Katrahura spitalore universitare "Nene Tereza"
Në dy raste më është dashur
të shkoj për shqetësime të
parëndësishme fizike në
një spital jashtë Shqipërisë,
njëherë në Londër e njëherë në Zagreb.
Në të dyja rastet kam qenë i pajisur me
kartën e sigurimit shëndetësor të paguar
prej shtetit shqiptar (kam qenë me funksionin
e diplomatit), e në këtë kuptim
nuk kam idenë mbi çmimet e shërbimeve
shëndetësore. Por kam krijuar
një ide tanimë mbi llojin e shërbimit, i
cili u ofrohej të gjithëve njësoj. Madje,
më duhet të them që spitali publik i
Zagrebit më la një shije më të mirë sesa
ajo poliklinika në periferi të Londrës.
Ndoshta kjo ka të bëjë me magjepsjen
e provokuar prej faktit, që ti shkon diku
me një pritmëri të caktuar, dhe atje
befasohesh e topitesh në kuptimin më
pozitiv të fjalës, ngaqë gjithçka që ti has
e tejkalon pritmërinë.
Sidoqoftë, çfarë më ka bërë përshtypje
të fortë në të dy rastet, është shumë e
thjeshtë: në radhë të parë kishte rregull,
qetësi, pastërti, gatishmëri e mirësjellje
nga ana e personelit të shërbimit, në
radhë të dytë kishte një prani tepër të
përkorë qytetarësh, të cilët nuk janë
as pacientë, as mjekë, e në radhë të
tretë të binte në sy një mjedis tepër i
paqtë jashtë mureve të spitalit e brenda
zonës spitalore. Atje, sapo vije këmbën
në zonën spitalore, e kuptoje se ishe
në një zonë sui generis të qytetit, ku
mbretëronte paqja, qetësia e gjelbërimi,
e sapo futje këmbën në korridoret e lokalet
e brendshme të spitalit, e kuptoje
se gjithçka ishte në vendin e vet e se
kudo kishte rregull.
Doni të dini se ç‘mund të jetë një
zonë tjetër urbane, ku mbretëron bash
e kundërta? Me siguri, pas kësaj pyetjeje,
të gjithëve u shkon mendja te ndonjë
pazar i rrëmujshëm, apo te ndonjë fushë
sportive e kategorisë së dytë, ku pas
ndeshjes lojtarët e sportdashësit mund
të qëllojë të rrahin arbitrin apo sho-shoqin.
Por nuk e kam fjalën këtu, pasi ka
tranzicioedhe
më keq sesa kaq. Dhe më keq sesa
kaq është Qendra Spitalore Universitare
"Nënë Tereza"; me fjalë të tjera, është
qendra më e rëndësishme, ku ofrohet
me demek shërbimi shëndetësor e
mjekësor më i rafinuar e më i sofistikuar
në Shqipëri. Kjo qendër (dikush duhet
ta heqë përfare emërtimin ‘qendër‘,
pasi ngarkesa semantike e këtij termi
na krijon asosacionin e një diçkaje të
mbledhur e të sistemuar) është tollovia
vetë; është çorganizimi në shkallën më
të organizuar. Krahasuar me këtë qendër,
çdo pjesë tjetër e kryeqytetit, cilado
qoftë kjo, mund të shihet e të merret për
sinonim i disiplinës dhe i rregullit. Aty
nuk është e mundur të shërohesh e të
kurohesh; aty mund të sëmuresh nëse je
top me shëndet, e mund të vdesësh nëse
je i sëmurë. Aty të kap stresi e të merret
fryma. Në atë atmosferë është e kotë të
ngresh zërin kundër korrupsionit, pasi
korrupsioni nuk ka se si të përbëjë një
përparësi. Në fund të fundit, e vetmja gjë
që shkon me atë atmosferë është të jesh
apo të bëhesh i korruptuar.
Mund të dalë ndokush, që njeh në
detaje të gjithë vrimat e qoshet e asaj
"lagjeje", e të më thotë se ‘x‘ repart e ‘y‘
pavijon janë sistemuar aq mirë, sa nuk
ke pse t‘i kesh zili spitalet e Zagrebit e të
Londrës, por këto qoshe duhet të jenë
një hiç në atë katrahurë e zallamahi kolosale.
Aty ka vetëm njerëz që vijnë vërdallë;
dhe ka kaq shumë njerëz, sa vetëm
një ambient tjetër i populluar mund ta
konkurrojë: bulevardi "Dëshmorët e
Kombit" në ditën e Shën Valentinit. Një
dreq e di se ç‘duan atje gjithë ata njerëz
(mund të jenë disa mijëra). Kirurgu Besim
Elezi, të cilin e kam pasur të ftuar në
"Déjà vu" përpara nja tre muajsh, e përligjte
këtë dyndje me natyrën tonë solidare
ndaj të afërmve në hall e në nevojë,
por merret vesh që ky argument nuk të
bind. Në rastin më të mirë, ky mund të
përbëjë një të dhjetën e shpjegimit të
plotë të kësaj dukurie. Nëntë të dhjetat
kanë të bëjnë me dobësi manage-eriale.
Madje, që të jemi më të saktë, nuk kemi
të bëjmë me dobësi; kemi të bëjmë me
një shkujdesje kriminale, e cila fillon me
stafet drejtuese të spitalit e mbaron më
qeveritarët shqiptarë, të cilët, me të vënë
të ndenjurat në kolltuqe apo në sedilje
makinash luksoze, nuk e kanë mendjen
ta ndreqin këtë gjendje, por e kanë
mendjen t‘u gjejnë qoshe të ngrohta
militantëve e mercenarëve politikë.
Nuk di pse jam i sigurt, se askush
ndër ata që kanë drejtuar sistemin e
shëndetësisë gjatë tetëmbëdhjetë viteve
të fundit, nuk ka pasur kokëçarjen për
të ndryshuar diçka në këtë situatë. Bën
vaki, që janë familjarizuar aq shumë
me këtë rend (rend i thënçin) gjërash,
sa për ta gjithçka është normale; është
normale që te porta hyrëse për në zonën
spitalore të të presin dy burra të parruar,
të paqethur, të pakrehur, të palarë e
të veshur keq, të cilët të urdhërojnë të
hapësh dritaren e makinës, të kallin
brenda një kupon parkimi e të kërkojnë
100 lekëshin. Nuk të bezdis fatura 100
lekëshe (kuponi nuk do të ishte keq
të kishte një çmim më të lartë), por të
bezdisin këta dy burra in borghese me
gjuhë e me gjestikulacion të rënduar,
te pamja e të cilëve nuk lexohet asnjë
fakultet e gatishmëri për të shërbyer.
Pastaj, të bezdis vargu i gjatë i makinave
që hyjnë e dalin, që bëjnë zhurmë me
boritë e tyre; të bezdis turma e njerëzve
që rravgon aty midis makinave, turma
e njerëzve që mezi ecin për shkak të
pështjellimit. Aty sheh shitës ambulantë,
sakatë e lypës, pleq të hutuar e
të frikësuar, grupe grash të kapur për
krahu në mbrojtje të sho-shoqes, vajza
të reja, të cilat mund të jenë studente
të Fakultetit të Mjekësisë, por mund të
jenë edhe infermiere të improvizuara
nate në ndihmë të të afërmve të shtruar
në spital, burra të tjerë të ngeshëm që
rrinë më këmbë e që bëjnë sehir, njerëz
që bëjnë tutje-tëhu pa asnjë qëllim si të
ishin pjesë e një solucioni brown-ian,
mjekë e infermierë me bluza të bardha,
të cilët janë vazhdimisht në shoqërinë e
nevojtarëve apo të të ngeshmëve që i ka
zënë hera andejpari. Të bën përshtypje
se në fytyrat e shumicës së gjindjes nuk
sheh shenja të ndonjë shqetësimi apo
alarmi prej ndonjë sëmundjeje; përkundrazi,
në fytyrat e tyre lexohet një
karar e non-chalance-ë turistike, gjë që
të bën të mendosh se ata janë aty për të
vrarë kohën.
Post Scriptum. Ndërsa e shihja dje
në mëngjes atë turmë të pafund laramane
nëpër rrugët e rrugicat e spitalit,
përpiqesha të dalloja tek ata qytetarin,
njeriun me formim civil e civik, zgjedhësin,
por ishte e kotë; dhe e gjeta veten të
mbërthyer prej ligështimit, aq sa dikush
e pikasi këtë ligështim të plazmuar në
fytyrën time, harroi që unë po shoqëroja
tim atë për një vizitë tek okulisti, e nuk
hezitoi të konstatonte mes një solidariteti
shtinjak: Edhe ju zoti Nano nuk
dukeni mirë!
Doja t‘i thosha: "Unë jam këtu në
spital, pikërisht ngaqë nuk jam mirë. Po
nuk marr vesh se ç‘duan këtu ca njerëz të
tjerë, të cilëve po u shpërthen shëndeti
edhe nga sytë edhe nga veshët. Ja, ti për
shembull, ç‘dreqin do në Qendrën Spitalore
Universitare "Nënë Tereza"?
Por nuk i thashë asgjë të tillë.