Arrestohet në Greqi, vrau për hakmarrje shqiptarin e kërkuar
Policia greke ka vënë në pranga një shqiptar të kërkuar në Greqi për vrasjen e një bashkëkombësi. I arrestuari Artan Xhanaj kishte vrarë për hakmarrje tri vite më parë Pushkin Kushpën. Sipas burimeve zyrtare, policia greke arrestoi paraditen e së martës shqiptarin Artan Xhanaj, 24 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim për një vrasje dhe tentativë vrasje të disa policëve grekë. Xhanaj akuzohet se më 12 prill të vitit 2005 ka ekzekutuar në sheshin "Omonia" të Athinës Pushkin Kushpën, për t‘u hakmarrë për një vrasje dhe një plagosje që viktima kishte kryer në Delvinë, në vitin 1984. Pushkin Kushpa kishte vrarë xhaxhain e Artan Xhanajt dhe në kohën e diktaturës ishte dënuar me vdekje. Dënimi i tij u konvertua me 25 vjet burg një vit më vonë, ndërkohë që në vitin 1990 Kushpa doli nga burgu dhe iu drejtuar kryeqytetit grek, ku punonte në një restorant. Puna që viktima kryente e kishte nxjerrë të ekspozuar disa herë përballë familjarëve të viktimës, që ai kishte vrarë në vitin 1984. Ky ishte edhe viti i lindjes së personit që do të bëhej vrasësi i tij, pikërisht 21 vite më vonë.
Pas ekzekutimit të Kushpës, Xhanaj u shpall në kërkim. Sipas Drejtorisë së Policisë së Atikës, gjatë këtyre tri viteve që ishte shpallur në kërkim, Artan Xhanaj kishte kryer një numër të madh grabitjesh me armë. Në një rast, Xhanaj kishte qëlluar me armë automatike kundër një patrulle policie, që u gjendën rastësisht jashtë një supermarketi, në momentin që i arrestuari po e grabiste. Gjatë kësaj përleshjeje me armë, falë rastësisë nuk pati viktima, ndërkohë që në vendngjarje u gjetën më tepër se 100 gëzhoja kallashnikovi. Ndërkaq, ai ishte klasifikuar si një ndër kriminelët më të ashpër shqiptarë dhe fotografia e tij ishte në të gjitha pikat kufitare të vendit dhe në rajonet e policisë. Pjesëtarë të forcave speciale greke, që kryen arrestimin e tij, thanë se kishin urdhër të prerë të qëllonin menjëherë, nëse ai nuk dorëzohej, pasi blutë helene kishin informacione se Artan Xhanaj do të përdorte armët e tij, që i mbante me fishekë në gojë. Policia greke tha se në shtëpinë e tij u gjet një arsenal armësh, pa treguar shumë detaje. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Atikës, Xhanaj do të dërgohet për masë sigurie mëngjesin e sotëm në Gjykatën e Athinës.