Paolucci: BB mbështetje të plotë Shqipërisë në modernizimin e sistemeve të prokurimit

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Drejtues i Bankës Botërore në Shqipëri, Massimiliano Paolucci deklaroi sot se “institucionet shqiptare mund të mbështeten tek Banka Botërore si një partner i besueshëm në këtë fazë transformuese të vendit”.
Në fjalën e tij në aktivitetin “30 vjet Prokurime Publike – Shqipëria, lider rajonal në modernizimin e sistemeve të prokurimit”, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Paolucci tha se “modernizimi i sistemeve të prokurimit publik janë gur themeli i qeverisjes së mirë dhe qëndrueshmërisë së qeverisjes”.
“Ky modernizim i sistemeve të prokurimit publik është një investim strategjik publik për integrimin e Shqipërisë në BE dhe për të luftuar korrupsionin. Këto janë reformat më transformuese që ka ndërmarrë Shqipëria dhe BB është krenare që është partnere në këtë udhëtim dhe fokusi është në digjitalizimin dhe transformimin e sistemit të prokurimeve publike”, nënvizoi Paolucci.
Kreu i BB-së në Shqipëri u shpreh se “reformat nuk janë vetëm për futjen e sistemeve apo teknologjive të reja, por edhe për ndryshimin e sjelljes dhe mentalitetit dhe organizimit, kulturës organizative që kontribuon për të forcuar kontratat sociale, por që forcon angazhimin me sektorin publik”.
Gjithashtu, vijoi Paolucci, ka të bëjë me promovimin e impaktit më të madh të jetës së të gjithëve dhe forcimin e partneritetit mes qytetarëve, institucioneve dhe sektorit privat për procesin e hyrjes në BE.
“Përmes grupit të BB-së Shqipëria po ripërcakton sistemin e prokurimeve për epokën digjitale dhe amendimet që janë bërë në ligj kanë hedhur themelet për gjeneratën për integrimin e Inteligjencës Artificiale. Kjo ofron mundësi për transparencë, eficiencë dhe për dallimin e mashtrimeve. Por duhet që këto të përkthehen në fakte”, tha Paolucci.
Paolucci vuri në dukje se këto prokurime janë nga reformat më demokratike që e bëjnë informacionin të disponueshëm për qytetarët për atë çfarë bëhet.
“Megjithatë ka shumë risqe që duhen marrë parasysh kur bëhet fjalë për këtë sistem. Siç e ka përmendur ministrja Pirdeni, kjo ditë varet shumë nga sfidat që kemi përpara, vetëm teknologjia nuk mjafton. Ndërtimi i kapaciteteve, integriteti, përfshirja janë esenciale. Ne duhet të sigurojmë që profesionistët të kenë aftësitë për të operuar në këtë fushë dhe të gjitha bizneset të marrin pjesë në këtë peizazh të ri”, tha ai.
Paolucci u shpreh se “do të sigurojmë mbështetje të plotë për të garantuar që të arrihet suksesi, teknologjia e duhur duhet t’i mundësojë Shqipërisë që të shkojë drejt rritjes së eficiencës duke garantuar që shpenzimet publike jo vetëm të japin rezultate, por edhe të mbështetin edhe synimet e përbashkëta”.
Sipas tij, këto përpjekje do të harmonizojnë Shqipërinë me direktivat e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, duke pozicionuar vendin si lider rajonal në prokurimin e qëndrueshëm.
“Ky përparim pasqyron angazhimin e Shqipërisë për t’u harmonizuar me standardet ndërkombëtare dhe të shfrytëzoje teknologjinë me një rritje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme dhe dëshmon edhe partneritetin midis sektorit publik, privat dhe partnerëve të tjerë donatorë”, tha Paolucci.
/k.s/r.e/a.f/