E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Siguria në punë? Të ndryshojë ligji

Partia Socialiste kërkoi dje të bëhen ndryshime ligjore lidhur me sigurimin shoqëror të aksidentit në punë. Nënsekretari i programit politik, Ilir Beqja, i bëri thirrje qeverisë të analizojë dhe nxjerrë përgjegjësinë e strukturave shtetërore për mosparandalimin e aksidenteve në punë. Ndërsa insistoi te sanksionimi në ligj për aplikimin e % së ndryshueshme të kontributeve sipas shkallës së rrezikut në punë për çdo industri apo degë ekonomie. "Duhen bërë ndryshime të nevojshme të legjislacionit të prokurimit të punimeve civile, duke përcaktuar që shpenzimet për sigurinë në punë të mos jenë pjesë e ofertave financiare, por të jenë të njëjta për çdo operator ekonomik", vlerësoi Beqja. Ndërsa gjeti rastin të shprehë shqetësim për rritjen e pasigurisë së kushteve të punës. Sipas tij, edhe ky vit, për fat të keq, filloi me aksidente të rënda në punë. "Madje, viti ka filluar tragjikisht, duke shënuar të vdekur nga aksidentet në punë në çdo javë të këtij fillimviti, po ashtu si në dhjetor 2007", nënvizoi Beqja. Partia Socialiste u shprehu ngushëllimet familjeve të Xhevit Ndregjonaj dhe Veli Jahja që humbën jetën në aksidentin e fundit në uzinën e KURUM. Duke shtuar se përballë kësaj situate të kobshme kemi cinizmin, tashmë të zakonshëm të kësaj qeverie të paaftë apo ministrave të saj. "Cinizmi shprehet në faktin që në shumicën e rasteve inspektimet dhe hetimet zyrtare kanë nxjerrë fajtorë viktimat", konstatoi Beqja. Ai tha se shqiptarëve u kujtohet që zyrtarët e Ministrisë së Arsimit, vdekjes së punëtorit të ndërtimit në shkollën teknologjike në Tiranë iu përgjigjën që tenderin e kish fituar firma me ofertën më të lirë dhe se ishte 30% nën fondin limit. "Shqiptarëve u kujtohet që zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë, pyetjes së gazetarëve rreth vdekjeve të njëpasnjëshme të minatorëve në minierën e kromit në Bulqizë, iu përgjigjën që pyetja ishte jashtë teme. A thua se para se të futen në zgafelle, minatorët duhet të marrin leje që janë në rendin e ditës të ministrisë", nënvizoi Beqja. Nënsekretari për programin e PS-së, tha se Inspektorati Shtetëror i Punës, si institucioni përgjegjës për sigurinë në punë në Shqipëri, nuk ka sjellë asnjë element pozitiv në pakësimin e rreziqeve në mjediset e punës dhe si të vetmen zgjidhje gjen mbylljen e aktivitetit. "Me sa duket, mënyra më e ‘sigurt‘ në Shqipërinë e sotme, që të kesh një vend pune të parrezikshëm, është të mos punosh", vlerësoi Beqja. Duke shtuar se drejtuesit e Inspektoratit të Punës nuk ngurrojnë të shfaqen para mediave nëpër inspektime me kaskat e reja në kokë, të cilat nuk të kujtojnë gjë tjetër veçse parakalimet e 1 Majit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›