E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: OBP do të kthehet në institucion të lartë ekspertize për prokurimet

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) do të marrë rolin e një institucioni me nivel të lartë ekspertize në fushën e prokurimeve publike.

I pranishëm në aktivitetin e organizuar në Tiranë me rastin e 30-vjetorit të Prokurimeve Publike, Rama theksoi se procesimi i të dhënave nuk do të kryhet më nga operatorët, por nga sistemi “Diella”, i cili do të mbledhë informacionin automatikisht për llogari të tyre. Sipas tij, kjo do të rrisë në mënyrë të ndjeshme efikasitetin dhe transparencën e sistemit.

Kryeministri vuri në dukje se integriteti dhe ekspertiza janë elementë kyç për funksionimin korrekt të procedurave të prokurimit.

Ai shtoi se defektet e konstatuara shpesh nuk lidhen domosdoshmërisht me korrupsion, por me mungesë të aftësive të nevojshme profesionale, ndaj qeveria është fokusuar te trajnimi i stafit.

“E kemi luftuar këtë problem edhe përmes ndryshimeve rrënjësore që kemi bërë vitin e fundit, duke i hequr të gjitha prokurimet nga niveli i parë i qeverisjes dhe duke i kaluar tek Operatori i Blerjeve të Përqendruara”, u shpreh Rama, duke theksuar se OBP do të funksionojë si një institucion i specializuar për garantimin e standardeve të larta në prokurime.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›