E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Prokurimet publike drejt Inteligjencës Artificiale, çdo hap i auditueshëm

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë ceremonisë së 30-vjetorit të krijimit të Autoritetit të Prokurimit Publik (APP) se Shqipëria po vazhdon reformat në këtë sektor dhe synon të përdorë teknologjitë më të avancuara, përfshirë Inteligjencën Artificiale, për të përshpejtuar dhe përmirësuar procesin e prokurimit publik.

Rama theksoi se teknologjia dhe Inteligjenca Artificiale ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme për vendet si Shqipëria, ku sfidat historike mund të kapërcehen përmes përparimit eksponencial që ofron teknologjia.

“Në kushtet e progresit linear, ku bota ecte para ardhjes së kësaj teknologjie, natyrisht që afatet, kohërat dhe ambiciet do të ishin të një niveli më modest. Ne jemi sot në një proces të avancuar për të kaluar të gjithë procesin e prokurimeve në duart e Inteligjencës Artificiale, me një përqindje shumë të lartë të automatizuar, që nuk përfshin ndërhyrjen e njeriut”, tha ai.

Kryeministri kujtoi gjithashtu debatet ndërkombëtare mbi përdorimin e Inteligjencës Artificiale në procese të tilla, duke përmendur kritikët që paralajmërojnë se algoritmet mund të manipulohen nga njerëzit, por shtoi se sistemi që do të përdoret do të jetë plotësisht i auditueshëm.

“Keni dëgjuar skeptikët për hyrjen e Diellës në këtë proces, sipas të cilëve algoritmet mund të kthehen në një problem, pasi edhe algoritmet janë të kontrollueshme dhe të manipuluara nga njerëzit. Është e habitshme se si njerëz me një njohuri më të madhe se ne lidhur me Inteligjencën Artificiale, si Erick Schmit, me të cilin pata një debat në faqet e New York Times, ngrenë si shqetësim pikërisht këtë aspekt”, tha Rama.

Sipas tij, ajo që është e thjeshtë për t’u shpjeguar është fakti se Diella nuk do të veprojë në mënyrë totalisht të pavarur nga sytë e të gjithë aktorëve të interesuar, por do të jetë në çdo hap e auditueshme nga çdo aktor i interesuar.

“Gjithë procesi do të zhvillohet përmes rrugëve digjitale, edhe Inteligjenca Artificiale do të jetë e bazuar në të gjitha kërkesat e ligjit të prokurimeve sa i përket dokumentacionit përkatës. Çdo person që do të dëshirojë ta rishikojë manualisht procesin, do të ketë mundësinë ta bëjë këtë, dhe kjo do të sigurojë që asgjë që del nga procesi si rezultat të mos jetë e pagjurmueshme në rast nevoje për auditimin e hapave që sollën rezultatin. Është shumë e thjeshtë”, deklaroi Rama.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›