Gërvishtin makinat, i riu qëllon me thikë 26-vjeçarin
Preken makinat në parakalim, qëllohen me thikë, ndërsa autori largohet nga vendi i ngjarjes. Përplasja ka ndodhur në mesditë, në bulevardin Vlorë-Skelë, në afërsi të shkollës "Ismail Qemali", në momentin që dy drejtuesit e automjeteve, Ardian Guci 26 vjeç dhe Klaudio Spahu 18 vjeç, kanë dashur të parakalojnë me mjetet e tyre dhe kanë gërvishtur shumë pak makinat. Kaq është dashur dhe të dy të nxehur kanë dalë nga makina duke fyer njëri-tjetrin. Spaho ka nxjerrë një thikë që mbante me vete dhe ka qëlluar në trup Ardian Gucin e më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, së bashku një shokun e tij që kishte në makinë. Guci është dërguar menjëherë në spital, ku dhe i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, pas 30 minutash ndërhyrje mjekët kanë arritur t‘i shpëtojnë jetën. Aktualisht sipas mjekëve ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka mbërritur shumë shpejt në vendngjarje, ka bllokuar dy automjetet, thikën me të cilën është kryer plagosja, si dhe është vënë në kërkim të shtetasit Klaudio Spaho, i akuzuar si autori kryesor i plagosjes me thikë të shtetasit Guci. Policia ka shoqëruar në komisariat për disa orë dhe babain e Klaudios, për ta marrë në pyetje e më pas e ka lënë të lirë.