lidhje me të vërtetën dhe gjykimet për të, strategjitë opinion-bërëse të bëra me qëllim luajnë gjithmonë e më shumë një rol të rëndësishëm në jetë. Nga dita në ditë jemi të detyruar të kuptojmë se shpesh këto lloj strategjish njollosin, turbullojnë linjën ndarëse në mes të asaj që ato mund të duken të rreme, përfundon analisti.

Dhe në përfundim, desha t‘i përgëzoj artistët e talentuar aktivë, të guximshëm, kërkues edhe pse të pakët në numër, për përpjekjet e tyre, me dëshirën për të na dhënë vepra të bukura që ne si spektatorë të komunikojmë me to dhe si krijues të nxitemi prej tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›