Beqiri: Në mars me kombëtaren
Trajneri Ari Han do të ketë në dispozicion një armë më shumë për mbrojtjen kuqezi që në muajt e tij të parë në stolin e përfaqësueses shqiptare. Mbrojtësi Elvin Beqiri ka kaluar tashmë përfundimisht dëmtimin që e la jashtë fushës për më shumë se 6 muaj dhe shpreson të jetë i gatshëm për kuqezinjtë që në ndeshjen e parë miqësore të muajit mars. Futbollisti ka filluar fazën përgatitore me skuadrën e tij të re, Arsenalin e Kievit, me të cilën është aktivizuar edhe në ndeshjet e para miqësore gjatë grumbullimit që po zhvillon në Turqi, shumë pranë "zborit" të Han. Sipas futbollistit, dëmtimi në këmbën e majtë ka kaluar përfundimisht dhe tani është i gatshëm jo vetëm për t‘u aktivizuar përsëri në kampionatin ukrainas, por edhe në kombëtaren shqiptare.
"Ndeshja e parë, ndonëse miqësore në fazën përgatitore, ishte shumë e veçantë, pasi kisha shumë kohë larg fushës, për shkak të dëmtimit. Fatmirësisht e kam lënë pas një gjë të tillë dhe në këto takime që kemi zhvilluar me Turqi, kam arritur të ambientohem menjëherë me fushën e lojës. Trajneri më ka aktivizuar në të dyja ndeshjet miqësore që zhvilluam kundër gjeorgjianëve të Dinamos së Tbilisit dhe rusëve të Sibir. Jam i lumtur, pasi më në fund nuk ndiej më asnjë pasojë nga dëmtimi i vitit të kaluar. Ndonëse isha stërvitur me skuadrën, ndjesia e fushës së lojës është diçka tjetër dhe tani mund të them se jam i gatshëm për të luajtur me skuadrën e re", u shpreh Beqiri. Ashtu si shumë skuadra të tjera ukrainase, edhe Arsenali i Kievit po zhvillon fazën përgatitore në Turqi, pikërisht në Antalia, ku është grumbulluar edhe seleksioni i kampionatit shqiptar nën urdhrat e trajnerit Han. "Nuk i kam takuar ende djemtë që janë grumbulluar këtu në Antalia, edhe për shkak të stërvitjeve intensive që kemi zhvilluar këto ditë. Por shpresoj që ta bëj një gjë të tillë sapo të kem mundësi, pasi i njoh thuajse të gjithë atje. Më vjen mirë që edhe trajneri Han ka vendosur të mbikëqyrë lojtarët e kampionatit shqiptar, pasi edhe aty ka shumë lojtarë që mund t‘i shërbejnë kombëtares kuqezi", tregon mbrojtësi.
Futbollisti shpreson që të jetë i pranishëm që në ndeshjet e para të përfaqësueses, nën urdhrat e teknikut holandez. Një gjë e tillë mund të bëhet realitet që në fundin e marsit, kur është planifikuar që Shqipëria të zhvillojë një miqësore me një kombëtare të Lindjes së Mesme. "Shpresoj të jem në formën më të mirë kur kombëtarja të zhvillojë miqësoren në mars, pasi dua të kthehem përsëri në fushë me fanellën kuqezi. Është shumë e vështirë të shohësh ndeshjet nga televizori dhe të mos kesh mundësi të ndihmosh skuadrën në fushë. Ndaj shpresoj që të jem edhe unë i gatshëm sa më parë për të dhënë kontributin tim. Trajneri i ri? Ka eksperiencë të madhe ndërkombëtare si futbollist dhe trajner, ndaj besoj se do të ndihmojë rritjen e mëtejshme të lojës së kombëtares. Sigurisht, nuk kemi një grup të lehtë në eliminatoret e Botërorit, por jam i bindur se do të arrijmë objektivat që kemi për këtë edicion", përfundoi Beqiri.