E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli i Krimeve të Rënda, gjykatësit kundër kryetarit

Kritika dhe debate të ashpra kanë përshkuar analizën vjetore të punës së gjykatave të krimeve të rënda për vitin 2007. Më të shumta ato kanë qenë nga ana e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, të cilët duket se shfrytëzuan këtë takim të hapur për mediat, për të adresuar një sërë vërejtjesh ndaj kryetarit të tyre. Kryesisht, pyetjet e drejtuara nga gjyqtarët, por edhe akuzat e bëra kanë qenë në drejtim të menaxhimit të fondeve që buxheti i shtetit kishte parashikuar për këtë gjykatë gjatë vitit të kaluar. Sipas tyre, transparenca e përdorimit të fondeve duhet bërë jo për të vendosur bashkërisht se si do të përdoren ato, pasi një gjë e tillë është përcaktuar më parë, por për të ditur si dhe ku janë shpenzuar këto fonde. Me gjithë këmbënguljen e gjyqtarëve të Apelit për Krime të Rënda, kryetari i kësaj gjykate nuk dha ndonjë statistikë apo ndonjë të dhënë konkrete për këtë temë. I vetmi që reagoi ishte Sandër Simoni, kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Ai theksoi se kryesisht fondet e buxhetit vijnë të detajuara nga strukturat përkatëse dhe për gjykatën që ai drejton gjatë vitit 2007 plani i buxhetit është realizuar në masën 98%.

Ndërkaq, gjyqtari i Apelit për Krimet e Rënda, Dhimitër Lara, ka vijuar me kritikat e tij, duke theksuar se kompetencat e kryetarëve të gjykatave janë të fryra. Ai nuk është bindur as nga ndërhyrja e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, i cili sqaroi se këto kompetenca janë parashikuar nga ligji. Lara i ka adresuar kritika edhe Presidentit të Republikës, për shkak të një deklarate të tij se "u duhet dhënë rëndësi kryetarëve të gjykatave, sepse ata janë pasqyra e gjykatave". Sipas Lerës, pasqyra e gjykatave është vetëm vendimi publik dhe i arsyetuar që jep gjyqtari. Të tjerat janë vetëm në funksion të këtij vendimi, që përfaqëson drejtësinë. Sa për nismën më të fundit të nënkryetarit të KLD-së me titullin mediatik "Maratona për Drejtësi", Lara tha se ajo nuk kishte asnjë ndryshim nga analizat vjetore që janë zhvilluar në vitet e fundit nëpër gjykata.

Volumi dhe problematika

Në raportin e veprimtarisë së Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda deklarohet se gjatë vitit 2007 në këtë gjykatë janë shqyrtuar në total 967 çështje ndër të cilat: 124 çështje themeli, 266 masa sigurimi, 27 kërkesa për sekuestro, 459 kërkesa për lejim përgjimesh dhe 91 kërkesa të tjera penale. Sipas Sandër Simonit gjatë 2007, si asnjëherë më parë në praktikën gjyqësore, në Gjykatën e Krimeve të Rënda janë marrë në shqyrtim çështje me një numër rekord të akuzuarish, deri 17 apo 22 të pandehur. Por ajo që mbetet problemi më shqetësues është zvarritja e proceseve për shkak avokatëve mbrojtës. "Gjatë vitit 2007 arsyeja kryesore e ngadalësimit dhe zvarritjes së proceseve gjyqësore kanë qenë pamundësia e avokatëve për të qenë prezent në seancat gjyqësore. Kjo për shkak të angazhimeve të tyre në gjykatat e tjera, por shpesh dhe për sjellje të tilla si mosparaqitje pa shkak, braktisje mbrojtje, largim nga sallat e gjyqeve, heqje dorë nga mbrojtja pa ndonjë shkak etj", deklaroi Simoni. Në të njëjtat linja janë pozicionuar edhe gjyqtarët e tjerë gjatë diskutimeve të tyre. Ata kanë ngritur zërin se nuk duhet lejuar që avokatët të mbajnë peng proceset, ndërsa përfaqësuesit e Dhomës së Avokatisë nuk morën pjesë në këtë analizë, megjithëse ishin ftuar nga organizatorët.

Spahiu

Në mesazhin drejtuar gjyqtarëve të pranishëm, zëvendëskryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, vuri në dukje nevojën e respektimit të të drejtave kushtetuese dhe ligjore në proceset penale në përqasje me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sipas parimeve të të cilës drejtësia nuk identifikohet me dënime ekstreme. Sipas zëvendëskryetarit Spahiu "çdo gjyqtar duhet të jetë i përgjegjshëm dhe do të inspektohet për çdo ditë burgim të dhënë pa të drejtë dhe çdo ditë lirie të pambështetur në ligj".

Barsoleta

"Kur e shkarkuan një kryetar gjykate, miqtë e tij shkuan te eprori përkatës dhe i kërkuan që ta emëronte si gjykatës në të njëjtën gjykate. Eprori u përgjigj: Kur ai nuk e bëri dot punën e kryetarit, atë të gjykatësit nuk e bën dot fare". Kjo barsoletë u tregua dje gjatë analizës nga gjyqtari Dhimitër Lara

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›