E Diel, 1 Nëntor 2026

Prindërit e të vetëvarurit: Hetim drejtorit që na përjashtoi djalin

Prindërit e Mikel Hajçes, që u vetëvra disa ditë më parë, pasi ishte përjashtuar nga mësimi në gjimnazin e Bilishtit, fajësojnë drejtorin e shkollës për vdekjen e djalit të tyre. Pak ditë pasi 17-vjeçari u gjet i vetëvarur në pemë, prindërit e tij që kanë pritur të mbyllen hetimet e prokurorisë për këtë rast, thonë se drejtori i shkollës duhet të pushohet nga puna dhe të ndiqet penalisht. Halim Hajçe thotë: "Ne si prindër akuzojmë drejtorin e shkollës si autor të vrasjes së djalit tonë. Kemi pritur që prokuroria të mbyllë hetimet që të mos nxitohemi dhe të gabojmë në këtë përfundim, por tashmë jemi të sigurt se në rast se drejtori nuk do të ishte sjellë në atë formë me djalin, ai sot do të ishte gjallë. E akuzojmë atë për vrasjen e Mikelit, pasi ai ushtroi presion psikologjik mbi të dhe këtë e ka bërë në prani të nxënësve të klasës. Më keq akoma, ne si prindër nuk u vumë kurrë në dijeni se djalin na e kishin përjashtuar nga mësimi. Kjo ishte detyrë e drejtorit, që sapo mori këtë masë duhej të na lajmëronte". Ky është pretendimi i prindërve, të cilët e kanë gjetur tashmë fajtorin te drejtori i shkollës ku mësonte djali i tyre. Ata thonë se do t‘u drejtohen këtë herë organeve të drejtësisë me një padi kundër drejtorit, ndërsa nga ana e Ministrisë së Arsimit do të kërkojnë që ai të pezullohet nga detyra si mësues për sa kohë që ka sjellë nga pas një pasojë fatale për jetën e një adoleshenti me presionet psikologjike. "Djali ishte rikthyer në mësim edhe pse ai e kishte ndëshkuar me përjashtim nga shkolla. Siç na kanë thënë shokët e tij, drejtori e ka gjetur në klasë dhe i ka thënë merr çantën dhe ik dhe mos shkel më këtu për këtë vit. Kaq ka mjaftuar që djali i ofenduar para klasës të mërzitet edhe për përjashtimin nga shkolla dhe ka shkuar direkt dhe ka varur veten në pemë. Mua tani nuk më kthehet më djali, por ai që është fajtor duhet të ndëshkohet", ka thënë Halimi. Prindërit që kërkojnë largimin e drejtorit Alfred Mulla thonë se të paktën ata duhet të ishin thirrur për t‘u njoftuar mbi arsyet për të cilat djali është përjashtuar nga mësimi. Sipas tyre i kanë dërguar tashmë një letër ankese edhe Prokurorisë së Përgjithshme dhe Kryeministrit, me pretendimet që kanë kundër drejtorit. Sipas babait, edhe pse nga ana e prokurorisë është marrë në cilësinë e provës një letër që 17-vjeçari Mikel Hajçe kishte lënë në momentet e fundit të jetës, me arsyet që e çuan drejt vetëvarjes në litar, ai nuk është në dijeni të përmbajtjes. Më vonë ai ka mësuar se djali kishte sqaruar në letër motivet, por letra edhe pse u drejtohej prindërve, nuk u është treguar atyre. "Nuk e di përmbajtjen e letrës, pasi nuk na kanë thirrur në prokurori. Kur e gjetën u njoftuam nga policia dhe pashë djalin në morg. Më thanë se ka vrarë veten dhe ka lënë një letër, por ajo është marrë si provë. Letra na drejtohej ne. Megjithatë më shumë rëndësi ka që fajtorët të dënohen", shprehet Halimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›