Prençi: Kemi bllokuar trafikun e drogës
Forcat e policisë shqiptare kanë arritur të bllokojnë trafikun e drogës në kufijtë e Shqipërisë, pa kaluar përtej Adriatikut në Itali. Gjithashtu, në shumë raste janë bllokuar edhe trafiqet e tjera, që organizoheshin nga trafikantë shqiptarë, të cilët bashkëpunonin edhe me vendet e tjera perëndimore. Kështu ka deklaruar dje kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, duke iu referuar shifrave zyrtare të shtetit tonë, por edhe analizave të shteteve bashkëpunuese me policinë shqiptare. Madje, një raport i tillë ishte mbajtur pak ditë më parë në Itali gjatë një takimi të organizuar nga EUROPOL, ku janë përmendur gjithë operacionet e dy viteve të fundit, që janë realizuar në bashkëpunim me Shqipërinë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, ka deklaruar se në Itali janë kapur grupe trafikantësh shqiptarë me sasi droge, por policia ka arritur që pjesën më të madhe ta ndalojë në Shqipëri. Për Prençin, të kapurit në Itali kanë qenë rezultat i hetimeve shqiptare, pa mohuar ndihmën dhe bashkëpunimin e forcave policore italiane. Për Policinë e Shtetit, kufijtë e Shqipërisë janë më të kontrolluarit në dhjetë vitet e fundit. Sipas kryekomisarit Prençi, pak ditë më parë në Romë, me iniciativën e EUROPOL-it, në kuadrin e projektit "COSPOL" u organizua një takim në drejtorinë e Antidrogës së Italisë, ku ishin të ftuar drejtuesit kryesorë të Antidrogës nga të gjitha vendet e Evropës. Në atë takim u analizua niveli i bashkëpunimit të policive të Evropës, në luftën kundër trafikut të drogës, armëve dhe qenieve njerëzore. Sipas Prençit, arritjet dhe treguesit e këtij bashkëpunimi kanë rezultuar një binom i suksesshëm, me një efektivitet 100%. "Gjithçka ka nisur rreth dy vite më parë me operacionin e koduar ‘Karaburun‘ nga policia shqiptare, i cili në bashkëpunim me Antidrogën e Italisë vijoi gjatë këtyre dy viteve me tri operacione të tjera ndërkombëtare, ku binomit ‘ROS-Policia e Shtetit Shqiptar‘ iu bashkëngjitën edhe një numër i madh partnerësh të tjerë të policive evropiane", u shpreh Prençi, duke renditur edhe një sërë operacionesh të tjera. Sipas tij, një ndër këto suksese ka qenë edhe operacioni i koduar "HAREM", i finalizuar në dhjetor 2005, në Itali, Shqipëri dhe Gjermani, me rezultatin 85 të arrestuar, 300 kg drogë e sekuestruar dhe 4 automatikë kallashnikov e municion. "Në përfundim të këtij operacioni u provuan dhe dokumentuan lidhjet e grupeve kriminale nga Shqipëria me mafien kalabreze. Gjithashtu, një mënyrë të detajuar hetimi tashmë i përfunduar i Prokurorisë antimafia së Katanzaros në Itali ka qenë operacioni për kapjen e grupit kriminal shqiptar me lidhjet të fuqishme me mafien italiane", detajoi Prençi. Më tej, i riktheu kujtesën në korrik të vitit 2006, ku bashkëpunimi i ROS me Policinë Shqiptare u shtri njëkohësisht në tri operacione të reja ndërkombëtare, të iniciuara po nga Policia Shqiptare, të koduara prej saj me emrat "Karaburun", "Vjosa" dhe "Eagle", emra me të cilët janë ndjekur në vazhdim nga një numër i madh i policive partnere evropiane të përfshira në hetim. "Hetimet në Itali e më gjerë bënë të mundur lokalizimin dhe çmontimin e 4 laboratorëve klandestinë të substancave narkotike e të përzierësve, të përdorura nga një komponent kosovar i krimit të organizuar ndërkombëtar. Hetimi ka përfshirë një territor të shtrirë në tre shtete, duke aktivizuar në bashkëpunim edhe policinë gjermane", tha Prençi, duke shpjeguar se shumë detaje nuk janë publikuar për shkak të hetimeve për këto rrjete kriminale. Prençi shpjegoi se nga shifrat e arrira rezulton se kufiri shqiptar është bërë i padepërtueshëm për trafikantët e drogës. Sipas tij, sasitë më të mëdha të drogës janë kapur në Shqipëri, ndërkohë që sasi shumë të vogla janë kapur në vendet e tjera bashkëpunuese. Prençi përfundoi duke u shprehur se këto rezultate kanë ardhur paralel me reformimin e gjithanshëm të strukturave të policisë shqiptare, e cila në këto dy vite është reduktuar 25% në efektivat e saj.