Çmimi i dritave rritet, kriza mbetet
Problemeve dhe shqetësimeve
të shumta që mbart situata
ekonomike e sociale e vendit,
si papunësia, rritja e çmimeve
të produkteve ushqimore, mungesa
apo ulja e nivelit të rrjetit të shërbimeve
të ndryshme shëndetësore e sociale,
frenimi i ritmeve të rritjes së zhvillimit
ekonomik e social, çështja ende e
pazgjidhur e pronës në vendin tonë,
si dhe ajo e shtrirjes së varfërisë ende
në një pjesë të mirë të vendit etj., do
t‘u shtohet edhe ai i rritjes së çmimit të
energjisë elektrike.
Një masë e tillë, me nivel të lartë
sensibiliteti për shtresat e ndryshme
të popullsisë, jo vetëm që nuk mund të
anashkalohet, por përkundrazi, risjell
edhe njëherë për diskutim dhe dhënien
e mendimeve e alternativave, jo thjesht
për këtë element të rëndësishëm, rritjen
e çmimit të energjisë elektrike, por për
perspektivën dhe zgjidhjen e një prej
problemeve më të vështira të tranzicionit ekonomik shqiptar, atë të situatës
tejet të rëndë energjetike, zgjidhjes së
krizës së saj. Kjo sepse, ndërsa çmimi i
energjisë elektrike vazhdon e rritet, kriza
mbetet. Natyrisht, rritja e pritshme e
çmimit të energjisë elektrike nga ana e
ERE-s, duke filluar nga 1 marsi i këtij viti,
nuk duhet parë e shkëputur nga situata
e përgjithshme energjetike në vend,
nga kriza e përsëritur e saj, në mënyrë
ciklike, këto 10-15 vjet, dhe pasojat ekonomike
e sociale të saj në vazhdimësi,
nga tronditjet e tregjeve ndërkombëtare
dhe rritjes së çmimit të produkteve energjetike
(naftës) apo dhe ndikimet e tyre
në ekonominë globale (dhe atë rajonale
dhe të vendit tonë).
Por, pa dyshim, marrja në konsideratë
e faktorëve të mësipërm kërkon
ndërmarrjen e veprimeve të studiuara
mirë, të matura e me përgjegjësi, të
bazuara strategjikisht dhe realiste e të
përballueshme, sidomos nga shtresat
me të ardhura të pamjaftueshme. Parë
në këtë këndvështrim, mund të konsiderohet
se:
-Rritja e çmimit të energjisë elektrike
(në rrugën e saj drejt kostos) megjithëse
konsiderohet një element i rëndësishëm
dhe i domosdoshëm i reformave liberalizuese
të sektorit energjetik, duket të
jetë bërë nga ana e ERE-s jo tërësisht i
bazuar ekonomikisht e strategjikisht, me
transparencë jo të plotë (pa konsultime
me faktorët e interesit) dhe mbi baza jo
shumë realiste (për sa i përket masës së
rritjes), veçanërisht në raport me koston
(nga pikëpamja e përballimit të saj);
-Kjo sepse, qytetarët, përmes rritjes
së çmimit të energjisë elektrike
detyrohen të paguajnë (në një pjesë të
konsiderueshme) jo thjesht afrimin real
të çmimit me koston e energjisë, por
edhe financimin e një pjese të gjendjes
së vështirë financiare të kompanisë
energjetike - KESH (megjithëse nuk e
zgjidhin atë). Më konkretisht, përmes
pagimit të çmimit të pritshëm të rritur,
qytetarët do të paguajnë në një masë
të konsiderueshme edhe paaftësinë e
KESH për mbledhjen e të ardhurave
dhe uljen e humbjeve në rrjet (kjo nuk
është normale dhe as nuk është detyrë
e qytetarëve) e që vjen nga menaxhimi
jo eficent dhe kryesisht nga paaftësia
profesionale e punonjësve të KESH, të
rekrutuar dy tri vitet e fundit vetëm mbi
kritere politike e joprofesionale;
-Pabarazia mes logjikës strategjikoekonomike
të përdorur nga ERE për
rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe
arbitraritetit e mungesës së transparencës
ndaj qytetarëve është i padrejtë dhe me
pasoja të rënda ekonomike e sociale.
Prandaj kërkohet:
-Të marrë fund "odiseja shumëvjeçare" e mosditjes dhe mospërcaktimit
të perspektivës së situatës energjetike
në vend, kur dhe si do të zgjidhet kjo
krizë (zbatimi i strategjisë për projekte
konkrete që gjenerojnë burime të reja
energjetike, alternative dhe jo gjithnjë
duke iu falur Zotit: do të bjerë apo jo shi
etj!!!). Pikërisht këtu bën pjesë edhe harmonizimi
i investimeve që kryhen e do
të kryhen nga vetë KESH me strategjinë
e qeverisë për zhvillimin e këtij sektori
në përgjithësi (energji elektrike, nafta,
gazi etj) dhe donatorëve. Kështu, ndërsa
duhet përshëndetur nisma e pjesëmarrjes
së shtetit shqiptar për të qenë pjesë
e projektit energjetik për ndërtimin e
TEC-it në Kosovë. Nuk mund të mos
kërkohet që një veprim i tillë të jetë sa
më transparent (me qytetarët në Kosovë
e Shqipëri dhe donatorët), sa më i harmonizuar
me projektet e tjera që pritet
të ndërtohen në Shqipëri e në rajon, e
sidomos i harmonizuar me donatorët
që kontribuojnë në këtë sektor;
-Zhvillim më i shpejtë e më transparent
i procesit të reformave strukturore të privatizimit
dhe të liberalizimit në KESH;
-Menaxhim me eficent në përgjithësi,
e në veçanti për atë financiar për realizimin
e objektivave të plan-veprimit
për mbledhjen e të ardhurave, uljen e
humbjeve në rrjet, prerjen e lidhjeve të
paligjshme dhe kryerjen investimeve sa
më eficente në këtë sektor;
-Përfundimi sa më shpejt i pajisjes
me matës elektrikë i të gjithë konsumatorëve,
për t‘i dhënë fund mënyrës
"aforfe" të faturimit të saj, thuajse në
mënyrë abuzive;
-Depolitizimin dhe profesionalizimin
e administratës dhe punonjësve
të KESH;
-Afrimin e studiuar, gradual, transparent
dhe real të çmimit të energjisë
elektrike me koston e saj. Qytetarët të
përballojnë vetëm atë pjesë të rritjes së
çmimit të energjisë elektrike që u takon,
duke u ofruar atyre dhe alternativa të
tjera energjie për ngrohje e gatim, me
çmime të përballueshme, pse jo, për
shtresat me të ardhura të pamjaftueshme,
të përdoren edhe skema të kompensimit
financiar;
-Marrja në konsideratë dhe reflektimi
në kohë (dhe jo kur gjendemi përballë
"faktit të kryer") e situatës në tregjet
globale të naftës (dhe gjithë situatës
energjetike globale) etj., si dhe ndikimit
të tyre në ekonominë tonë.