Një 14-vjeçare tenton të vetëhelmohet
Një 14-vjeçare tenton vetëvrasjen nëpërmjet helmimit. E mitura E.R., banuese në Spitallë të Durrësit, po lufton mes jetës dhe vdekjes, pas konsumimit të një sasie lënde helmuese. Ajo është dërguar në gjendje kritike për jetën në Spitalin Ushtarak të Tiranës dhe vazhdon të ndodhet në situatë të rëndë shëndetësore. Burime nga policia e Durrësit bënë të ditur se 14-vjeçarja jeton në Durrës prej disa vitesh, ku ka ardhur së bashku me familjen nga rrethi i Dibrës. Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se adoleshentja kishte pirë pasditen e së hënës, rreth orës 17:00, një sasi lënde helmuese, e cila nuk është përcaktuar ende se cilit lloj i përket. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, nëse ka ndodhur si rezultat i një gjendjeje të rënduar psiko-emocionale të adoleshentes, apo ka qenë aksidentale.